Albspirit

Media/News/Publishing

Shkëlqim Hajno: Zilja armike

-Tregim-

Shkolla e fshatit Galishtë ishte ndër më të mëdhatë në krahinën kufitare. Aty vinin edhe nxënës nga fshatrat përreth, aq sa disa klasa u bënë me paralele. Për fillimin dhe mbarimin e mësimit, shkolla përdorte zile të ndryshme tunxhi, si shumica e shkollave të fshatit.
Zilet e përdorura për orët e mësimit zakonisht dikur kishin qenë varur në qafat e cjepëve që prinin kopetë. Në ndonjë rast, ishte përdorur edhe ajo që i thoshin çangë. Kjo ishte një pjesë gjyleje e plasur nga ato të Luftës, së cilës i binin me një shufër hekuri. Kur e dëgjonin, në fshat thoshin: ra çanga.
Një ditë, në përfundim të orës së fundit të mësimit, nxënësit dëgjuan një zile me tingëllimë krejt tjetër, të bukur dhe të veçantë. U habitën mësues e nxënës kur mësuan se zilja, si e larë me flori, ishte dërguar enkas për shkollën e Galishtës, bashkë me një orë muri të madhe, nga një emigrant i hershëm në Amerikë, me orgjinë nga fshati i tyre kufitar. Madje, shumica e nxënësve nuk e fshehu edhe një ndjenjë krenarie për emrin e fshatit që ishte bërë i njohur deri në Amerikë.
Në ditët e para, pasi mbërrinin në shkollë, nxënësit e preknin nga pak zilen e bukur amerikane, si të përkëdhelnin një qenie të gjallë, gjë që u jepte një emocion të çuditshëm. Sa herë e preknin, nuk e mposhnin tundimin prej fëmije ta tundnin pak, për të dëgjuar tingëllimën e bukur dhe të panjohur më parë.
Zilja nga Amerika, përveç pjesës metalike të larë me ar, kishte edhe pjesën e bishtit. Ky ishte punuar me dru si mobilje, e gdhendur dhe e llakuar. Aq ditë sa u përdor në shkollë, ajo tingëllonte ëmbël për veshët e fëmijëve, po edhe të mësuesve të tyre.

***

Nuk ishin mësuar ende me tingëllimat e ëmbla të ziles së bukur, ardhur nga shumë larg, kur ndodhi e papritura.
Jo më tepër se një muaj më vonë, në oborrin e shkollës së madhe kishte hyrë një pari, me tre vetë. Që të tre ishin të besuar të regjimit monist të kohës. Siç u mësua, ata, vetëm ata mund të vinin në kandar ç’ishte e mirë dhe ç’ishte e keqe për shkollën.
Para se të vinin këmbë në oborrin e shkollës, rrethuar me tulla të bukura dhe plepat e mbjellë dikur nga vetë nxënësit, të tre të besuarit ishin mbledhur një natë më parë në sallën e ‘këndit të kuq’ të mbledhjeve të partisë në fshat. Pikërisht aty, ishte bërë një mbledhje sekrete.

***

“Kush e solli? Pse e solli dhuratën? Si e sollën? Ku i kishit ose, ku i kishim sytë, që të na pëlcasin”?! Këto ishin vetëm disa nga pyetjet zhbiruese për sytë dhe kokat e të besuarve të partisë.
Njëri prej tyre, marangozi i kooperativës bujqësore, duket se ishte më i madhi syresh, më i besuari po se po dhe, kuptohet, edhe më dyshuesi. Ai nuk e hiqte nga brezi sqeparin e punës. Atë natë e kishte vendosur këtë sqepar bishtgjatë në anë të tavolinës me beze të kuqe, veshur mbi të me plastmas nga të farishteve të perimeve të kooperativës.
Mimi Çerçeli ishte ai që mbante edhe çelësat e kësaj zyre të vockël përbri dyqanit të fshatit. Vinte dhe hiqte syzet optike sa herë matej të bënte pyetje nga ato të llojit ‘me spec’.

– Si i kaloi kjo pako Bektash Gungës, operativit të zonës, xhanëm? Ai është edhe nip dëshmori! Mbase nuk ishte atë ditë. Nuk jam kondra. Po ata të postës, ku i kishin sytë, që u plaçin gavat, siç u kanë plasur! Po mirë posta, por pakua udhëtoi nga qyteti me satën, urbanin e zonës, deri te posta e fshatit! Nuk e hapi njeri apo kishit frikë se mos ishte ndonjë bombë dhe bënte hatanë?! Po Niqifori, që ndan gazetat nëpër fshat?

