Albspirit

Media/News/Publishing

Hajri Mandri: KORABI BUZËQESH ME RETË

(Nga libri për botim “Vendlindja – vuajtje e ëmbël”)

KREU I

Secili vend, ka malin e vet
Arbëria – Korabin, me milarda vjet.
Në shpat të Korabit ka një pllakë gipsore
Shkruan të mëdhenjtë e njerëzisë shqiptare.

Korabi me faqet prej shkëmbi
Të ashpër si jeta e shqiptarëve
Të zhveshur si pema në dimër,
Ta kam ngulë vështrimin m’u në zemër.
Më vështro, sa shpejt m’i nxorre thinjat
E megjithatë, të dua, ashtu të ashpër,
Babagjysh i maleve shqiptare.

Brenda meje, pa ty,
Brenga mungesore dorovitet.

Në vendin e huaj
Jam njeri pa emër
Mbaj emrin e përbashkët “refugjat”
Emrin e lashë në vendin tim
Në ishullin e shqiptarizmës, në fshat.
Emrin e lashë shkruar në shkëmbej
Në plisat e tokës, në vlagën e grurit,
Me mishin prej dheu dhe kockën prej gurit.
Aty është emri im
Në shtetin e madh jam pa emër
Me diellin dhe qiellin prore
Me shpirtin në gjendje mungesore.

Paraja as luksi nuk më josh
Pa dashuri njerëzore.
Dhe vendit tim që i thërras “nënë”
Mbetur në hartë si hënë e ngrënë.

Hypur mbi kalin e baladës
Udhëtoj në viset e fëmijërisë sime
Krifat dhe jelet në ajër përdridhen
Si në guvat e gipsit, fosilet…

Nuk grindem me qeveritë
Më mirë me veten të grindem
Skaj më skaj jetës kërkoj pak dritë
Nxitoj e në lartësi përdridhem.

Kreu II

1.

Pishat me dëborë mbi flokë
Si gjyshet e moçme të fshatit tim.
Më e madhja pishë, si babagjyshi me dhurata.
Pisha e vogël,
Si vajza e vogël me pelluzhë.
Shkëmbi përballë me fytyrë tigri
Dhëmbët skërmit, lakmon ushqim dimri,
Të parët e mi,
Jetuan në varfëri
Vakti e han kashtën
Kur nuk ke liri.

2.
Në thëllimin e egër
vetëm Korabi mban kryet përpjetë.
Më përshëndet si bir
Buzëqesh me retë.
Në shpatmalin e Korabit,
Dibrani vë në dyzen një çifteli,
tendos telat në harmoni.
Asqerët me pamporë arritën,
Ulen në dhomë,
Mbi sexhaden me shqiponjë,
Taborret shohin shoshojnë
“Gjysma qajnë, gjysma këndojnë”!
Në grigjën e bjeshkës
në rrasën e gipsit të bardhë
Rrkaja vrushllon me vargje për ty, Korab!
Çiftelinë merr këngëtari
me shpirtin prej ari.
Vargje flamuri me lot e barot.

Në bjeshkët e Korabit:
Barin e njomë – shtrojë,
E erën – mbulojë.
Djemtë e Bjeshkës kanë nisë festën tënde.
Matanë Drinit mbi malet e Lurës,
Kundrojnë trimat me dorë mbi ballë,
Kepin e lirisë.
Kulla e Lisivalles pret Hasan Prishtinën,
Korabi tymos retë me blozën e shekullit,
Elez Isufi mejton për luftën e pranverës…
Liria thërret: – Suf Xhelil, ku je!
Ja do rrojmë të lirë,
Të lirë si shqiponja,
O shkretohemi krejt,
Me gur e me dhe!

A do kishin këtë bukuri
Me lulet që çelin në pranverë,
pa kullat dibrane ku qitnin flakë,
Njëzet pushkë njëherë?
Elez Isufi mejton e pi kafe
Në kullën e gjatë të Lisivalles
Me Misim Ahmetin e Ibrahim Gjoçin.
Sufa bante gati taborret e luftës
Me mësy Sorokolin.

