Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Veterani që analizon konfliktin Rusi–Ukrainë
Rrethanat në të cilat lufta dhe konflikti ishin aty
Librin “Pse lindi konflikti Rusi-Ukrainë” veterani Naxhi Zhupa e shkroi si një reflektim të kohës që po jetojmë, për miqtë, shokët dhe të njohurit e tij. Përmes faqeve të këtij libri, ai sjell në kujtesë historinë, por edhe jep një paralajmërim: t’i themi “jo” rrezikut të një Lufte të Tretë Botërore. Siç shprehet vetë autori, nuk duhet të rrimë “sehirxhinj”, por të bashkojmë zërin për ndalimin e luftërave.
Si ushtarak dhe si njeri me përvojë, veterani bën një thirrje të qartë: Lufta bërthamore nuk duhet të ndodhë kurrë. Ai argumenton me kompetencë profesionale se nëse një konflikt bërthamor do të shpërthente qoftë edhe në një vend të vetëm, ai do të ishte i pamundur të ndalej, dhe askush nuk do të dinte se si do të ishte e ardhmja e njerëzimit. Provat e deritanishme tregojnë se pasojat e përdorimit të armëve bërthamore janë katastrofike, dëmet njerëzore dhe ato materiale janë aq të mëdha sa ekzistenca e jetës mbi Tokë vihet në pikëpyetje.
Zhupa thekson se kjo nuk është një përpjekje për të mbjellë frikë apo panik, por për të treguar realitetin e hidhur të kohës moderne. Mendja njerëzore, duke krijuar shkencë për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja, shpiku edhe bombën atomike. Por në shekullin XXI, ajo shpikje është kthyer në një kërcënim për shfarosjen e jetës mbi Tokë. Brenda pak sekondash, një shpërthim bërthamor mund të kthejë në hi e pluhur qendra të tëra urbane, duke lënë pas vetëm shkatërrim.
Prej më shumë se 60 vitesh, qeveritë e vendeve që zotërojnë armë bërthamore janë përgatitur për mundësinë e një lufte të re. Armët mbahen gjithnjë gati për t’u lëshuar, çka do të thotë se, nëse shpërthen një luftë e madhe, armët bërthamore do të përdoren dhe fitimtarë nuk do të ketë. Sipas autorit, burokracitë e kalcifikuara europiane dhe globalistët nën drejtimin e SHBA-së, që veprojnë kryesisht nga Brukseli, shpesh veprojnë sikur nuk e kuptojnë rrezikun real që mbart kjo situatë. Ata nxisin konfliktin në Ukrainë, duke qenë vetë një pjesë e shkaktarëve të tij. Kjo është marrëzia që duhet ndalur, për të shpëtuar jetën mbi Tokë.
Autori thekson gjithashtu se edhe njerëzit e thjeshtë, përfshirë shqiptarët, duhet të ndikojnë në qëndrimet e qeverive të tyre. Ai kërkon që Shqipëria të mos bëhet lavjerrës i burokratëve europianë apo globalistëve amerikanë në nxitjen e psikozës së luftës. Sipas tij, Europa, NATO dhe SHBA kanë përgatitur në fshehtësi luftën Rusi–Ukrainë që në vitin 2022 dhe, edhe sot, në vitin 2025, vazhdojnë ta mbështesin me kokëfortësi, duke përdorur Ukrainën si “mish për top”, për të siguruar naftën, gazin dhe pasuritë që i mungojnë kontinentit pas prishjes së marrëdhënieve me Rusinë.
Skenari i frikshëm i shpallur së fundmi, ai i një pushtimi të Europës nga Rusia brenda “pesë ditëve apo 100 orëve”, sipas Zhupës, nuk është gjë tjetër veçse fantazi politike, që synon të mbulojë dobësitë e drejtuesve europianë dhe të fshehë ngërçin e krijuar në konfliktin ukrainas. Për të, ky është një traumatizim i qëllimshëm i opinionit publik, që ka qenë shpesh i painformuar ose indiferent ndaj së vërtetës.
