Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: MJEKËSIA DHE ETIKA NË EPOKËN DIXHITALE

Në epokën dixhitale Mjekësia do të jetë nën “pushtetin” e Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale (AI) 

Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në figurën e mjekut në ditët e sotme!

 Mjekësia, “univers pa fund”, ka udhëtuar dhe hulumtuar nëpër enigmat e organizmit të njeriut mbi 25 shekuj, duke filluar nga Greqia e lashtë (shek. V-të p.e.s) me mësimet dhe betimin e “babait të mjekësisë moderne” Hipokratit dhe vazhduan mësimet me traktatet e Galenit e Avicenës deri në shekullin e XIX-të.

Në shekullin e XIX-XX-të ndodhi revolucioni modern në shkencën e mjekësisë me zbulimet e reja epokale në organizmin e njeriut nga William Harvey, Louis Paster, Aleksander Fleming, James Watson e Francis Crick etj, duke konsoliduar Mjekësinë moderne teorikisht si dhe, nga ana klinike, laboratorike (bio-kimike) dhe radiologjike.

Në këtë udhëtim shumë të gjatë në kohë dhe tepër të vështirë në “universin e pa fund” të mjekësisë janë shkruar me mijra traktate në mjekësi, me mijra vetmohime jete mjekësh në mjekësi dhe, mbi 200 shkencëtarë të lauruar me çmimin Nobel në Mjekësi…

  ***

1.Shekulli XXI-të, Mjekësia në Epokën dixhitale                                                                

Revolucioni i katërt industrial i përket Teknologjisë moderne inteligjente, që ka influencuar ndjeshëm në Mjekësi: në përmirësimin e informacionit mjekësor, përpunimit, analizës dhe diagnostikimit të problemeve shëndetësore të njeriut në mënyrë automatike në një kohë shumë të shkurtër.

Fillimet e shek. XXI-të i përkasin përmirësimit të paisjeve imazherike 3D, imazherisë funksionale dhe asaj molekulare, modaliteti i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT/skaner). Ky progres në fushën e imazherisë  ka  bërë të mundur  bashkimin  e të dhënave funksionale nga imazheria nuklare me detajet anatomike të  CT, duke ofruar përmirësimin e diagnozës së lezioneve malinje, të stadifikimit, monitorimit, besueshmërisë në interpretimin dhe në përcaktimin e  terapisë për pacientin në një kohë shumë  të shkurtër.

Në fushën e mjekësisë u zhvillua Bio-teknologjia, si një shkencë e re.

Bio-teknologjia përdor arritjet e biologjisë molekulare, duke përfshirë teknologjinë e izolimit të ADN-së dhe realizimin e një sërë procedurash për modifikimin e organizmave të gjallë, sipas qëllimeve njerëzore. 

Inxhinieria gjenetike në ditët e sotme ka rezultate të jashtëzakonshmenë progresin shkencor të mjekësisë si në: diagnozën dhe në trajtimin mjekësor, përcaktimin e kodit gjenetik të çdo individi, rregullimin gjenetik në sëmundjet e trashëguara familjare!                                                                                                    

Teknologjia gjenetike embrionale ka avancuar në zgjedhjen e gjenit, deri në ndryshimin e qënies njerëzore: Njerëz të përmirësuar gjenetikisht, “superinteligjent”. Bebe “Gjeni, Ajshtajn” do të lindin në laboratorët e inxhinierisë gjenetike, që do të jenë të porositur dhe të përzgjedhur sipas dëshirës së prindërve…!

Klonimi i çdo qenie biologjike, që mund të klonohet nga një qelizë e izoluar nga trupi i njeriut p.sh. nga lëkura dhe fitohet kloni…

Inteligjenca artificiale në mjekësi ka avancuar me Kibernetikën, si shkencëqë merret me qeverisjen dhe komunikimin në mënyrë të automatizuar mes qenieve të gjalla dhe teknologjisë mjekësore. Vendosja e mikroçipeve në trupin e njeriut bëjnë të mundur monitorimin klinik dhe bio-kimik të organizmit të njeriut, pa patur nevojë për ekzaminim klinik apo analiza laboratorike!

Teknologjia po evolon dhe përparon vazhdimisht me hapa galopantë, duke bërë që, herë pas here, të lançohen krijime dhe inovacione në fushën e mjekësisë, siç është Robotika. Kirurg-roboti më i njohur në botë quhet Da Vinçi, i cili operon në shumë klinika të botës dhe Evropës. Kirurgjia robotike sot tejkalon dobësitë njerëzore të kirurgut, perfeksionon metodën kirurgjikale laparoskopike në operacione kirurgjikale të ndërlikuara dhe shumëorëshe. 

