Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kosova dhe Mitologjia Serbe


Beteja e Fushë-Kosovës e vitit 1389, ndonëse një betejë ushtarake mesjetare është transformuar në shekullin XIX, në një mit të identitetit politik serb.
Kjo ngjarje, e rikthyer nga qarqet akademike dhe shtetërore serbe, u përdor si pikënisje për ndërtimin e një legjende që synonte të legjitimonte pretendimet territoriale mbi Kosovën, duke e paraqitur atë si “djep të Serbisë” dhe si hapësirë të humbur historikisht.
Në vitin 1844, Ilia Garashanini, ministër i brendshëm i Serbisë, hartoi platformën politike të njohur si “Naçertania”, e cila përfaqësonte një program të detajuar për zgjerimin territorial të Serbisë.
Pikërisht ky dokument, i mbështetur në referenca mitologjike dhe folklorike, synonte rikrijimin e Perandorisë së Car Dushanit dhe përmbushjen e “detyrave të papërfunduara” të ndërprera nga që nga beteja e vitit 1389.
Në këtë kontekst, historia u instrumentalizua si mjet ideologjik, ku mitet zëvendësuan faktet dhe folklori u përdor si bazë për ndërtimin e një identiteti politik ekspansionist.
Në kundërshtim me këtë narrativë, dëshmitë historike dhe etnografike tregojnë se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Kosovë shumë përpara shekullit XIV. Si pasardhës të drejtpërdrejtë të popullsisë ilire, shqiptarët kanë ruajtur vazhdimësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe kulturore në këto troje, pavarësisht proceseve të sllavizimit dhe pushtimeve të huaja.
Pas vdekjes së Car Dushanit në vitin 1355, principatat shqiptare si Balshajt, Dukagjinët, Kastriotët dhe Topiajt rifituan territore dhe u konsoliduan politikisht, duke dëshmuar vitalitetin e strukturave shqiptare në rajon.
Në betejën e Fushë-Kosovës, shqiptarët morën pjesë si pjesë e aleancës ballkanike kundër osmanëve, përkrah princit Llazar dhe mbretit Tvërtko. Kjo pjesëmarrje është dëshmi e qartë se shqiptarët nuk ishin aleatë të osmanëve, siç pretendohet nga serbët, por pjesë aktive e rezistencës ndaj pushtimit. Këngët epike shqiptare, të ruajtura në zonat ku ndodhi ngjarja, si në Drenicë, Prishtinë, Pejë e Rugovë, lartësojnë figurën e Milosh Kopiliqit si hero që vrau Sulltan Muratin, ndërkohë që këngët serbe për betejën u mblodhën në zona të largëta si Srem dhe Karlovac, duke ngritur dyshime mbi autenticitetin e tyre.
Gjatë shekujve XVI–XVII, një pjesë e popullsisë shqiptare u islamizua si pasojë e faktorëve socialë, ekonomikë dhe politikë, por kjo nuk ndikoi në zbehjen e identitetit kombëtar.
Ndryshe nga fqinjët, identiteti shqiptar nuk u përcaktua nga përkatësia fetare, por nga vazhdimësia etnike dhe kulturore.
Në vitin 1871, me ndarjen administrative osmane, u krijua Vilajeti i Kosovës me qendër në Shkup, ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë. Studiues të huaj si Ami Boué (1810), E. Spenser (1847) dhe J. Hahn (1853) dëshmojnë praninë shqiptare në troje që shtriheshin deri në Nish, Manastir, Janinë e Prevezë.
Mitologjia serbe për Kosovën, e ndërtuar mbi baza folklorike dhe e mbështetur nga qarqe akademike të shekullit XIX, nuk përfaqëson një të vërtetë historike, por një konstrukt ideologjik me qëllime politike.
Historiani i mirënjohur Selami Pulaha thekson se kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat akademike, por ka shërbyer si instrument për mohimin e autoktonisë shqiptare dhe falsifikimin e historisë.
Si përfundim, Kosova nuk është mit, as simbol i humbjes serbe.
Ajo ka qenë dhe mbetet një hapësirë historike e banuar nga shqiptarët, me rrënjë të thella etnike, kulturore dhe gjuhësore. Rikthimi tek e vërteta historike është domosdoshmëri për të ndërtuar një narrativë të drejtë dhe të bazuar në fakte, e jo në mite e legjenda.