– Aa, shoku Mimi, Niqifori nuk sheh nga sytë. Është qorr, derëziu! Ndaj i kanë dhënë një punë të lehtë me atë çantën e zezë prej meshini në kurriz dhe shkopin në dorë, – u hodh i besuari tjetër.

– Ju të gjithë e dini. E dinë edhe gurët e fshatit këtë për Niqiforin, shoku Çerçel.

– E di! – tha prerë i madhi i të besuarve. Por nuk iu prit: – Po kur rrahu me shkop sekretarin e birosë së kooperativës? Si i erdhën sytë, apo i kishte me bateri? Ti më thua: “Lere Niqiforin, shoku Çerçel”! Pse ta lë? Si ta lë? Nuk e lë hiç! More vesh? Mora, thuaj!

– Ishte tjatër punë ajo e drurit që i dha shokut Bardhil për çështje nderi, shoku Çerçel,- u hodh i besuari i tretë.- Kur i kërkuam të bënte autokritikë në biro, Niqifori na tha se i kishte ngacmuar gruan te magazina. Aq llafi!

– Gruan? E di. Kështu tha. Nuk isha atje edhe unë? Ç’na tregon tani? Partia i di të gjitha. Po ama sekretarin e birosë e kopanisi mirë te zyrat!
U sillois pak.

– Por pakon, pakon me mina nga Amerika, nuk e dalloi dot se ç’kishte brenda! Dhe ti më thua, Niqifori është qorr! More vesh? Mora, thuaj!

– Nuk lejohet të hapet pakua e botës e nisur me postë, – i tha i besuari tjetër, që ishte ulur pranë dritares. – Ka kush i shikon ato gjëra që në qytet. Kjo është sekret, ju e dini. Ka të besuar që merren me letrat e dyshuara, për ideal të partisë!

– Që mos të na kalojë miu nëpër mustaqe, siç na kaloi kjo pakua me zile armike dhe orë brenda, ju e dini këtë!
Debat pas debati, megjthëse kishin ikur edhe dritat, siç iknin me orë të tëra çdo natë, të besuarit e vijuan mbledhjen me dy qirinj deri në mesnatë.

***

Të nesërmen, në oborrin e shkollës u shfaqën tre burra. Nga të besuarit, sigurisht. Ata hynë direkt në sallën e mësuesve dhe më pas në drejtorinë e shkollës, ku bënë një mbledhje ‘rrufe’. Duket ishte llogaritur mirë koha e pushimit të gjatë të nxënësve për një mbledhje në drejtorinë e shkollës.
Koha e pushimit të gjatë kishte kaluar, por askush nuk i binte ziles së bukur me tingëllimë të veçantë. Pushimi i gjatë aq i mirëpritur nga nxënësit, sa edhe nga mësuesit e shkollës së madhe, po zgjaste si asnjëherë, gati 30 minuta! Nxënësit vazhdonin pushimin të shpërndarë gjithandej në oborr, po edhe jashtë mureve të shkollës.
Pikërisht në kohë të pushimit të gjatë, kur të gjithë prisnin të rreshtoheshin pas tingëllimës së ziles së veçantë, u dëgjua jo zilja, por një bilbil. Ishte bilbili i mësuesit të fizkulturës, Lefterit.
Mimi Çerçeli kishte udhëzuar drejtorin të jepte komandën në oborrin e shkollës me bilbil, jo më me zilen armike.

– Rreshtohuni! Sipas klasave!- u dëgjua zëri i drejtorit, Janaq Karvuni.
Nënësit u vendosën sipas klasave me shpejtësi. Aso kohe kjo shkollë ishte ndër më të mëdhatë në rreth. Oborri i mbushur me kuadratet e rreshtave për dy dhe sidomos me shamitë e kuqe të pionierit, e bënin edhe më ceremoniale pamjen.
Mësuesit qëndronin si përherë në një pod betoni disa shkallë përballë oborrit, që po gumëzhinte nga zërat e gëzueshëm të nxënësve. Të tre burrat, e ardhur me mision enigmatik për nxënësit, u ngjitën në podin e mësuesve.

Qetësi! Qetësi!- foli drejtori i shkollës. Pastaj bëri dy hapa përpara: -Nxënës dhe mësues, sot kanë ardhur midis nesh shokët e partisë të kooperativës. Ata do të thonë disa fjalë me rëndësi që lidhen me luftën e klasave. Do t’ju flasë shoku Mimi Çerçeli.

Shumë prej nxënësve e njihnin këtë njeri si marangoz në fshat, që riparonte dyer e dritare, samare të mushkave të kooperativës dhe kularët e pendëve të qeve për të lëruar arat e fshatit në Shëndëlli. Por ata nuk dinin shumë për gradat partiake në fshat dhe kooperativë. Në këtë klimë qetësie, para tyre u shfaq Mimi shtatlartë. Ai hoqi dhe vuri disa herë syzet optike të trasha mbi samarin e hundës. Nxënësit e ‘lexuan’ menjëherë zymtësinë e këtij njeriu.

