Ambasada shqiptare në Athinë: Vasil Dilo, një histori suksesi
Poeti, aktori, përkthyesi dhe ideatori Vasil Dilo është një tjetër figurë përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Greqi, një krijues që ka ditur të ndërthurë me mjeshtëri artin, kulturën dhe identitetin në të dyja brigjet e Adriatikut.
Lindur dhe rritur në qytetin-muze të Gjirokastrës, Vasili u dallua që në bankat e shkollës fillore për prirjet e tij artistike. Regjisori i Teatrit Profesionist të qytetit e aktivizoi që herët në teatrin e pionierëve, duke shënuar fillimin e një udhëtimi të gjatë në skenën shqiptare. Krahas pasionit për teatrin, ai shfaqi një dashuri të thellë për letërsinë, që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Në vitet e gjimnazit, në një shkollë ku kishin lënë gjurmë emra të mëdhenj si Kadare, Agolli dhe Bekim Harxhi, ai u zgjodh kryetar i rrethit letrar, duke u bërë zë i rinisë krijuese të kohës. Pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramatike, nisi një veprimtari intensive si aktor në Teatrin e Gjirokastrës, në Fier dhe në Kinostudion Shqiptare. Paralelisht, botoi shkrime letrare në gazetat më prestigjioze të kohës: “Studenti”, “Drita”, “Zëri i rinisë”, “Bashkimi”, “Pararoja”, si dhe në revistat “Nëntori” dhe “Skena dhe ekrani”. Për të kompletuar formimin e tij profesional, vijoi studimet pasuniversitare në dramaturgji.
Viti i madh i ndryshimeve, 1991, e gjeti Vasil Dilon familjarisht në Janinë, ku, përveç përpjekjeve për mbijetesë ekonomike, ai nuk iu nda pasionit për artin. Për dy vjet rresht realizoi për Radion Shtetërore të Janinës emisionin në gjuhën shqipe “Shkëmbime kulturore”, një nismë që shërbeu si urë mirëkuptimi mes dy popujve. Një takim i rastësishëm me aktoren e njohur Aliqi Vujuklaqi e çoi më pas në Athinë, ku nisi një kapitull të ri krijues.
Në kryeqytetin grek, krahas përpjekjeve të para ekonomike, Dilo themeloi Forumin Kulturor “Kazanzaqi – Kadare”, një hapësirë që për shumë vite promovoi dialogun artistik dhe kulturor mes shqiptarëve dhe grekëve, duke fituar respekt e vlerësim të gjerë nga artdashësit. Ai u aktivizua gjithashtu në kinematografi, duke marrë pjesë në filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, përfshirë projekte me aktorin legjendar Kadri Roshi.
Krijimtaria e tij letrare përfshin botimin në gjuhën greke të romanit “Nga njëra parajsë në tjetrën”, vëllime poetike dhe përkthime të shumta dygjuhëshe. Në krye të përkthimeve të tij më të spikatura janë romani “Kurora e tretë”, “Poema erotike” e Jani Ricosit, si dhe trashëgimia poetike e Safos, të cilat janë vlerësuar për besnikërinë ndaj tekstit origjinal dhe finesën artistike të gjuhës.
Për kontributin e tij në fushën e artit dhe kulturës, gjatë Olimpiadës Kulturore të vitit 2004, Vasil Dilo u nderua me Medaljen Përkujtimore për tërësinë e krijimtarisë së tij. Sot, ai mbetet një emër i dashur dhe i respektuar i komunitetit shqiptar në Greqi. Me punën e tij, ai ka dëshmuar se arti nuk njeh kufij. Dashuria për fjalën e bukur dhe për skenën mbetet universale.