Sakip Cami: Si ma shëroi vajzën e vogël Elida Cangonji?
Homazh për aktoren, mjeken dhe njeriun e mirë, Elida Cangonji!
Në vitin 1985 unë pata disa shqetësime shëndetësore me vajzën e vogël. Urinonte në gjumë, nuk e ndjente, megjithëse kishte kaluar katër vitet. U shqetësova se mos kishte ndonjë problem me veshkat. Nisem nga Bulqiza, ku shërbeja si ushtarak, për në Tiranë për t’i bërë një vizitë mjekësore. Në poliklinikën qendrore të specialiteteve kërkoj për mjeken urologe. Trokas dhe shoh që në tavolinën ku lexonte: urologu, nuk kishte njeri, ndërsa në tavolinën tjetër ishte një grua e bukur, por sa pashë shënimin në pjesën e përparme të tavolinës “psikiatre”, bëra mbrapsh menjëherë, por doktoresha më foli: “Urdhëroni shoku oficer, çfarë shqetësimi ka vajza?”
– Ka shqetësime për urinimin, nuk kemi punë me ju, i thashë me serioritet.
– Jo, jo, afroje vajzën ta vizitoj unë.
Sjellja e saj më imponoi dhe më bindi. Doktoresha quhej Elida Cangonji. E kisha parë edhe si aktore në një film të kohëve të fundit. Ajo më pyeste dhe unë përgjigjesha. Pyetjet konsistonin në përbërjen familjare, sa persona dhe sa kurorë jetonim në një shtëpi, a flisnim me zë të lartë në shtëpi, a trembej vajza dhe shumë pyetje të tjera të karakterit psikologjik e social.
– Dëgjo, mu drejtua mua, vajzës ti jepni më pak lëngje, nga mezi i natës ta ngrini të urinojë, ta përqafoni më shumë dhe gjithçka do të kthehet në normalitet.
Dhe kështu ndodhi. Sa herë shikonim filmat ku interpretonte Elida, vajza thirrte: ”babi, doktoresha, doktoresha që më shëroi mua”. E shëroi vajzën me këshillat e saja të sakta, me fjalët e ëmbla, me dashurinë që vetëm njerëz si Elida Cangonji transmetonin.
Kam dashur ta takoj Elidën për ta falenderuar, por koha nuk ma mundësoi një takim me të. Ajo emigroi në Austri dhe kur u kthye në Tiranë nuk munda ta takoj. Dhe më mbeti peng sepse largimi para kohe nga jeta i saj ndodhi kaq shpejt e papritur. Gjithmonë kam menduar si ta shpreh falenderimin ndaj saj. Ndoshta këtë shkrim do ta pranojë qielli i shpirtit të saj.
Pasaporta: Elida Cangonji është lindur më 31 tetor 1953. Ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1977. Për tre vjet ka punuar si mjeke pediatre në zonat periferike të Tiranës. Pasi kryen specializimin 2 vjeçar për psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë pranë shërbimit psikiatrik , Qendra Spitalore Universitare në Tiranë , punoi si e vetmja psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë në shërbimin ambulator të Tiranës. Kryen studimet pasuniversitare në universitetin ‘Claude Bernard’ të Lionit në Francë (1994-1995) dhe shumë specializime të tjera afatshkurtra në disa vende të evropës dhe SHBA. Vitet 90, janë vite pune të parreshtur për krijimin dhe drejtimin e strukturave të reja dhe bashkëkohore në fushën e shëndetit mendor për fëmijë (1991-1996) instituti i parë mediko-edukativ në Tiranë, model. i zbatimit në praktikë të institucioneve të hapura për handikapë (1996 e në vijim) Qendrën e Zhvillimit të Femijës në të cilën për herë të parë krijohet një ekip multidisiplinar që aplikon metoda terapiutike bashkëkohore si psikoterapia, terapia e të folurit, terapia psikomotore, okupacionale, mbështetje sociale, edukim special: (1996-1999) hap shtepinë e parë psikiatrike , model i një shërbimi jospitalor në Shqipëri. Për veprimtarinë e saj më 10 dhjetor 1998 nderohet me çmimin e parë për të Drejtat e Njeriut të Republikës Franceze (me rastin e 50 vjetorit të deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut). Në vitet 1998-2000 ishte përfaqesuese e Ministrisë së Shëndetësisë për shëndetin mendor pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Zyra Tiranë. Ka marrë pjesë si lektore në një sërë konferencash e kongresesh ndërkombëtare. Elida Cangonji u angazhua dhe në kinematografi si aktore amatore me një sërë rolesh të spikatura. Ka interpretuar në filmat: “Shpërthimi” -1974, ” Shtigje të luftës” – 1974, ” Rrugë të bardha” – 1974, ” Në fillim të verës” – 1975, ” Njeriu me top” 1977, ” Në kufi të dy legjendave” 1981. Ndahet nga jeta më 28 Nëntor 2016.