RUZHDI GOLE: MBRËMË NESËR
Cikël poetik
BRENGËZ E BEGATË
Përhera, më shumë, e kam dashur
më ka dashur, ndoshta, një cak,
prej më së largu m’afrohet
së largu dhe kaq afër
me tjetër grup gjaku
dikur jetë plot sy
tani syri çast.
Tirana, ndërkohë, është s’është ajo…
Tirana, ndërmend,
më pak më do
dhe kjo
më begaton një brengëz
të shtrenjtë e të shenjtë…
RRËMBIME
A mund të nisemi andej nga erdhëm
të mpleksim guximet ledhatojmë
mbrëmjen … qershizën e parë
me xixa në venë ?
A mund të jem sonte po ai vrapth
përmallimi lënduar gjatë urtë
të gjej çka shpejt mbrujta
në Tiranën pa frak
qullur … ngrohtë
zjarr në shkurt?
Asaj rrokullime q’ende shpupuritet
mund t’ia ndij kreshtën e lume ?
Tirana përgjysëm… e tëra
pa i ra në gjunjë botës
botës i përvidhej
plot gracka
thërrime …
uri e të dashuruarve.
O, ç’ëndërrime… të çartura paksa…
Tirana sonte ndizet e nuk fiket
gjithçka më merr
s’më rrëmben gjithçka…
MBRËMË NESËR
E mrekullueshme kjo mbrëmje
oh, aq e mrekullueshme
flladi sikur luan flaut
flauti plot sythe
tjetër përtëritje
në gisht,
mua më duket
sikur po dal prej ëndrrave
ëndërruar të gjithë
tek burimi i luleve
veten, fare pak, puhizë.
Sonte
të tjera fytyra gdhend mbrëmja
me gishtat e saj më të padukshëm
me sy të rinj këqyr çfarë shkoi
çka gjallëron rrezëllitëse
rrëmujë me e pa vragë,
e mrekullueshme kjo mbrëmje
kopshte të reja ne i falim
tiparet tona të mbrame
përsërmbari të mugët
që edhe pse
u rrudhët e vyshkën
nga cenet
kurrë nuk bjerren
s’kanë varreza, as kryq,
as lutje,
as baltë.
Oh, sa mahnitem
nga kjo mbrëmje tiranase …
i këtushëm më s’jam, po i mbramë.?
LIZETË
Më pak jetoja vetëm
kur dija çfarë dashuroja
dashuroja bustin legjendën.
Afër, për t’u mbajtur, mend
ëndërrova liriken Lizetë,
shirat më qullnin
s’i shihja buz’plasur
syvëngërt shihja
mjegullinat retë…
Tani,
asgjë s’ka mbetur
nga livadhet tona
në këtë kryeqytet
ku vrapoj
ngadalshëm
për të kujtuar
çka deshëm
aq vrundull
aq qetë
ngadalë nxitoj mos mbërrij natën…
RREKJE
Anashkaloj
zekthin e tymin
jo timbër dhe plojë.
Mbrapshtoj pas rrekjes
thundrën mbi kokën
pa mburojë
u dredhoj hileve me bejte.
Shumë më tepër dredhitë
më duhen të afrohem
tek seksi i çudive
qiriu gjysmë fis.
Ngahera parakaloj mëdyshjen
Tirana gjallëron rrëfenjë
pa plojë
ku s’gërhasin qyqet…