– Shokë mësues edhe nxënës, e dini përse ju kemi mbledhur sot?- tha shoku Mimi.

– Joo! – u dëgjuan zëra nga nxënësit.
Atëhere ai mori një qëndrim edhe më solemn dhe zgjati dorën përpara, si të imitonte bustin e Leninit.

– Shokë mësues dhe nxënës,- përsëriti ai.- Partia është e shqetësuar sepse armiku i klasës na është afruar shumë! Ka ardhur midis nesh!
Nxënësit heshtën dhe shihnin të habitur njëri-tjetrin. Në vështrimet e tyre ishte pyetja alarmante: “Armiku midis nesh”?!

Mbajtën vesh të përqendruar.

– Armiku i klasës është afruar butë-butë dhe, jo vetëm ka hyrë në fshatin tonë revolucionar, kaq pranë kufirit, por ka hyrë edhe brenda në shkollën tuaj! Domethënë në shkollën tonë! – breshëroi fjalët me ton ushtarak njeriu i zymtë, i cili, që në fjalët e para i kishte frikësuar të gjithë. Nxënësit po se po, po edhe vetë mësuesit dhe Janaqin, drejtorin e shkollës, për të cilin ata kishin simpati si njeri i toneve të buta.
Një zhurmërim mbytazi erdhi nga kuadratet e nxënësve në oborr.

– Po, po! – vazhdoi ligjëratën njeriu i besuar. – Ka hyrë në shkollë që ç’ke me të! Ka hyrë pa pyetur për vigjilencën tonë! Ka hyrë pa pyetur as për drejtorin e shkollës, shokun Janaq. Bile, pa u marrë leje as mësonjëseve komuniste!
Heshtje varri. Sytë e të gjithëve ishin ngulur si heshta mbi njeriun e zymtë me emrin Mimi Çerçeli dhe pastaj mbi fytyrën e trishtuar dhe të përvuajtur të drejtor Janaqit.
Drejtori kishte në fytyrë një përvuajtje që të kujtonte portretin në skulpturë “I urituri” të skulptorit të madh Odhise Paskali.

– Si erdhi? Nuk pyesni: si erdhi? – vazhdoi i ardhuri dhe nxori nga brezi, në vendin ku mbahej tradicionalisht koburja, një sqepar me bisht të gjatë.
Nxënësit ndiqnin gjithë frikë rrëfimin e tij. Me një lëvizje të vetme, i besuari kishte krijuar një skenë të frikshme. Fëmijët nuk ia ndanin sytë sqeparit. Kjo vegël e zakonshme, tani u dukej vërtet e tmerrshme. Si një gijotinë, nga ato që kishin mësuar në orën e historisë së mesjetës.

– Ua them unë! Armiku erdhi që nga Amerika, – vijoi Mimi. – Hyri në vendin tonë në formën e një pakoje postare nga jashtë shtetit. Më pas, udhëtoi me makinë në qendër të rrethit, përsëri në formën e pakos dhe mori rrugën për në fshatin tonë. Po pastaj?- pyeti po vetë njeriu me sqepar, duke parë nga nxënësit. – Pastaj, pakoja hyri në shkollë në formën e një zileje, që bie për fillimin dhe mbarimin e orëve të mësimit! Një zile armike, një zile amerikane, kapitaliste, e lyer me flori për të na marrë mendjen! Siç edhe na e mori! More vesh? Mora, thuaj! Domethënë, armiku, ose i arratisuri në Amerikë, na njofton nëpërmjet ziles së tij se kur do të nisë dhe kur do të mbarojë ora e mësimit në shkollën e fshatit tonë! More vesh? Mora, thuaj!
Fjalimi i tij i tmerrshëm vazhdoi edhe më tej:

– Po kështu, edhe ora e madhe që keni varur në mur, në hyrje të shkollës, është ora e nisur nga dora e armikut të klasës, arratisur nga kufiri për të mbërritur në Amerikë, te imperializmi amerikan, që është, siç e dimë të gjithë, xhandari ndërkombëtar i popujve! More vesh? Mora, thuaj!

