Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Propaganda me dinjitetin e mësuesit

Pak ditë pas letrës sime të hapur drejtuar Kryeministrit të vendit, ku kërkoja rikthimin në punë dhe dinjitetin e nëpërkëmbur si mësuese, dëgjova me vëmendje deklaratën e tij publike gjatë prezantimit të rezultateve të anketës TALIS. “U kemi rikthyer dinjitetin mësuesve” – tha Kryeministri.

Duke qenë se letra ime kërkonte pikërisht këtë – rikthimin e dinjitetit dhe trajtimin e padrejtësive të pësuara – nuk mund ta injoroja këtë deklaratë referuar edhe kohës që vjen.

Le të jemi të qartë:

 Dinjiteti i mësuesit nuk rikthehet me deklarata politike. Nuk rikthehet me anketat e vetëraportuara, që ndryshe nga testimet objektive si PISA, nuk mund të pasqyrojnë realitetin e plotë të sistemit arsimor shqiptar.

Dinjiteti nuk është premtim, është veprim.

Dinjteti nuk është fjalë. Është trajtim i drejtë, respekt ligjor dhe institucional – ndaj punës së tij, ndaj fjalës dhe mendimit të tij, ndaj vlerave profesionale,  mbrojtje nga padrejtësitë dhe përndjekjet, vlerësim profesional dhe kushte të denja pune dhe sigurie. Është paga e merituar, siguritë që burojnë nga ligji, jo nga bindja politike…

Si mësuese që kam qenë pjesë aktive e sistemit deri në maj të vitit 2019, mund të dëshmoj personalisht se ky “dinjitet i rikthyer” i pretenduar, nuk është realitet. Dhe nuk jam e vetmja. E dinë shumë mësues – edhe ata që nuk guxojnë të flasin, por e thonë nën zë.

Letra ime e hapur që sfidon deklaratat e qeveritarëve për dinjitetin e mësuesit:

Në letrën time të hapur kërkova hetim institucional për abuzimet e ndodhura ndaj meje si dhe problematikat e ngitura nga unë. Kam shkruar për vite në shtyp për problematikat në arsim – përfshirë dhe padrejtësitë në institucionin ku punoja dhe për mënyrën se si këto janë mbuluar dhe zyrtarët e përfshirë janë mbrojtur, për dinjitetin e shkelur të mësuesit, për emërimet e kundërligjshme / abuzive të  drejtuesve te shkollës ku shërbeja e të ZVA Tiranë. Vërtetësia e tyre doli në procesin gjyqësor, ku gjykata  vlerësoi aktin e largimit tim si të paligjshëm, paçka se nuk u adresuan problematikat. Gjithsesi gjykatat le të vazhdojnë punën e tyre në vijim, nga Kryeministri kërkova veprim institucional dhe administrativ, në përputhje me ligjet e funksionimit tè shtetit, tashmë që gjërat janë më evidente dhe që përndjekja vazhdon e thelluar deri në mohim të shërbimit shëndetësor dhe luajtje me jetët e familjarëve.

 Qëllimi im nuk ishte thjesht rikthimi në punë, por ndalimi i një praktike të padrejtë që po ndëshkon dhe përndjek ata që guxojnë të flasin dhe po mbron ata që abuzojnë me pushtetin.

Nuk e bëra me iluzion se do të ndërhynte, por sepse besoj se përgjegjësia publike fillon me transparencën: t’ia vësh pushtetit në dijeni faktet, shkeljet dhe pasojat e tyre, ndërhyn apo jo mbetet përgjegjësi morale dhe institucionale e tyre.

Pas letrës sime, përndjekja ndaj meje dhe familjarëve të mi u shtua edhe më shumë, madje në mënyrë të hapur deri dhe publike. Edhe kjo, një tjetër provë që dinjiteti është ende larg dhe qeverisë nuk i intereson realisht dinjiteti i mësuesit dhe i qytetarit.

Rasti im: një kundërshembull i dhimbshëm mbi pretendimin për dinjitetin e rikthyer të mësuesit dhe këto deklarata nuk e fshijnë dot përndjekjen time.

Kur dinjiteti bëhet propagandë

Nuk është hera e parë që fjala “dinjitet” përdoret për qëllime politike. Në prag fushatash apo kur tronditet imazhi publik, zgjidhet rruga më e lehtë: fjala e bukur.