Në libër theksohet se Europa, NATO dhe SHBA, përpara shpërthimit të luftës, jo vetëm që kishin përgatitur Ukrainën për pranimin në NATO, por edhe kishin maskuar me kujdes ndërhyrjen e tyre, duke ia lënë Rusisë përgjegjësinë e plotë për nisjen e konfliktit.
Rreth përmbajtjes së librit
Libri është i ndarë në dy pjesë kryesore, të cilat trajtojnë zhvillimet historike, politike dhe ushtarake të konfliktit Rusi-Ukrainë, në një analizë të gjerë që përfshin edhe kontekstin ndërkombëtar.
Pjesa e parë nis me një pyetje thelbësore: pse u shkrua ky libër? Autori përshkruan shkaqet e konfliktit, qëndrimet e palëve dhe pasojat e tij, duke e parë situatën përmes fakteve historike e gjeopolitike. Ai ndalet në rolin e Perëndimit, në përplasjen lindje–perëndim dhe në mënyrën se si u trajtua Ukraina si një mjet konfrontimi ndërmjet fuqive të mëdha. Diskutohet gjithashtu mbi kushtetutën, historinë e Bashkimit Sovjetik dhe zhvillimet që çuan në luftën e viteve të fundit.
Pjesa e dytë përqendrohet te Krimea, gadishulli me histori të pasur luftrash. Autori sjell analiza historike që nisin që nga inkursionet e Ivanit IV në shekullin XV, qëndrimet e Engelsit për luftën e Krimesë, statusin autonom të rajonit dhe figurat e mëdha të historisë ruse që lidhen me të.
Libri mbyllet me dy shtojca dokumentare: A mund të shkatërrohet Rusia, siç flitet shpesh? Dokumente mbi origjinën e pronësisë dhe kufijtë e rajoneve në konfliktin Ukrainë-Rusi.
Publicistika e veteranit Naxhi Zhupa
Naxhi Zhupa është një nga veteranët e rrallë që edhe sot lë gjurmë në publicistikën historike dhe ushtarake shqiptare. Ai është dëshmitar dhe rrëfimtar i epopesë së madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe me veprat e tij ka kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike të brezave.
Libra të botuar për LANÇ-in: Historiku i Brigadës VIII Sulmuese, Nga Sheperi në Konispol e Vërmosh, Gjurmë të pashlyeshme, Për Atdheun që 15 vjeç, Kthim i vështirë, Ja pse luftuam (me bashkautorësi).
Libra historikë të tjerë: Fterra në shekuj (Pjesa I), Fterra në shekujt XV–XVIII, Fterra në LANÇ-in (1939–1944), Galishti dhe galishtjarët, Copëza të një jete (monografi), Zhupajt e Fterrës në shekuj.
Libra në proces botimi: Kufiri historik i Labërisë dhe Kurveleshit, 14 shtatori 1943 (Grehoti), Këmbët e fshehta të “Kaprollit”, 100 pyetje dhe përgjigje, Artileria shqiptare në shekuj, Rreziqet historike nga invazionet bregdetare.
Libra politiko-shoqërore: Ngjarjet në vargje 1991-1999, Gjarpri me dy krerë, Fatet e Luftës së Dytë Botërore u vendosën në stepat e Stalingradit, Të lësh kockat në Shqipëri, Sazani – “Gjibraltari i Kuq”, CIA dhe Shqipëria 1944–1990, Operacioni “Barbarosa” – invazioni gjerman mbi BS për të sunduar Europën, Overlord i vonuar (skena dhe prapaskena), Zenel Koshaj – një jetë e tërë në shërbim të Atdheut.
Një zë i qetë, por i prerë, i një veterani që kujton, paralajmëron dhe mendon për të ardhmen e njerëzimit, Naxhi Zhupa mbetet shembull i një publicisti që shkruan për paqen, me përvojën e një luftëtari dhe mençurinë e një njeriu që e njeh historinë nga brenda.