3.
Mbi shpatull të Korabit
Sufa ka vënë dorë,
Të çlodhet nga lufta
në malet me borë.
Udhëtojnë dibranë mbi male, mbi pllaja
Me fëmijë mbi shpinë
Kërkojnë lirinë.
Dil, o diell, shkrije dëborën
Dil, o shi, gjelbëroje barin
Të dalin gratë të punojnë fushën,
Të dalin burrat, të marrin malin!

4.
Çfarë ka Drini që gërget
Elez Isufi vret e pret
Vret e pret taborrë ushtarë
Me krajli e pashallarë.
Dibra e Poshtme ndezi zjarre,
Ngrihet në këmbë Dibra e Madhe,
Bajlozi ka dalë në livadhe.
Del Elezi e Suf Xhelili
Del Elezi vetë i dyti
Ta lidh konopin për fyti!
O Bajlozi me spaleta
Zure n’thumb e re ndër shkrepa.
Ashtë ba Dibra gropa-gropa
Le ta marrë vesh Evropa
Këto gropa e instikame
Bajloz, janë për të zezën tande!

5.
Në Shkeka t’Shumbatit,
Oj Dibër e mjerë
T’u vra Osman Paci,
Me njëqin të tjerë…
Fati ynë i moçëm,
nyjë e shqiptarisë
Pyetje pa përgjigje
N’qiellin e lirisë.
Iku vera e nxehtë,
Fushës mblodhëm grurin
Në vjeshtë, me gjak,
e ngjyem flamurin.

6.
Qielli gri si shkrepat e Korabit.
Përrenjtë rakitikë thahen në verë.
Mbi kokën time reja e bardhë,
Si napë e lagur më freskon kët’ herë.
Poshtë Liqeni i Gramës malin pasqyron
Në pikëvesë zvogëlohet, Korabi si gogël.
Dekori shkëmbor si skenë teatri
Në dramat e qytetit tim të vogël.
Në këtë kreshtë të hirtë, shekujt
Gjyle topash lëshuan mbi ty.
Por ti mbijetove,
Me sytë nga Evropa.
Në sofrën e Paqes së Madhe për liri.

Kreu III

1.
Po vuaj Korab,
Po vuaj, të thashë,
“Hajt bir, s’ka dert
se ene vuejtja, ka dobinë e vet”!
Lodhja vjen pak nga pak.
Pleqëria vjen ngadalë.
Ne pranojmë se jemi plakur,
Pa zë dhe pa fjalë…
Nënave, gropat e syve
u mbushen me dritë dashurie.

2.
Qielli ul perden e zezë,
Njeriu të mos shoh njerinë.
Nata fsheh stinët, lulet.
Agu rikthen bukurinë…
Në një natë që s’ka mbarim,
Ti ike, baba, në amëshim.
Siç deshe ti, unë qëndrova
S’pate nevojë të më qortosh,
Të më mallkosh…

3.
Mbi jastëkun me ajër,
Kokën e mbështes,
Sikur dikush më mban
Pezull në qiell.
O dhembja ime e përjetshme,
Që emrin e ke nënë,
Ti vërtetë nuk bëre shkollë,
Kur më mësove
Që t’i dua kaq shumë të gjallët,
Dhembjen t’ua lehtësoj
Dhe atyre që s’i kam njohur.
O mësuesja ime analfabete,
O mësuesja ime e ditur
O dhembja ime e ëmbël,
Në çdo kohë, e mirëpritur!

Ah, sikur të isha ëngjëll
Dhembjen e trishtë
t’ua heq njerëzve të mi!
U ndamë nga të dashurit, nënë
Me lot e pa zë si delet manare
Por çdo ndarje paska lënë
Hapur një dritare.
Në dritaren që rri hapur,
hyjnë mëngjeset këtë vjeshtë,
Me vete i marr në rrugë, në punë
Në auditor, në bjeshkë.
Ti lë te çadra kur zhytem mes dallgësh
Dhe kur dal
T’i bart përsëri.
Uji i Korabit si verë e kantinës
Më vjen prej shekujsh,
Më bën më të ri.
Në kulmin e moshës
Kur dehesh e digjesh,
besnik vetes i qëndrova.
Në njërën botë vura këmbët
Në tjetrën fluturova.

