Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko dhe eseistika e tij te “Kompleksi i Klitemnestrës”

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Ashtu siç shfaqet si poet, një poet i thukët, befasues në detaje dhe mjeshtër në përdorimin e mjeteve artistike, po kaq befasues vazhdoni të jeni në çdo prurje të re librore, për shkakun e një kujdesi dhe hulumtimi të imët që librat tuaj kanë në klimën letrare dhe kulturore të librit të ideve letrare.

Horizonti eseistik, një formë e rëndësishme e komunikimit elitar estetik dhe tematologjik përmes leximit të letërsisë dhe autorëve, pas viteve ’90, ka profiluar mirë Ismail Kadarenë, Moikom Zeqon, por edhe profesor Sadik Bejkon, i cili ndryshe shumë autorëve të tjerë që rreken të merren me esenë, e ka promovuar atë në nivelin e dijeve universitare, duke i dhënë esesë një status të rëndësishëm.

Në këtë veprimtari shkrimore, studimore, hulumtuese dhe e pleksur me idetë më të mira të letërsisë, dhe ato bashkëkohore letrare, profesor Bejko shfaqet erudit, elitar, i kultivuar mirë kulturalisht, i talentuar, polemist, qytetar dhe bashkëkohor, çfarë i afron krijimtarisë së tij një status të kompletuar bashkëkohor.

Libri eseistik “Kompleksi i Klitemnestrës”, ashtu si libra të tjerë përfshin ese, një përvojë e njohur e Juaja për shkakun edhe të qenit lektor universiteti, studime në të cilët prezantohen zbulesa interesante për fenomene, autorë dhe lexime të teksteve letrare, përmes kamparativizmit dhe kontekstit dhe përqasjes, të cilat mbartin një kujdes për të ridimensionuar profile, vepra dhe autorë. Është një libër që mbart një nevojë të veçantë leximi, pasi libri duke qenë i veçantë dhe i guximshëm për shumë çështje, dukuri dhe fenomene e bën profilin Tuaj komunikues në sfidat e ideve letrare bashkëkohore. Kjo i bën mirë letërsisë, leximit të saj dhe rishikimit të saj.

Libri “Kompleksi i Klitemnestrës”, që natyrisht mbart simbolikën komplekse të njërës nga figurat më të debatueshme të mitologjisë antike është strukturuar komunikues, ku veçmas në të gëlojnë idetë dhe rishqyrtesat që nga motivet biblike, siç është “Psalmi 137”, refleksione mbi Hasan Zyko Kamberin, At’Ali Tomorin, Konfucin, at’ Anton Harapin, Musine Kokalarin, Nënë Terezën, shqyrtesën mbi krimet serbe në Kosovë, Nazim Hikmetin, Trifon Xhagjikën, Fatos Arapin, Sherif Merdanin, Sejfulla Malëshovën, Faik Ballancën në raportet që ata krijojnë me veprën e tyre, por edhe dialogët dhe debatet e shkëlqyer që ringjall profesor Bejko me autorë të caktuar, si: Xhevat Lloshi, Basri Çapriqi, Kadare, Genc Leka, Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Petrit Ruka, Koçi Petriti, Luljeta Leshanaku, Klara Kodra, profilin e aktores Margarita Xhepa, por edhe fenomene të tjera.

Pra, libri kompleks “Kompleksi i Klitemnestrës” zë një hapësirë dhe një shtresë të gjerësishme të leximit, krijimit, njohjes, kritikës, studimit dhe të marrëdhënies me librin artistik dhe kulturën që ai çliron në një vend si Shqipëria, e cila mbart një kompleks të çuditshëm nga e kaluara e hershme dhe nga kjo e ditëve tona.

Ndoshta, ashtu si mua, libri në syrin e parë të afron hiret e veta nga një sy vertikal, dhe lexuesit e tjerë në një sy vertikal i afrohen “Kompleksit të Klitemnestrës” për të gjetur patjetër diçka që i duhet, dhe në këtë rast ky libër mbart kohën dhe interesimin e njeriut për të.

E thashë këtë, për të sjellë në vëmendjen Tuaj, disa mendime të thjeshta, për katër-pesë shqyrtesa, që profesor Sadiku, përveçse si studiues i imët dhe i hollë, ka shpërfaqur më së miri dhe vetë metaforën e librit me ese, e cila përmes shtatëdhjetë titujsh në të, përpiqet të sjellë një përvojë interesante mbi leximin e letërsisë, pasi letërsia duhet ditur të lexohet.

