Ismet Hajrullahu: Dekorimi i Gjergj Fishtës
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Osmani, si autoriteti më i lartë institucional, që përfaqëson unitetin kushtetues e kombëtar, ka mundësinë dhe kompetencën për t’i akorduar dekoratë shtetërore, personalitetit dhe njërit nga figurat më emblematike të kombit tonë, At Gjergj Fishtës!
Fishta si një klerik e poet i shquar, renditet në një nga figurat më themelore të ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Vepra e tij, unike në llojin e vet, “Lahuta e Malcis”, përfaqëson në vetvete rezistencën e kombit shqiptar.
Në këtë aspekt, Fishta nuk i përket vetëm një epoke të lavdishme të së kaluarës, por është një zë i fuqishëm që sfidon të tashmen dhe të ardhmen.
Kosova, si një shtet i ri që synon të konsolidojë identitetin e vet institucional dhe kulturor, nuk mund të mbetet indiferente ndaj figurave që kanë kontribuar fuqishëm në formësimin e qenies shqiptare.
Fishta, në vargjet e tij, e përmend Kosovën si pjesë organike të narrativës së rezistencës dhe të sakrificës së një populli të tërë.
Nderimi i figurës së tij nga Presidentja e Republikës së Kosovës është një nder i madh që i bëhet atij dhe mbarë kombit.
Dekorimi i Fishtës nga Presidentja e Republikës së Kosovës do të ishte një akt që flet për maturinë e shtetit, për aftësinë për të njohur dhe për të vlerësuar kontributet që kanë formësuar qenësinë tonë, si pjesë të pandarë të një trashëgimie të përbashkët kombëtare.
Nëse duam që Kosova të jetë shtet me identitet, me kulturë dhe me institucione që nderojnë vlerat, atëherë duhet të fillojmë nga nderimi i atyre që na kanë dhënë gjuhën, mendimin dhe frymën e bashkimit. Dhe pikërisht, Gjergj Fishta është një prej tyre, dhe është koha e momenti i duhur që ai të nderohet siç e meriton, duke e vendosur atë në panteonin e ndërgjegjes sonë kombëtare.