Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata Supreme hedh poshtë padinë për mbulesën islame në shkollat e Kosovës

Gjykata Supreme e refuzoi një padi që kërkonte lejimin e shamisë islame në shkolla, duke konfirmuar autoritetin e Ministrisë së Arsimit për rregullat e veshjes. 

Padia u ngrit nga Rrjeti “Arrita”, i cili argumentoi se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit. 

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë të mërkurën një padi që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame në shkollat e Kosovës, duke konfirmuar se Ministria e Arsimit e ka në dorë të vendosë për rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla. 

Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” i kishte kërkuar Supremes ta shpallte të paligjshëm dhe ta shfuqizonte nenin e udhëzimit administrativ 06/2014 të Ministrisë së Arsimit (MASHT) në lidhje me kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta. 

Rrjeti kishte argumentuar se udhëzimi administrativ në fjalë nuk mund ta ndalonte ushtrimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë islame, e njohur edhe si hixhab. 

Ky rrjet tha në padi se në katër vjetët e fundit kishte pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë në kokë. 

Në shtator të vitit të kaluar, autoritetet e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë e kishin larguar nga procesi mësimor një vajzë me inicialet A.D., për shkak të bartjes së shamisë. 

Supremja tha se padia ishte e pabazuar, duke shtuar se Ministria e Arsimit ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. 

“Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”, thuhet në njoftim. 

Në udhëzimin administrativ 6/2014 të MASHT-it, në nenin 3, thuhet se nxënësve u ndalohet “bartja e uniformës fetare” në shkolla, por nuk specifikohet se çka nënkupton ajo uniformë. 

Rrjeti, në padinë tij, gjithashtu kishte argumentuar se Kushtetuta e Kosovës ua mundëson qytetarëve lirinë e besimit dhe të drejtën për ta manifestuar fenë. 

Kushtetuta, gjithashtu, saktëson se “liria e manifestimit të fesë, besimit dhe ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”. 

Kufizimi “vetëm me ligj” i të drejtave dhe lirive që burojnë nga Kushtetuta, saktësohet edhe në Nenin 55 të aktit më të lartë juridik të Kosovës.