Shqipëria ofron modelin më të përsosur të dështimit kulturor modern
Robert Aliaj Dragot
Duke i parë muzeumet jo vetëm si institucione, por si simptoma të një gjendjeje më të thellë shoqërore…
Një objekt historik u vodh nga Luvri. Një grabitje me finesë, gati si skenë filmi, si ta kishte shkruar Arsen Lupeni. Mediat shpërthyen. Ekspertët e artit, politikanët, qeveria, publiku, të gjithë u rreshtuan për të mbrojtur atë që cilësohet si thesari i gjallë i trashëgimisë franceze. Në mënyrë paradoksale, çdo akt vandalizmi mbi artin e përforcon prezencën e tij, e rikthen në vëmendje. Mona Liza për shembull, u bë ikonë vetëm pasi u vodh në 1911-ën dhe u rikthye pas dy vjetësh. Vepra që humbet për pak kohë fiton statusin e të shenjtës. Vjedhja, në këtë kuptim, bëhet sakrificë rituale jo për ta zhdukur atë objekt, por për ta rilindur si legjendë.
Por çfarë ndodh kur nuk ka asgjë për të vjedhur?
Kur askush nuk përpiqet të hyjë, sepse në thelb brenda nuk ka më as vlerë, as jetë? Kur jo vetëm objekti mungon, por edhe sensi i tij? Atëherë nuk jemi më në fushën e grabitjes, por të zbrazëtisë.
Dhe në këtë pikë, Shqipëria ofron modelin më të përsosur të dështimit kulturor modern.
Në këtë vend, muzeu nuk është hapësirë e kujtesës. Duket si varrezë e zbrazët e një shteti pa vetëdije historike. Jo sepse s’kemi çfarë të tregojmë. Por sepse s’kemi më kush të shohë. Dhe më keq: s’ka më kush do të dëshironte ta vizitinte. Muzeu shqiptar është një trup i ftohtë, pa metabolizëm, pa rrjedhje publike, pa motiv për të jetuar. Një kufomë e konservuar në formalitetin burokratik, që ekziston vetëm për të sajuar vjedhjen e buxhetit të radhës.
Jo për të ndikuar jetën publike.
Aty ku Louvre kapet në panik nga një grabitje, ne jemi të qetë sepse asnjë dorë nuk shtrihet më drejt nesh. As për të marrë, as për të parë, as për të ndier. Vjedhja, në vetvete, është akti i njohjes. Të vjedhësh një objekt është të pranosh se ai ka një vlerë që ia vlen të rrezikosh për të. Në Shqipëri vlerat muzeale janë të pavjedhshme sepse janë të pavërejtshme. Dhe kjo nuk është një tragjedi kriminale. Është një katastrofë politike.
Çfarë tregon ky dështim? Se politika shqiptare nuk ka më as vullnet, as vizion për të ndërtuar kulturë publike. Subvencionimi i muzeve, investimi në hapësira interaktive, programet për tërheqjen e brezit të ri, të gjitha këto janë fjalë që qarkullojnë vetëm në dokumentet e aplikimeve për fonde, por që nuk hyjnë asnjëherë në territorin real të kujtesës kolektive. Dhe pa kujtesë, s’ka as komb. Ka vetëm popullsi që harrojnë vetveten, që ikin, që shpërndahen si grimca pa bosht.
Muzeu në Shqipëri, në vend që të jetë “hapësira e emancipimit kolektiv”, është bërë pengesë për ndërtimin e ndonje ndërtese fallike. Aty ku një i ri do duhej të hynte për të ndjerë peshën e të kaluarës dhe potencialin e së ardhmes, ai gjen lagështirë, era myk, mungesë gjuhe, mungesë historie të rrëfyer siç duhet. Ka objekte pa narrativë. Ka emra të mëdhenj pa mundësi për t’i kuptuar.
Publiku shqiptar është përjashtuar nga kultura pa e ndaluar kush. Përjashtimi duke u bërë norma e bën qytetarin një “qenie e zhveshur nga trashëgimia”, një konsumator bosh që i mbetet vetëm ekrani i tv, ekrani i celularit, ekrani i kompjuterit.
Ndaj, nuk është tragjike që nuk kemi vjedhje spektakolare nëpër muze. Tragjedia është se edhe po të ndodhte një grabitje e tillë nuk do bënte përshtypje, askush nuk do të kishte dëshirë as të dëgjonte për të.