Cikël poetik nga Zeqir Cama
Plaga
E imja plag’ si buzë fëmije,
më cimbis si thumb te supi,
bekuar me frymë magjie,
ndrequr nga doktor çifuti!
Iu bë sakt çdo lloj tertipi,
të mos kisha mbrapa tmerre,
dreg’z e saj si gjethe hithri,
ma rikujton herë pas here.
Kot së koti pa dhemb plaga,
i kthej sytë direkt tek supi,
shtrati i saj pak nga pakëz,
është bërë pjes’ e trupit.
Kohë pas kohe zu karar,
pa një ankth, as mëdyshje,
por dy sy prej vesës larë,
e përpinë, e zgjuan ndryshe.
Harruar ishim sa u ndamë,
(s’u bë gjëma, s’u tund vendi).
Por nga çasti që u pamë,
aq u desh dhe plaga dhembi!
Nëma dorën grua
Nisi dëbora si dëbora e vjeme,
herë bie herë ndalet siç bën çdo vit,
një bojë njeriu si në viset nga erdhëm,
me erëra nervoze që shfrjynë bulçitë.
Nëma dorën grua,
është rrugë e rrëshqitshme,
s’na mbajnë këmbët dhe po u rrëzuam; ëhë
s’ia vlejnë mjekimet, pleqëribardha nxihet
dhe kocka te kocka s’ngjit më.
Nuk dolëm për gara, as baste nuk vëmë,
çapitu avash se bardhësia të vret,
vuri veshin hapit, krëp-krëp; krëp-krëp,
mbi zonën e minuar që hesht.
Ca rrudha në gushë, ca rrudha në faqe,
janë shënja pleqërie, e di, s’ka dyshim,
por mua kurrsesi s’më duken si plakje,
më beso; nuk gënjen syri im!
E mbajta fajin vetë përsipër
Takimet tona ndodhën rrallë,
rrallë, siç del lumi mbi breg,
e mora plumbin vet në ballë,
për kohën që të mbajta peng.
E mbaja fajin vetë përsipër,
(faj i thënçin….) S’qe hata!
Ti, këmbëngulje për të ikur,
unë me lutje: “Rri dhe ca”!
Kur fati na bëri një mendje,
paqësisht, pa kundërshtim,
çuditërisht, kohën e ikjes,
e shtyje ti, për hat’rin tim!
Njoha një trim
E njoha vonë; aq sa e njoha,
krejt rastësisht pa pikë synimi,
kërrusur si peshqesh nga koha,
gjashtë pëllëmbë burrë,
pa hije trimi.
M’u bë fiksim t’i bëj një “lojë”
ndryshe shitej; ndryshe dukej;
dy shok të tij më lanë pa gojë,
me mëdyshje ngrita supet.
I tunda kokën kot më kot,
të parit që m’u gjend në fjalë.
por bëra vet se s’m’u besua,
të qe Ai, aq trim i rrallë!
I dyti shok që kish në krah,
e vuri pikën bam, mbi “I”
dhe për çudi s’më bindi prapë,
të qe ashtu, siç tha ai!
“Ka qënë se s’bën! Të bie prova;
si erë i shkundi retë… Dhe pikë”!
Me mijë përqind në fund besova,
ma tha Ai, q’e kish armik!
E pashë Çikagon
Pak miq morën udhën nergut të më gjenin
shtëpinë,
të shumtit i pruri halli në Tiranë,
dhe ua hapa derën sa dëgjova tak-tak;
megjithatë, për pak njerëz mbeta mbreslënës
dhe, ma dinë fare pak!
Ndryshe mbete tek unë,
rrezëllitsia Çikago!
Qyteti i erërave dhe arkitekturës mahnitëse,
i qejfit dhe i punës,
s’ia del dot gjithë njerëzisë me ftesë…
Kush të do, të gjenë, apostafat si unë
dhe jo “dervish me lugë në brez”.
Çikagua me shpatulla të gjëra
të quajti poeti Karl Sandberg,
“Mbretëri e së keqes” të kishin damkosur
por Ai s’të mohoi,
skutë më skutë t’u afrua,
mes dhunës dhe llumit që kutërbonte erë,
të të këndonte rrokaqiejt që ngriheshin në eter,
të të shihte të bukur ia pati ënda,
durimmadhe e duruar, hallerënda!
***
Më mirëseardhe te porta
siç bën me të tërë…
E ç’të bëje më shumë,
në atë mizë lisi pa fund e pa anë?!
Kush më pyeti i tregova:
E pashë Çikagon, nën shkëlqimin rrezëllitës,
por s’di sa më pa!
E furishme dhe e zhurmshme,
imponuese dhe marramendse,
syri dhe shpirti m’u ngop;
çfarë hëngra dhe piva, s’e mbaj mend,
por di që nuk u sikletosa urie.
Në fund të fundit s’erdha të liroj rrypin,
as të çajë zorrët.
Kjo është Çikagua…
Po ta mbajti, shtro kurrizin, më tha bytha,
leri pordhët!