Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Asllani: Mirënjohja për UNESKON si gjesti më fisnik i mirësjelljes gjirokastrite!

Kjo foto është shkrepur në Paris Tetorin e vitit 1998 në një nga sallat e Pallatit të Burbonëve!

Ka qenë momenti i paraqitjes të kërkesës për përfshirjen e Gjirokastrës në UNESKO prej meje si Kryetar i Bashkisë së qytetit!

Bashkë me Ismail Kadarenë, Ambasadorin Jusuf Vrioni dhe bashkëshorten time Zamirën, në këto foto kemi dhe dy nga lobistët tanë për hyrjen e Gjirokastrës në UNESKO, miqtë e mi francezë Paskal Hamon i shoqatës së miqësisë Francë – Shqipëri dhe Eveline Noyages nga Ministria Franceze e Kulturës dhe ‘La maison de culture du monde’.

Me Paskalin, Evelinën, atasheun kulturor të Ambasadës së Francës në Tiranë Michel Tarran, si dhe personalitetin francez të monumenteve Bernard Buzu, në fillim të vitit 1998 hartuam planin e parë se si do të shpërthenim murin rrethues të UNESKOS, për të paraqitur kërkesën e Bashkisë Gjirokastër para drejtuesve të Institucionit Botëror të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të njerëzimit!

Pak është folur për kontributin e tyre, ndaj gjej rastin sot t’i shpreh mirënjohjen gjirokastrite për vlerësimin, përkushtimin, mbështetjen e mençur dhe diplomacinë e hollë në favor të kandidaturës së Gjirokastrës në pasurinë kulturore të njerëzimit! Në shtesë do t’i uroja gjithashtu punë të mbarë Z. Michel Tarran, i cili aktualisht është rikthyer në Tiranë me misionin e Kryetarit të Prezencës së OSBE në Shqipëri!

Me pak fjalë ideja e grupit tonë nismëtar ishte, që përtej formalizmave burokratike shtetërore të synonim dorëzimin e Dosjes së Gjirokastrës drejtpërdrejt në zyrat e UNESKO-s, nëpërmjet një Konference sensibilizuese në Paris, para një auditori me të gjithë ambasadorët evropianë të akredituar në selinë e UNESKOS. Kjo do të ishte dhe zgjidhja me origjinale, por dhe me efikase e me vlerë.

Pasi përgatitëm materialet si bashki dhe institut i monumenteve, u ftova për një trajnim një muaj nga Ministria Franceze Kulturës. Kohë kjo që do të na shërbente për lobing dhe përgatitje për konferencën kushtuar Gjirokastrës!

Kështu me Dosjen e Gjirokastrës ne dorë, Tetorin e vitit 1998 udhëtova posaçërisht drejt Parisit për të dorëzuar kërkesën për përfshirjen e qytetit në gjirin e UNESKO-s. Konferenca u zhvillua në pallatin historik të Burbonëve, ku mblidhet Asmablea Kombëtare e Republikës së Francës.

Në rrokopujën e 97-tës, në fakt kërkesa jonë modeste, më tepër se një medalje për bukuritë e humbura ishte një sinjal alarmi për frenimin e shkatërrimeve të vlerave monumentale të qytetit. Jo pa qëllim dosjen e dorëzuar pranë autoriteteve të UNESKO-s e quajtëm ”Gjirokastra Sos”.

Në atë konference me vete kisha një dosje të kompletuar nga bashkëpunëtoret e mi, inxhinierët e talentuar të bashkisë Arben Lenja, Pilo Koçi e Njazi Çobani si dhe nga specialistët e mirënjohur të monumenteve të kulturës Emin Riza, Artan Shkreli, Eli Buka, Latif Lazimi e Jorgo Xuhano.

Në konferencë u kujdesëm që krahas shefit të UNESCO-s Fredriko Major dhe trupit diplomatik të merrte pjesë gjirokastrit i famshëm Z. Ismail Kadare, ambasadori ynë në UNESKO Z. Jusuf Vrioni, natyrisht lobuesit francezë të larpërmendur si dhe shumë dashamirës e studentë të Gjirokastrës ne Paris si Ilda Mara, Kosta Kuruni etj

Nga debati në konferencë konstatova se qyteti ynë dhe sidomos banesa gjirokastrite ishte simolika arkitekturore më e dashur për të gjithë të pranishmit. Ndërkohë Kadareja ishte idhull letrar i pothuajse të gjithë të pranishmeve dhe kishte padyshim një ndikim të padiskutueshëm.