Eseja “Psalmi 137, Bogdani dhe temat biblike në poezinë shqipe” është ndoshta një nga temat e rëndësishme, e cila në të ardhmen do të kërkojë një shqyrtesë më të gjerësishme, pasi ajo lidhet me një tregues fondamental të poezisë si lloji më i hershëm dhe më i rëndësishëm i letërsisë në konceptin universal, që nga krijimi i parë i këtij lloji e deri sot. Duke risjellë në vëmendje poezinë “Veshunë me diell, mbathuni me hanë” të Bogdanit, e vlerësuar nga studiuesit e sotëm si një kryevepër e poezisë shqipe, profesor Sadiku, përveçse sjell një të vërtetë të madhe, ku autorë të njohur që nga Homeri, Dantja, Gëtja, Hygoi, Virgjili, Eskili, Euripidi, Dostojevski, Çajupi, Noli, kanë qenë të lidhur me burimet biblike, vendet biblike, personazhet biblike dhe veprimet biblike.

Por, Bogdani, duke qenë poeti i parë dhe më i rëndësishëm i këtij burimi, ende nuk njihet dhe interpretohet si i tillë, gjë që do t’i jepte poezisë shqipe një kohezion dhe një bashkëkohësi evropiane, prandaj përmes një shqyrtese të hollë dhe një shtegtimi njohës, debutues gjithsesi, autori arrin të sjellë një frymë bashkëpunimi dhe burime fondamentale të leximit të poezive të kësaj natyre, pasi nuk ka pasur autor të njohur dhe të rëndësishëm të kohëve, të mos jenë lidhur me burimet biblike, për shkakun e së cilëve letërsia mbart dhe fenomenin e metamorfozës.

E kësaj natyre, por e mishëruar në një këndvështrim më historik është eseja me titull “Keqardhje dhe humor i zi i poetit me heroinën e tij”, një shqyrtesë interesante mbi poezinë e Ali Asllanit “Zonja Lu”, një poezi që mbart një subjekt dhe një përplasje karakteresh, përmes një ngjarjeje, njëra në Kinë dhe tjetra në Vlorën e poetit Ali Asllani, ku njeriu, veçmas femra, një femër e martuar, të cilës i vdes burri dhe ajo në njërin rast betohet, se nuk do të martohet dhe në rastin tjetër, ajo mund të rimartohet vetëm me varrin. Mendoj se eseja i ka dhënë një horizont tjetër të rëndësishëm poezisë së Ali Asllanit, e cila përveç lirizmit, satirës, pezmatimit dhe ironisë, i shtohet ajo e karaktereve femërore, ku natyrisht shquan Hanko Halla.

Kujtesa, dhimbja dhe nderimi për Musine Kokalarin vjen përmes esesë biografike “Musine Kokalari”– ikonë e opozitës antitotalitare, shkrimtarja e parë në historinë e letrave shqipe”, pasi Musine Kokalari më së pari ishte shkrimtare, me librin e saj të parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim për jetën, pastaj librin e dytë “Rreth vatrës”, pastaj libri “Jeta ime universitare”, një libër autobiografik, një libër me jetë, me grimca të bukura të një dashurie për një djalë italian, në epilogun e të cilës, ka deklaruar, se “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim!” e përshkojnë 16 vite burg dhe 22 vite internim dhe një vdekje e egër dhe e dhimbshme, e vetmuar dhe pa njohur ngrohtësinë familjare. Përveç një konteksti të gjerësishëm dhe të njohur, eseja është një refleksion i raportit të kohës me shkrimtarin/en, pa i shkëputur dot pjesën ideologjike që ajo mbart.

Po kaq rëndësi në letrat shqipe është dhe eseja “Xhevat Lloshi, një studim me rëndësi për historinë e gjuhës shqipe” në vëmendjen e të cilit vjen historia e botimit të parë të Dhjatës së Re’ në gjuhën shqipe në vitin 1827.

