Irena Dragoti: Mëshirë
Dikur e takoja mëshirën si frymë
të kapërcej portën e mëkatit.
E humbja, kur i thyheshin kanatat,
nga fjala,
që buza s’e mban…
E zhvishja si nevojë çlirimi,
kur shpirti kish përçartje.
Sot, e pres si rritje
e ul në sofër fisnikësh, të thyejë urinë;
pa i fikur lutjet.
Koha u djerr… dhe njerëzit
Lakohen shtigjeve;
pa e sosur luftën për mbijetesë
me çdo çmim!
Mëshirona, o Zot!
Bëj që ulliri i mbjellë mbi mollëzat e mendjes
të hutojë rrudhat e saj
tek shtrin rrënjët e lëmoshës dhe faljes
për të takuar Ty, edhe njëherë
si pendim!