Në përfundim të Konferencës Z. Frederiko Major, Drejtor i Përgjithshëm i UNESKO-s pasi vlerësoi shqetësimin, më njohu me bashkëpunëtorët e tij dhe theksoi hapat e mëtejshme që duhet të bënim, si dhe na siguroi për angazhimin e tij në ndjekje të problemit… Pranimi në UNESKO fillon me përmbushjen e detyrave tuaja, theksoi Frederiko Major.

Kështu në kthim, krahas vlerësimeve e solidaritetin për qytetin, kishim me vete edhe fishën e detyrave si qytet përfitues dhe paketën e plotë teknike që duhet të plotësonim, piketat për lobingjet e mundshme si dhe hartën e rrugës sonë të re që duhej të përshkonim.

Na duhej pas kësaj te ndiqnim skenarin e rekomanduar tyre.

– Sa kohë u desh deri në pranimin përfundimtar?

Paraprakisht do të theksoja se përpjekja jonë nuk ishte thjesht një retorikë apo një lutje e emcionale, por një marrje përgjegjësie dhe detyrash të vështira!

Në Tetor 1998 udhëtimi drejt UNESKO-s sapo kishte nisur dhe rruga ishte e gjatë. Do të duheshin edhe 5-6 vite të tjera përpjekje në arritjen e qëllimit.

Projekti dhe dosja e parë e aplikimit zyrtar u përpunua në periudhën 1998 – 2000 nga bashkia e Gjirokastrës. Deri në vitin 2001 përpjekjet e Bashkisë sonë ishin të vetme dhe ne i realizuan gjithë kërkesat që na takonin si qytet përfitues.

Duhet theksuar se UNESKO nuk mund të trajtonte kandidatë pa plotësuar disa kushte paraprake.

• Së pari qyteti duhet të kishte një plan menaxhimi urban dhe planifikim territori, i cili duhej harmonizuar me idenë dhe rregulloren e ruajtjes së vlerave të trashëguara.

• Duhej së dyti do të duhej rekomandim zyrtar nga qytete apo site monumentale të përfshira në listën UNESKO.

• Së treti duheshin gjetur dhe kontraktuar specialistë ndërkombëtarë të certifikuar nga UNESKO të gatshëm për të dhënë asistencë teknike për Gjirokastrën.

Të tre këto kushte ne i plotësuam brenda 2 vjetëve me ndihmën e miqve te qytetit të cilët nuk mungonin edhe në sferat më të larta të vetë UNESKO-s.

Këtu gjej rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe rekomandimin qe dhanë Ministria Franceze e Kulturës, ICOMOS-i Italian dhe Grek, Prof. Pierre Cabanes, Bashkia Materës në Itali, Bashkia Athinë me kryetar Dhimitër Avramopullin, Universiteti Peskarës, studio Fabricio Toressi, Fondacionin Pakard si dhe në veçanti Rajoni Markeve me mikun tim të dashur Kryetarin Massimo Rosi, të cilët në këtë kuadër realizuan:

-Hartën aerofogrametrike, -Studimin sizmiologjik, -Projekt Rregulloren dhe Hartimin e Planit të menaxhimit te zonës historike, si dhe – Pasaportizimin e te gjithë monumenteve kategorisë së parë e të dytë të Gjirokastrës

Pas vitit 2001 largimi i stafit të parë të bashkisë do ta vështirësonte perspektivën. Qeveria dhe posaçërisht ambasada jonë në UNESKO ende nuk ishte përfshirë institucionalisht. Duhej patjetër që dikush të vazhdonte zyrtarisht partneritetin…

Ishte fat, që kontaktet teknike mbuloheshin në IMK nga më i madhi restaurorëve për Gjirokastrën Z. Emin Riza, si fakti që në vitin 2001 në UNESKO fillon misionin si ambasadore Zj. Tatjana Gjonaj. Ajo si diplomate dhe vajzë gjirokastrite do t’i jepte impulse dhe dinamizëm projektit, si dhe do të realizonte me mjeshtëri një diplomaci efikase deri në arritjen e objektivit përfundimtar!

Presidentët Mejdani, Moisiu, kryeministri i kohës Meta pas kësaj do të vizitonin selinë e UNESKO-s dhe do t’i jepnin një ritëm të ri kauzës gjirokastrite. Ndërkohëm mund të them se dhe kapacitetet vendore kanë qenë në ëdo kohë në lartësinë e kërkesave të projektit.

Nga ana tjetër fondacioni ‘Gjirokastra’ drejtuar prej intelektualëve Kadare, Agim Mero, Naxhi Kasoruho, Moikom Zeqo, Roland Çene, Baftjar Dobi dhe shumë të tjerë do krijonin një sensibilizim në krejt institucionet e vendit dhe ato të huaja…

Vendimin përfundimtar për shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore, e mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005.