Përkthimi i librit më të rëndësishëm në historinë botërore, të librit të shenjtë “Dhjata e Re” në shqip ka historinë e tij, dhe kontekstin e gjerësishëm të historisë së tij, i cili na e ka sjellë në librin “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827” profesori dhe akademiku Xhevat Lloshi, një mendje e çuditshme në prurjet filologjike dhe letrare shqipe. Profesor Bejko ka reflektuar një këndvështrim analitik për këtë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm librin e përkthyer, i cili ka jetuar pa asnjë kujdes të veçantë në arkivin e Shoqërisë Biblike në Londër, siç tregon profesor Lloshi, i cili kontaktin e parë me Dhjatën e Re” të V. Meksit dhe redaktorit të saj në shqip e ka pasur në vitin 1972, por edhe vendin që zë libri në kulturën e librit në Shqipëri. Kjo është një dëshmi e rëndësishme për shqipen në gjuhët e botës, që krahas gjuhëve më të rëndësishme është përfshirë në listën e ndritur të përkthimeve të librit të shenjtë biblik “Dhjata e Re”.

Eseja e gjerësishme dhe konteksti që bashkon përkthimin e “Dhjatës së Re” dhe librin që profesor Lloshi shkruan për të, duke ndriçuar jo vetë librin e përkthyer që në vitin 1827, por leximin e tij në librin e tij “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827” të Lloshit, përbëjnë një moment të rëndësishëm të librit në fjalë, për të cilët flet shqyrtesa e profesor Sadik Bejkos në librin eseistik “Kompleksi i Klitemnestrës”, duke i dhënë vendin, peshën, rëndësinë dhe vlerësimin dy librave në fjalë, njëri i vitit 1827 dhe tjetri i ditëve tona.

Kadare nuk mungon kurrë në punën studimore dhe refleksionet gjithë- llojesh të Bejkos për shumë arsye, qofshin ato të raportit të letërsisë me kohën, qofshin ato të mjeshtërisë së të shkruarit, të temave të rëndësishme që reflektojnë nyjet e historisë dhe kohëve, por edhe atë që është më e rëndësishmja, e njohur,- raporti i shkrimtarit me pushtetet. Një histori e tillë në forma të ndryshme është e lashtë që kur në tokë u shfaq poeti dhe shkrimtari i parë.

Eseja, që është ndërtuar mbi poezinë “Valle shqiptare” të Ismail Kadaresë, e Sadik Bejkos, i ka lejuar këtij të fundit të baresë në histori, në kulturën kombëtare shqiptare, nëpër prerjet kohore, në zbulesat që nga primitiviteti e në vazhdim, në zbulimin e lëvizjeve dhe simbolikat që mbartin të gjitha nyjet simbolike që pleks një valle nën hapësirën mes qiellit e tokës, që poezia në fjalë i ka në strofat e vargje sa epike po kaq lirike të Kadaresë. Por mjeshtërisht profesori na jep çelësin e leximit të kësaj poezie, përmes esesë me titull “Vallja shqiptare e Kadaresë” nën shqyrtesën e shënuar prej tij “Semiotika dhe arketipi në poezinë ‘Valle shqiptare”, e përthyer në shenjat, konvencionalitetet dhe traditat apo trashëgiminë e valles, në poezinë e Kadaresë.

Ndërsa eseja e titulluar “Territoret e sunduesve” flet për librin e Kadaresë “Kur sunduesit grinden”, një libër që shtjellon raportin e shkrimtarit me pushtetin. Kadare e ka njohur mirë historinë e poetit dhe shkrimtarit të madh rus, një nobel i pakurorëzuar si Pasternaku, ashtu dhe të shkrimtarit Madelshtam, të dy të ikur nga kjo botë nga armiqësia e pushtetit me shkrimtarët. Eseja është e gjerësishme dhe zbërthen në detaje dhe në një lexim të imët metaforën kontekstuale të raportit të shkrimtarit me shtetin diktatorial dhe totalitar, një plagë dhe dramë, në jo pak raste një tragjedi që nuk iu mbyll kurrë botës.

Libri eseistik “Kompleksi i Klitemnestrës” i bën mirë letërsisë shqiptare,- leximit përtej tekstit, që jo pak autorë duhen parë në librat dhe profilet e tyre, krahas mjaft zbulesave interesante në shtatëdhjetë qasje që libri ka brenda tij. Dhe kjo edhe në kushtet që letërsisë shqipe i mungon kritika letrare.

Tiranë, Vlorë, tetor 2025.