Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Elda Jorganxhi

Përse kaq vonë?

Përse kaq vonë u kujtove për mua,
tani që je bërë një hije e dashurisë që kisha.
Verbërisht, si Promete, mallkova zjarrin tënd;
çmendurisht, më shumë të desha, me hirin në duar.
Si Odise, kërkova në dete lotësh buzëqeshjen tënde,
e fryma m’u end në brigje të mallit.

Si pasqyrë e plasaritur ngjan sot gjithë bota;
reflektohesh në mijëra copa, që nuk i ngjit dot më koha.
Përse kaq vonë u kujtove për mua,
kur rrudhat më shtohen si koordinata drejt yjeve?

Tani që vajtimin s’ma nxe as qielli,
tani që zemrën s’ma ngroh dot as dielli.

Në mijëra vite të dashurova, të humba në një ditë;
në mijëra vite errësire,
s’m’u bëre në asnjërën dritë.

Përse kaq vonë u kujtove për mua?
Në labirinte ëndrrash jam arratisur,
dhe zemrën në lutjen tënde kam braktisur.
1 nëntor 2025.

“Hapat e Kalit”

Në hone humnerash m’u mbytën pritjet,
një kalë i lodhur sot ky shpirti im.
Askush veç poezisë nuk m’i shëroi dhimbjet.
Sa rrugë të kota bëra pa kthim.

Sekretet e Krishtit as unë jo, s’i mësova,
as sekretet e yjeve,
dhe as të miat s’i kuptova.

Hapat e mi më ndoqën pas si dëshmitarë të pafajësisë,
edhe kur mora rrugën e përjetësisë.
Më ndoqën edhe në Saharanë e dhimbjes,
edhe në rrugën e mosbindjes,
edhe kur shpirtin mora në duar dhe desha ta mbaj zgjuar
Në këto qiej bosh,
ku dhe globi i jetës rrotullohet pa drejtim,
sa shumë vdekja më josh.
Kërkimi i së vërtetës – dështim.
Ndonjëherë nga vetvetja mbytem,
dhe çdo rizgjim është iluzion.
Ndonjëherë në hiç arrij të zhytem,
kjo ëndërr jetë… a ekziston?
2 nëntor 2025.

Akoma nuk di

Po zihen valët e detit me njëra-tjetrën.
Po zihen dhe mendimet e mia.
Brenda meje, një diell i vjetër struket në vend të zemrës.
Brenda qiellit, një zemër e plakur rrezaton pendimin mbi njerëzit.

Me mijëra shekuj të kam kërkuar në secilin yll.
Akoma nuk di ku strukesh.
Akoma nuk di.
Me mijëra shekuj qielli kërkon diellin.
Akoma nuk di ku fshihet
Akoma nuk di.

E pres një tërmet të shpirtit.
Çdo yll nga frika do të dridhet.
E pres një zjarr të qiellit — mbase dhe zemra ime do digjet

Në shkrumb e hi.
Me yjet vdekur e diellin e humbur,
medoemos do vij tek ti,
medoemos për të t’u lutur.
2 nëntor 2025.

Doja të shpëtoja botën

Me sy shiu shoh botën që ankohet,
zemra e frikësuar, si zog më largohet.
Sa shumë pikon bota në sytë e mi,
sa shumë qielli i syve mu nxi.

Një grusht deti shtrëngoj akoma në duar,
deti në dorën time akoma duke lotuar.
Zhurma e kujtesës më drithëron,
dielli mbi supe mban trishtimin e botës —
sa shumë që i rëndon.

Me sy shiu shoh botën që ankohet.
Detin nuk e shpëtova dot nga mallkimi i valëve,
as veten time nga mallkimi i vargjeve.
Doja të shpëtoja botën, por nuk shpëtova dot asnjë grusht det.
Doja të shpëtoja veten, por grushti i mbledhur nga shiu m’u tret.
3 Nëntor 2025.