Cili ishte reagimi UNESKO-s pas këtyre hapave nga bashkia e Gjirokastrës?

Pasi plotësimit të kritereve dhe detyrave të bashkisë erdhi sinjali shumëpritur i pranimit prej Drejtorit të Përgjithshëm te UNESCO-s, japonezit Koichiro Matssura!

Ne Shtator te vitit 2001, Shefi UNESKO-s erdhi posaçërisht në Gjirokastër edhe me nxitjen e idhullit të tij Ismail Kadaresë. Aty ai deklaroi se Gjirokastra meritonte të hynte në Listën e Pasurive Botërore dhe Dosja ka kaluar për shqyrtim, dhe për më tepër ka përkrahjen e tij dhe stafit të UNESKO-s!

Këto hapa do të zgjonin interesin tashmë edhe të qeverisë shqiptare të kohës, duke u përfshirë diplomatikisht, nëpërmjet inisiativës efikase të ambasadores sonë në UNESKO Zj. Tatjana Gjonaj.

Në vitin 2003 dosja e Gjirokastrës do të kërkohej të elaborohej me tej nga, ekspertët e UNESKO-s drejtuar nga prof. Emin Riza si dhe ekspertë të licencuar ndërkombëtarë.

Maj 2004, vizitojnë Gjirokastrën 5 ekspertë të UNESCO-s, të cilët verifikojnë nga afër problematikën e ruajtjes së monumenteve të këtij qyteti.

Në këtë delegacion bënin pjesë ish-drejtori i UNESCO-s për Evropën Juglindore Horst Godicke, arkeologu francez Prof. Pierre Cabanes, Sekretari i Përgjithshëm Ndërkombëtar i ICOMOS kanadezi Dinu Bumbaru, bizantologu italian Gianclaudio Macchiarella dhe përfaqësuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, kroati Damir Dijakoviç.

15 Korrik 2005 erdhi vendimi përfundimtar i pranimit pas një lobimi impresionues, në veçanti të ambasadores sonë në UNESKO Zj. Tatjana Gjonaj.

Koha vërtetoi se benefitet ishin të pa imagjinueshme!

Nga 15 Korriku 2005 qyteti nuk është më i vetëm në përpjekjet e tij për mbijetesë! Përfshirja në UNESKO i ofroi mundësinë e një zhvillimi të ri e të qëndrueshëm, në bazë të të cilit do të ishte industria e turizmit kulturor. Prezenca në UNESKO i dha një dimesion të ri ëndrrës së magjisë gjirokastrite dhe nëse përdoret me racionalitet do të jetë një garanci për një zhvillim afat gjatë.

Faktori UNESKO-s e ka shndërruar atë në një treg kulturor të kërkuar dhe po e bën edhe më tepër tërheqës për donatorët dhe investitorët. Mendoj se nëpërmjet turizmit duhet të marrin jetë edhe shumë degë të ekonomisë si agro-biznesi, manifaktura, nënproduktet blegtorale dhe gjithë. Në fushën e turizmit në këto 20 vjet ka patur një rritje galopante. Nga 10 mijë turistë në vit numri tyre ka shkuar në 350 mijë, me tendencë rritje. (Pa marrë parasysh këtë vit…).

Numri i hoteleve është rritur nga 5 hotele në gjendje jo të mirë në mbi 25 hotele të shkëlqyer dhe përshtatjen e 2030 Gest House në gjithë qytetin. Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar në banesat karakteristike…

Gjithashtu është rritur ndjeshëm vëmendja e donatorëve. Banka Botërore, Fondi Shqiptaro-Amerikan, Dojce Bank dhe shumë agjensi investuan miliona dollarë në monumente, infrastrukturën dhe shërbimet publike të qytetit. Nëpërmjet fondeve të tyre u restaurua Pazari Gjirokastrës, Keshtjella, Rrjeti inxhinierik i ujësjellësit e kanalizimeve, Ndriçimi monumental, Sinjalistika, Parkingu nentokësor në Sheshin e Çerçizit etj…

Nga një qytet shpresëprerë Gjirokastra ka kapur fillin e një zhvillimi të ri me qendër turizmin kulturor.

Pavarësisht vështirësive të momentit, Gjirokastra do të jetë e aftë t’u sigurojë brezave të ardhshëm mbijetesën dhe do të nxisë dëshirën për ta vizituar dhe jetuar në këtë qytet.

Të dashur miq!

Kjo është arsyeja që hera-herës kthehem pas në vite për të falenderuar të gjithë ata që na ndihmuan dekada më parë, atëhere kur qyteti po braktisej, dëmtohej prej vetë nesh dhe ndodhej pranë agonisë!