4.
Pasi bie terri i natës
Vijnë të dashurit e mi.
Palë – palë ndër kujtime
Me gjumin ndër sy.
Kam takim deri n’mesnatë,
Ata vijnë nga bota e vjetër
Nganjëherë u them s’kam pritje
Dhe e shtyj për natën tjetër.
Dikush rri si murg i ngratë
“Ta takoj sonte patjetër”!
Jashta në oborr është natë,
Tundet lehtë e blertë një degë
Pret agun larë me flori
Pret diellin bojëshegë…

5.
Shumbati im i paqtë!
Nën këmbët e Korabit
Përcjellë të dashurit me ngashërimë e vaj,
Vdekja nuk është dita e fundit
Dashuria zgjat përtej saj…
Unë linda ditën e diel
Kur nëna dhe babai
nuk njihnin pushim javor.
Korabi i zbrazi stanet e bjeshkëve
Dhe zbritën deshtë me këmborë.
Nga janari në dhjetor, nga e hëna në të shtunë
pash më pash e mata jetën, doli afër 70 vjet
mata kohën e pambarimtë me vargje poezie
pashë që kisha jetuar pak
në fushat me lule, në malet me borë,
shumë kohë harxhuar mbi libra e shkresa
Për fjalën e duhur, për tituj shkencorë.
Por koha nuk qenka si fleta e bardhë
që shkruan, pastaj e ndreq e fshin
Koha kalon, lë gjurmët e saj
Në thinjat e bardha, si rrugë pa kthim.
U lodhëm duke menduar, si ta kuptojmë pushtetin
Si të mbrohemi e të fitojmë prej tij
E harrojmë të pyesim njëri-tjetrin thjeshtë:
Si je, o njeri?!
Shtypim emocionet drejtpeshojmë zemrën
për atë që duan
për atë që urrejnë.

Në kuaj të bardhë,
Kalorës të zinj,
Hingëllijnë në kohën tonë
rrokopujë mbi atdhe.
Dikush thërret jam Zeusi
Tjetri thotë jam Promete!
Prit, o njeri,
Ta përdorim mençurisht lirinë.
Mos u vdir në ëndërrat e fëmijërisë,
Je fshehur kuku e s’të gjej dot
Dil, o njeri, të dukemi se rrojmë
Te sheshi i betontë.

6.
Tutje Korabi shkund shpatullat me dëborë
Njatjeta Runjë,
Njatjeta Kurorë!
Në besë tuaj shpëtuam këtë herë,
E tretëm hasmin këtë verë!
Sa gjatë na shkoi për t’u çdashuruar
Dekadë më dekadë bëhemi më të mirë
Korabi, Tomorri e Mali i Sharrit
Mbi vargmalet tona erë deti fryrë.

Kur bën acar koha,
vuan dhe zengjini,
Fushën e Torviollit s’e ka shpëlarë Drini.
Pritëm me shekuj, me muaj me orë,
Erën e ngrohtë të vijë nga perëndimi.
Korabi i shkundi shpatullat me dëborë.
Sa herë zemërimi bie mbi male
Plagët e vjetra, skuqen si zjarre.

7.
Dielli mbi Korab drejt Perëndimit shkon
I hapi sytë bota.
Mos u mërzit, biri im,
Çdo fund ka një fillim.
Shpirtërat që duhen, një ditë do jenë bashkë.
Prit, mos ik, o njeri!
Sa të shërojmë plagët,
Bashkë shërohemi më shpejt.
Ikja është rrugë pa kthim.
Prit, duro të lutem, e mira po afron
E kuptoj se shpirti vuan,
Dielli mbi Korab, së shpejti agon.

Tetor 2025.