Së shpejti, në ambientet spitalore ekzaminimet, ndërhyrjet, manipulimet mjekësore, shërbimet sanitare dhe sociale tek njeriu do të kryhen nga roboti humanoid!

Në dekadën e dytë të shekullit XXI-të (2017-2023) kemi një zhvillim avangard të shkencës kompjuterike: Inteligjenca artificiale gjenerative si GPT dhe DALL, të cilët me programimet e tyre kanë për synimin e vetëm për ta tejkaluar inteligjencën e trurit të njeriut: superkompjutera superinteligjentë. Inteligjenca artificial gjenerative do të funksionojë në mënyrë të pavaruar nga truri i njeriut, pa ndihmën e njeriut! Me aplikimin e Inteligjencës artificiale gjenerative në Mjekësi, Mjekësia klinike objektive po zëvendësohet me Mjekësinë virtuale!

Nick Bostrom, drejtor i Institutit Ardhmja e Njerëzimit, në librin e tij “Superinteligjenca” e përcakton superinteligjencën: “një intelekt, që është më i zgjuar se sa, truri më i ditur njerëzor në çdo fushë, përfshirë krijimtarinë shkencore, diturinë në përgjithësi dhe aftësitë sociale”.

***

2. Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin!

Qysh në Antikitet, Hipokrati, babai i Mjekësisë Moderne, konstatoi se, ushtrimi i mjekësisë bazohet në të dhënat klinike, por udhëhiqet nga morali e nga parimet profesionale, që u pasqyruan tek “Betimi i Hipokratit”.

“Betimi i Hipokratit” në radhët e mjekësisë gjeti aplikim në të gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në shekullin e XIX-të. Më vonë erdhi duke u sfumuar… aq sa, në ditët e sotme është si “antikuar” në terrenin ku punon mjekësia dhe ku dominon materializmi i shpirtit njerëzor.

Në shkencën e mjekësisë shumëshekullore kanë evoluar shumë teori dhe praktika mjekësore deri në ditët e sotme, por “Betimi i Hipokratit”, etika mjekësore mjek-pacient ka ndryshuar shumë pak. Edhe pse nuk ka vlerë ligjore, “Betimi i Hipokratit” konsiderohet si një nga tekstet themeluese të etikës mjekësore.

Në dekaden e dytë të shekullit XXI-të “Betimi i Hipokratit” është rishikuar nga Shoqata Mjekësore Botërore. Në Deklaratën e Gjenevës është njohur si “Betimi i Mjekut”, që është përfshirë në shtojcën e Kodit të Etikës Mjekësore.

3.Përballë progresit shkencor në Bio- teknologji  dhe Inteligjencës artificiale në mjekësi qëndron Bio-etika, që udhëhiqet nga “Morali dhe Shëndeti”, si “garant” i dinjitetit human, në një shoqëri  globale me diversitet biologjik dhe kulturor.   

Me themelimin e Këshillit të Evropës-Strasbourg (më 5 maj 1949) u ngrit Komiteti i Etikës Evropiane (transplanti i organeve, klonimi, transfuzioni i gjakut etj). Me zhvillimin e Bio-teknologjisë mjekësore (biologjia molekulare, etj) komiteti u emërtua Komiteti i Bioetikës (DH-BIO). Që nga 1 janar 2022, pas krizës globale në shëndetësi të shkaktuar nga Pandemia Covid-19, Komiteti i Bioetikës (DH-BIO) u zëvendësua me emërtesën Komiteti drejtues për të drejtat humane në fushën e Biomedicinës dhe Shëndetit (CDBIO), që shpreh normat juridike të Këshillit të Evropës rreth Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të qenies njerëzore me aplikimet në biologji dhe në mjekësi.

Bio-etika përfaqëson një disiplinë komplekse: mjekësore, morale, antropologjike, ligjore, fetare, sociale, kulturore dhe politike në mbrojtje të vlerave njerëzore ndaj jetës dhe mbijetesës, duke qenë në opozitë rigoroze me dukuritë më të fundit të Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale në shkencat mjekësore.

Të gjitha këto veprime duhet patjetër të respektojnë moralin dhe shëndetin e pacientit, duke mbrojtur jetën njerëzore. Bio-etika përcakton kufijtë, që lejojnë manipulimin e jetës njerëzore dhe vdekjes, duke respektuar parimet e saj si:

Respektimi i dinjitetit njerëzor.

Duke mos bërë asnjë të keqe, por, vetëm krijimin e të mirave.

