Fondacioni Çamëria, takim me Komitetin Danez të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
Përfaqësues të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, zhvilluan të martën, 28 tetor 2025, një takim me Leif Lonsmann dhe Tea Hodaj, përfaqësues të The Danish Helsinki Committee for Human Rights (Komiteti Danez i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut), me seli në Kopenhagen dhe me përfaqësues të The Danish Foreign Policy Society, (Shoqatës daneze të politikës së jashtme), Mathilde Louise Nielsen dhe Felipe Oscar Bonilla Branner. Fokusi i takimit ishte çështja çame.
-Prezantimi i punës dhe veprimtarisë së Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”;
-Një pasqyrë e detajuar e historisë së Çamërisë dhe kontekstit aktual të çështjes çame;
-Prezantimi i dosjes së përgatitur nga Fondacioni për ndërkombëtarizimin e çështjes çame dhe rezoluta e firmosur nga bashkëatdhetarët në Breshia, Itali.
Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, i njohu miqtë danezë me çështjen çame, si një dimension i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare shqiptare, që ende pas 81 vitesh, nuk ka marrë zgjidhje. Për popullsinë çame, theksoi ai, principet e humanizmit dhe të drejtat e njeriut janë thelbi i demokracisë, lirisë dhe triumfit të miqësisë mes popujve, duke theksuar se Athina zyrtare duhet të gjejë kurajën të çlirohet nga kompleksi i gjenocidit dhe irracionaliteti në trajtimin e kësaj çështjeje.
Përfaqësuesit e The Danish Helsinki Committee for Human Rights dhe të The Danish Foreign Policy Society, shprehën interes mbi ndikimin e çështjes çame në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe habinë e tyre se pse një krim, kaq i qartë dhe i dokumentuar, nuk ka gjetur ende mbështetje nga shteti shqiptar.
Në përfundim të takimit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” dhe universiteteve në Danimarkë, për ta bërë çështjen çame objekt studimi, si dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile për ta çuar përpara drejt zgjidhjes çështjen çame.