Bekim Fehmiu: Ftesa për të vizituar Shqipërinë
Java e filmit shqiptar. I ftuar… Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti.
– A do të kishit ardhur te ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kamerës dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë.
– Me shumë dëshirë, nëse më ftoni!
Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç – Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”.
Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios” shqiptare. Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës, i projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër. Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i “Kinostudios”.
– A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit?
Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri.
– A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’jua plotësonim sa jeni në Shqipëri?
– Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën.
– Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? – Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete.
– Mirë! Do të shohim!
Më sistemuan në hotel “Dajti”, në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjera, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi. Filluan vizitat zyrtare. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë:
– Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge.
– Do të më bëhej shumë qejfi.
Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndihet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur: “A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…”. Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja.
– Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë.
Durrësi
Durrës. Teatri. Në fuaje, busti i Aleksandër Moisiut. Marr pjesë për herë të parë në një koncert me këngë e valle shqiptare. Zëra madhështorë, të shkolluar. Bukuria e atyre valleve të ngadalta për nga ritmi, por dinjitoze dhe, menjëherë më pas shumë të gjalla. Valltarët e veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe. Jam i emocionuar, thuajse më zihet fryma dhe jam shumë krenar që po më jepet rasti të shoh këtë bukuri. Më shpunë të njihem me anëtarët e Ansamblit. I përgëzoj dhe i falënderoj që më bënë të përjetoj këtë ndjesi të paharrueshme. Nuk e kisha ditur se në Durrës kishte një amfiteatër, madje edhe i madh sa ai i Koloseut romak. Është zbuluar vetëm një e treta. Shoqëruesit më takuan me arkeologun amator. Dridhet nga emocioni, duke më treguar një varëse të hollë prej ari, ku ishte varur një figurë në formën e gjethes së duhanit. Dridhet sa herë që e prek. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë kulturor, shpirtëror. Me sugjerimin e atyre që më shoqëronin, më dhuroi si pa qejf, një kopje të Afërditës të shekullit IV-V p.e.s.
Kruja
Vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Cili është ky gjeni, i cili arriti që për një çerek shekulli të ndalë fuqinë e pandalshme të Perandorisë Osmane dhe të mos e lejojë depërtimin e saj drejt Perëndimit. Kalaja e Skënderbeut, e cila dominon në tërë kodrën e qytetit, është e rikonstruktuar nga disa pjesë të saj të shekullit XIV.