Sigurimi i autonomisë së individit.

Respektimi i të drejtave të individit.

***

3.Midis inteligjencës artificiale dhe natyrore ka një dallim esencial në mjekësi.            

Sëpari, zhvillimi i Inteligjencës artificial në Mjekësi, është rezultat i produktit të nivelit më të lartë të inteligjencës natyrore të trurit të njeriut dhe të konsoliduar me përvojën njerëzore 25 shekuj të hulumtimeve dhe të zbulimeve në fushën e mjekësisë dhe në shkencat e tjera.

Inteligjenca natyrore, me një përvojë jetësore shekullore që, me krijimin e njeriut mbi tokëdallohet nga një qëndrim i vetëdijshëm i mjekut ndaj pacientit. Mendimi i mjekut, si një qenie njerëzore, është gjithmonë me ngjyra emocionale dhe nuk mund të ndahet nga trupi i tij, që është prej “mishi dhe gjaku” dhe, që ka “vetëdije dhe ndjenja”.

Inteligjenca artificiale, me njëpërvojë shkencore disa dekada, nuk mban një qëndrim të vetëdijshëm ndaj pacientit, nuk ka asnjë lidhje me sferën emocionale dhe ndjeshmërinë njerëzore ndaj pacientit. Inteligjenca artificiale i vjen në ndihmë Bio-teknologjisë, por nuk është e njëjtë me vetëdijen njerëzore.

Mjekësia në udhëtimin e saj shumëshekullor është përballur me ligjet e natyrës. Psikologjia na mëson se, vetë-ndërgjegjësimi i ulët i personelit mjekësor, gjithmonë na çon në gabime mjekësore, me pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, gabime mjekësore, të cilat janë evidentuar dhe në vëndet e zhvilluara, ku shkenca e mjekësisë është shumë e përparuar. Ende, nuk dihet se si do të bëjë Inteligjenca artficiale pa vetëdijen njerëzore ndaj pacientit?                                          

 Në epokën dixhitale në një botë virtuale, para mjekësisë dalin shumë pikpyetje të panjohura, të papritura dhe serioze për shoqërinë njerëzore dhe shëndetin, që kërkojnë përgjigje:

1.Në aspektin profesional                                                                                 

Mjeku, në ushtrimin e profesionit ndaj pacientit do të jetë në vartësi të Inteligjencës artificiale?

Inteligjenca artificiale (në vendin e mjekut) si do të realizojë kontaktin e parë dhe ekzaminimin klinik në marrëdhënie me pacientin: komunikimi, anamneza, observimi, shqisat, “gjuha e trupit”, empatia…?

Edukimi arsimor dhe formimi profesional i mjekut në auditor…?

2. Në aspektin etik                                                                                            

Kush do të jetë kodi etik i Inteligjencës artificiale në Mjekësi?

Kush do të jenë të drejtat e pacientit me Inteligjencën artificiale?

Kush do t’i gjykojë gabimet mjekësore të Inteligjencës artificiale?

Krizë morale…?

3. Në aspektin social                                                                                      

Njerëzimi, a është i përgatitur intelektualisht dhe psikologjikisht në marrëdhëniet me Inteligjencën artificiale për sigurimin e shëndetit?

Njerëzimi me bio-diversitet social dhe kulturor, a do të ketë “barazi sociale” dhe “akses të barabartë dinjitoz”  për sigurimin e shëndetit dhe, a do të ketë cilësi të jetës nga Bio-teknologjia dhe Inteligjenca artificiale?

Krizë sociale…?

 Në përfundim

Inteligjenca artificiale në Mjekësi nuk është fanta-shkencë, por është një realitet në shekullin e XXI-të!

Udhëtimi i Inteligjencës artificiale gjenerative në “universin e pafund” të shkencës së Mjekësisë do të jetë udhëtim i gjatë, i vështirë, me plotë të panjohura në aspektin shkencor dhe etik në “mikrouniversin” e organizmit të njeriut që, seicili individ në shoqërinë njerëzore karakterizohet biologjikisht nga miliarda individualitete dhe të rrethuar me miliarda viruse dhe mikrobe si shkaktarë të sëmundjeve dhe të Pandemive vdekjeprurëse. 

Gjithçka, le t’i ngelet kohës dhe përvojës në mjekësinë praktike për sukseset, apo gabimet mjekësore gjatë aplikimit të Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale në jetën e njeriut: midis lindjes dhe vdekjes!

Dhe, pikpyetjet e mësipërme do të marrin përgjigje.                                                         

Informacion plus

Youtube: Andrea Gudha, Bio-teknologjia dhe bio-etika.