Robert Aliaj Dragot: Takimi me Aristidh Kolën në Greqinë e viteve ’90
…Në një kuti kartoni, ndërsa kërkoja diçka krejt tjetër, më ndodhi një përplasje me kujtesën, gjeta disa fotografi te vjetra me Aristidh Kolia si prova të një universi paralel ku njeriu përpiqet të shpëtojë nga harresa përmes imazheve. Ishin copëza letre që menjëhere më hapën nje portë të cilën nuk kisha asnjë shpresë se ende ekzistonte. Unë me Arin, në shtëpinë e tij duke ndarë një shishe raki që do të na duhej ta pinim deri në fund të asaj nate kur bisedonim për gjithçka, përveç politikës. Ai më tregonte për fshatrat e humbura arvanitase të Greqisë, unë i tregoja për aromën e sherebelit të maleve të Shqipërisë. Këmbyem ëndrra si të ishim tregtarë të fshehtë të botëve të harruara.
“Drejtësia, nuk është diçka që duhet ta presëshi. Është diçka që duhet ta ndjekësh edhe nëse të vret”, më kishte thënë atë natë në tarracën e apartamentit në atë Athinën problematike me Arin që qeshte megjithë padrejtësitë që i bënte, e megjithatë i padorëzuar.
Ishin vite kur miqësitë e vërteta në atë realitet kërcënues për një emigrant në Greqinë e viteve 1991-94, kishin peshën e shpëtimit jo vetëm moral.
Kohë kur besnikëria ishte frymë, jo pallavra.
Ah sa më kujtuan atë që ai mishëronte, atë diçkanë e shenjte nga ajo frymë e harruar, mirësinë.
Fotot nuk janë rrëfime që mund të gënjejnë siç gënjen kujtesa mendova at për aty, kanë ndershmëri poetike, ndërkohë që çdo gënjeshtër e kujtesës është përpjekje për të ruajtur të vërtetën e ndjenjës.
Apo ndoshta ne nuk ruajmë kujtimet thjesht për t’i rikujtuar?
I ruajmë që të mos vdesim plotësisht, që të mund të mbetemi diçka më shumë se hije në sirtarin e ndonjë tjetri”.
(Shënim nga kujtimet)