***

Pëshpërimat erdhën e u rritën dhe zërat e nxënësve të rreshtuar u dëgjuan më shumë, me një zhurmëri që vetëm veshët e mësuesve e njohin.
– Por Partia, – vijoi njeriu me sqepar, – e zbuloi se në shkollën tuaj ka një muaj që bie zilja e armikut! Bie për të nisur mësimin. Por vigjilenca e Partisë sonë dhe e organizatës në fshat, qëndron lart. More vesh? Mora, thuaj!
Befas ai e ndali fjalimin dhe thirri:
– Miço, sille këtu!
Të gjithë kthyen kokat pas, nga drejtimi ku hodhi vështrimin shoku Mimi Çerçeli.
Që pas mësuesve u shfaq një njeri që mbante në duar dy blloqe betoni, nga ata që përdoren për ndërtime të shpejta muri dhe në krah krahëqafë, një çantë të madhe doku të mbushur me diçka. I vendosi me kujdes kallëpet e çimentos para këmbëve të fjalimtarit dhe bëri anash.
Të gjithë ndiqnin skenën, si të ishin në një sallë operacioni ku kirurgu me bisturi në dorë priste pacientin që do të operonte.
– Ma jep! – u dëgjua urdhri i Mimit të Partisë për ndihmësin, asistentin në këtë ‘operacion’ të çuditshëm. Asistenti me emrin Miço pa nga nxënësit, pastaj nga mësuesit. Futi dorën në çantën krahëqafë dhe nxori prej aty zilen e re të shkollës.
– Uuuu! – u dëgjua një pasthirrmë e gjatë e nxënësve në oborr.
– Ma jep këtu!- përsëriti Mimi Çerçeli si triumfator.
Tjetri i zgjati në dorë zilen e bukur të shkollës. Mimi ia rrëmbeu nga duart, siç e rrëmben një qen copën e mishit nga nofullat e shtrënguara të një qeni tjetër. Pastaj e vendosi zilen e bukur mbi dy blloqet e çimentos.
Nxënësit dhe mësuesit mbajtën frymën pezull. Ç’do të ndodhte?
Mimi ngriti lart sqeparin si një giotinë dhe, me sa fuqi kishte, e goditi zilen e shkollës për ta prishur.
Zilja lëshoi tingullin e fundit për veshët e fëmijëve dhe shkau nga blloku. Ai e rrëmbeu menjëherë dhe e rivendosi mbi bangon e betonit, siç vendoste dikur xhelati qafën e të dënuarit me vdekje para ekzekutimit.
– Naaa!- bërtiti Mimi.- Kjo është përgjigja për armikun e klasës atje në Amerikë.
– Naa! Naa! Naaa!
– Ouuhh!- u dëgjuan zërat e trembur të fëmijëve të shkollës.
Por Mimi, ngadhënjimtar siç ishte, thirri përsëri:
– Miço! Vure këtu tjetrën!
U dëgjua si të thoshte: “Vure këtu kokën e tjetrit!”
Nxënës e mësues ndoqën me ankth skenën dramatike. Miçoja e futi sërish dorën te çanta e madhe dhe nxori prej andej dhuratën e dytë që kishte ardhur nga Amerika për shkollën e Galishtës: orën e madhe të murit.

Zërat e nxënësve u shtuan.
– Vure këtu!- urdhëroi njeriu i zymtë që po lunate rolin e xhelatit.
Tjetri e shtriu orën e madhe mbi dy blloqet e betonit, me kujdes si të ishte një gjë e gjallë.
– Se ne, i përgjigjemi kështuu, dhuratave të armikut! – dhe nisi ta godasë shumë herë me sqeparin e tij të tmerrshëm orën e murit. Ajo u bë copë-copë në pak sekonda nga goditjet e sqepargiotinës.
Në sytë e disa nxënësve lodronin pika loti. Ata kuptuan të tmerruar se si, edhe pse ora ishte bërë copë e çikë. Ndërkaq, njëriu trupmadh i binte pa pushim më myqen e sqeparit vendit ku ishte më parë ora. duke e thërmar betonin që nisi të copëtohej gjithashtu.
Pasi e pa se të gjithë i kishin ngulur sytë mbi të, nxori nga xhepi i palltos prej shajaku një zile nga ato që i vendoset në qafë një cjapi. E ngriti lart në ajër për ta parë të gjithë.
– Shoku drejtor, kjo do të jetë zilja e shkollës suaj këtej e tutje! – dhe e tundi në ajër.
– Sa e shëmtuar!- u dëgjua të thoshin disa nxënës nga radhët e para, që e ndoqën spektaklin e frikshëm me sy të çakërdisur nga habia dhe tmerri.
Që nga ajo ditë, sa herë binte zilja e re, nxënësit instiktivisht hidhnin sytë nga vendi ku ishte ekzekutuar zilja e bukur. Pastaj, mbi murin pranë hyrjes së shkollës, në vendin ku më parë qëndronte ora e madhe.
Ndienin sikur diçka u kishin shkulur me forcë nga shpirti i tyre i njomë.