Fjalët e bukura jemi mësuar ti dëgjomë në fushata, por të thuash që “i kemi rikthyer dinjitetin mësuesit”, ndërkohë që:

Shkollat vuajnë nga pasiguria;

Rritjet e pagave janë simbolike;

Orët mbi normë nuk paguhen me vite;

Mësues të  keqpërdorur;

Mësues që diskriminohen – deri në trajtimin brutal në vendin e punës dhe ndëshkohen për bindje apo zë kritik;

Trajnimet janë lënë në dorë të agjencive private;

Mungesë transparence dhe meritokracie;

Mos përfshirja në vendimmarrie të parashikuara me ligj;

Mungesë të mjeteve minimale mësimore të domosdoshme –  deri dhe vizore, pa qoftë edhe një laptop për të zhvilluar një projekt e që mësuesit detyrohen të sigurojnë mjetet vetë ose përmes ofrimit nga prindërit për atë ditë;

Në shumë institucione – shkolla dhe ZVA, drejtues të paaftë apo të emëruar politikisht dhe abuzivisht – shumë vite të komanduar ose konkurse me fitues të paracaktuar, që ia vështirësojnë punën mësuesit;

… do të thotë të fshehësh realitetin nën një gjuhë që nuk i shërben as shkollës, as shoqërisë.

TALIS si propogandë qeveritare:

Përdorimi i anketës TALIS për të mbështetur idenë e një arsimi të suksesshëm është një tjetër mashtrim i butë. TALIS në vetvete mbetet anketë vetëvlerësimi, jo testim. Dhe ndërkohë që për TALIS u bë një prezantim i fryrë publik, për rezultatet zhgënjyese të PISA-s – 2024 u hesht për dy muaj dhe pas dy muaj u kalua vetëm me një prononcim të shkurtër në rang ministrie.

Madje, një tjetër aanketë e vitit 2024, zhvilluar në 43 shkolla shqiptare nga programi “EU4Schools” i zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Qeverinë, tregoi qartë se ka mangësi serioze në procesin e mësimdhënies për lëndët e teknologjisë – çka bie ndesh me retorikën për “shkolla digjitale” dhe “inteligjencë artificiale” në arsim.

Nuk mund të kemi shkolla inteligjente me mësues të lënë në harresë dhe pa infrastrukturë të përshtatshme.

Nuk mund të bashkëjetojnë klasa digjitale me analfabetizmin funksional të lenë harresë.

A do e mbrojmë mësuesin, apo do e përdorim?

Deklaratat për dinjitet janë përpjekje për të riparuar imazhin publik të një sistemi që ka dështuar të mbrojë figurën e mësuesit. Ndërkohë që përmendin dinjitetin, mësuesit në realitet heshtin nga frika, ikin nga sistemi ose mbijetojnë në të, pa asnjë siguri.

Kjo nuk është rikthim i dinjitetit. Kjo është një zgjatje e heshtur e padrejtësisë.

Drejtësi, jo dekorata fjalësh:

Unë nuk kam shkruar dhe nuk flas për të fituar mëshirë apo pozicion. Kam folur sepse e ndjej si detyrim qytetar dhe profesional, si nevojë për ta bërë detyrën siç duhet. Kam ngritur zërin tim edhe për ata që nuk kanë mundur ta bëjnë.

Dinjiteti i mësuesit nuk vjen nga fjala e bukur, por nga veprimi i drejtë. Dhe nuk ka arsim cilësor pa dinjitet të mësuesit. Nuk ka dinjitet pa drejtësi.

Mësuesi nuk kërkon lëvdata, por drejtësi. Ajo që qeveria i detyrohet një mësuesi të ndershëm, nuk është një fjali në konferencë – por një dinjitet i mbrojtur, një padrejtësi e ndalur dhe një vend pune i rikthyer, për ata të hequr padrejtësisht.

 Rikthimi i dinjiteti i mësuesit kërkon reforma të mirëstudiuara në përshtatje me realitetin e shkollës shqiptare, politika arsimore të orientuar drejt  dhënies së vlerës dhe autoritetit që i tskon mësuesit dhe bëjnë efektive punën e tij. Vetëm atëherë sistemi arsimor do të jetë i denjë për të edukuar brezat dhe arritje reale.