Eva Vatoci: Mos i besoni askujt!
Mos i besoni askujt.
As miqve, as të afërmve, as kolegëve, as atyre që betohen se “janë ndryshe”.
Sepse njerëzit sot nuk lidhen me zemër, lidhen me interes.
Nuk afrohen për shpirt, por për përfitim.
Nuk kërkojnë afërsi, kërkojnë leverdi.
Të afrohen sa t’u duhesh, e të largohen sapo t’u mungon përfitimi.
Të lavdërojnë kur u shërben, e të përçmojnë kur nuk u duhet më.
Të shtrëngojnë dorën me buzëqeshje, ndërsa në mendje matin ku të godasin.
Të përqafojnë me dashuri të rreme dhe të therin me pabesi të ftohtë.
Tradhtia nuk vjen më nga armiqtë, ata janë të ndershëm në urrejtjen e tyre.
Tradhtia vjen nga brenda rrethit të ngushtë:
Nga miku që i ke dhënë gjithçka, nga i afërmi që ke ndihmuar, nga kolegu që ke ngritur lart, nga ai që betohej “jemi si motra”.
E kur të godasin, nuk dhemb plaga, dhemb njohja e dorës që ta shkaktoi.
Në këtë botë, lojaliteti është monedhë e vjetër.
Ndershmëria është përqeshur.
Të drejtët duken budallenj, të pandershmit quhen “të zotët e jetës”.
Në punë, kush s’manipulon, shtypet.
Në dashuri, kush dashuron sinqerisht, përdoret.
Në shoqëri, kush është i drejtë, përbuzet.
Prandaj, ngrini mure.
Mbani mendje të ftohtë, fytyrë të qetë, e zemër të fortë.
Mos tregoni gjithçka, mos i hapni plagët tek kush s’i kupton.
Mos u entuziazmoni nga fjalët, shikoni veprimet.
Sepse më i rrezikshëm se armiku që ju urren, është “miku” që s’ju do më, por s’e pranon ende.
Mos kërkoni drejtësi tek njerëzit, ajo është mbytur në interes.
Kërkoni qetësi për të mos u ndotur, distancë për të mos u helmuar, dhe kujtesë për të mos u mashtruar më.
Mos harroni këtë: Njerëzit nuk ndryshojnë papritur, ju thjesht i keni parë shumë vonë siç janë në të vërtetë.
Mos kërkoni sinqeritet në një botë që jeton me maska.
Përshëndetni me respekt, por mos ulni vigjilencën.
Sepse pas çdo fjalë të ëmbël, mund të fshihet një teh që pret momentin për t’ju goditur.