Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Të vegjlit e Ylli Pangos- një mishërim i dashurisë dhe frikës nga mosha

Me Ylli Pangon na ka njohur njohur politika, por miqësinë tonë e ka mbajtur gjallë, e ka ushqyer dhe e ka bërë të qëndrueshme shkrimi dhe letërsia që shkruajmë.

Kohë më parë pata lexuar prej tij përmbledhjen me tregime “Transplanti i Paganinit”.

Një stil shkrimi krejt autentik, ku përzihen letërsia artistike, psikologjia dhe sociologjia me një natyrshmëri të lakmueshme.

Kur nisa ta lexoj librin “Të vegjëlit e mi” më erdhi në mendje një bisedë e para më shumë se një dekade me profesor Pangon. Ai, më tregonte momentin kur e kishin larguar nga puna si Drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë së Kërkimit Shkencor, firmosur nga Kryeministri Edi Rama.

“Atë kohë u trondita, u gjenda i befasuar, të pushohesh nga puna në prag të pensionit është depresive, plus që nuk e prisja, përveçse kisha punuar shumë mirë, kisha edhe një lloj besimi të verbër që ai s’do merrej me mua, kjo për shumë arësye.

Në një gjendje shoku, nisa një udhëtim pelegrinazhi që do të ndryshonte krejtësisht jetën time.

Në Odesa do të njihesha me një grua e cila do më bënte aq të lumtur, saqë pas asaj gjendje shoku që më shkaktoj largimi absurd nga puna, do ta uroja në heshtje atë vendim hakmarrës e të lig të KM-së”.

Duke lexuar librin “Të vegjëlit e mi” dhe duke kujtuar këtë bisedë mbuluar nga pluhuri i harresës së viteve.

Librin “Të vegjëlit e mi” e kam të vështirë ta klasifikoj nëse është mirëfilli një roman, ditar, monografi, biografi apo që të gjitha bashkë, që të ngërthejnë në lexim nga faqja e parë tek e fundit.

Në çdo faqe të këtij libri ka nga një mbresë, nga një kujtim, nga një këndveshtrim psiko-social të marrëdhënieve babë-bir.

Përgjegjësia e prindërimit, frika e babait për diferencën e madhe të moshës së tij me birin, emocionet thuajse platonike të trinisë së një dashurie të çuditshme, babë-mam-bir dhe anasjelltas.

Për vet specifikën që siç e përmend vet autori mund të ishin marrëdhënie gjysh-bijë-nip, për shkak të diferencës së madhe të viteve me njëri tjetrin. (babai 70 vjeç, mami 45, biri 4-5 vjeç).

Por pavarësisht moshave, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, ajo është një marrëdhenie që funksionon në kufijtë e përsosmërisë.

Pasi është ngjizur me shumë dashuri në kohë iluzionesh, në portin e Odesës , në kohën e udhëtimit të dëshpëruar të profesorit, pasi ishte larguar nga puna si i padëshiruar nga regjimi.

Ndërsa në vendlindjen e Marinës ka luftë, në vendin e Yllit sundon absurdi, Danja (Danieli) fryti i dashurisë së tyre as që do t’ja dijë, ai rritet i lumtur mes dashurisë pa kushte që i japin babi dhe mami, ai flet gjuhën e dy atdheve të tij, ai rritet pa brengat e prindërve.

Danja është fëmijë i shndritshëm, produkt i një dashurie dhe kujdesi psiko-social të veçantë.

Ndërsa mbaron së lexuari këtë libër, që siç thashë më lart është e vështirë ta kategorizosh në një gjini letrare të kufizuar, njeh një Ylli Pango tjetër.

Një burrë të brishtë, delikat, një burrë që ka frikë nga mosha e tij, jo për vetën e tij por për birin, një model prindi sa modern, aq edhe konservator të lakmueshëm për çdo kënd.

Për mbyllje libri “Të vegjlit e mi” i Ylli Pangos, sa ç’është letërsi e bukur dhe tërheqëse, është edhe një manual prindërimi dhe dashurie njerëzore.

Tiranë, 20 Tetor 2025.