Albspirit

Media/News/Publishing

​Shkrimtari Taip Sulko, intervistë me poetin Jaho Margjeka në Radio Tirana


Jaho Margjeka: Miq, do të jemi tani në një intervistë të drejtpërdrejtë me Taip Sulkon, i cili jeton dhe punon prej vitesh në Otava të Kanadasë. Taip Sulko është shkrimtar, poet e gazetar; ka punuar si përkthyes dhe gazetar në Radio Tirana si dhe diplomat në ministrinë e Jashtme e në përfaqësitë e Shqipërisë jashtë vendit. Taip Sulko është autori i romanit “Në anën tjetër të Parajsës”, 2002, i vëllimit me tregime “Antologjia e shpirtërave”, 2009 dhe i dy përmbledhjeve poetike “Toka e premtuar” 2010 dhe “Portat e Qiellit” 2020. Romani i tij i dytë “I arratisuri” ka dalë në dritë në 2024. Përshëndetje nga Tirana, nga emisioni “Larg dhe Afër”.

Taip Sulko: Përshëndetje. Të faleminderit që u lidhe me mua. Ndihem sikur jam në Tiranë tani dhe jo në Otavë.

Jaho Margjeka: Kjo është kënaqësia jonë dhe ky emission ka në fokus gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë larg, por që, nëpërmjet zërit të Radio Tiranës, ndihen herë pas here afër, ndihen në atdhe.
Z.Sulko, iu bëra dëgjuesve një paraqitje të shkurtër të jetëshkrimit tuaj, por përgjatë kësaj bisede do të flasim për jetën si dhe karrierën tuaj krijuese.
Do ta fillojmë natyrisht me emigracionin. Prej sa vitesh gjendesh në Kanada dhe si kanë qënë eksperincat tuaja të para atje?

Taip Sulko: Ju falenderoj edhe një herë për këtë intervistë. Vërtet, siç thashë, ndjehem i emocionuar dhe i gëzuar, ndjehem si në shtëpi. Unë jetoj këtu, në Kanda, që nga viti 2012. Sigurisht çdo mërgimtar e ka një histori me vete që mezi pret ta tregojë. Po kështu edhe unë. Me thënë të drejtën, çdo fillim nuk është i lehtë, sidomos në mërgim. Në rastin tim kjo ka qënë edhe më e vështirë sepse nuk ishte largim i dëshiruar (ishte i detyruar nga rrethana në vendin tonë). Dua të flas për këtë të vërtetë që më përket mua. Përvojat e mia flasin për një jetë mërgimtari që fillon me vështirësi. Ja që, pas njëzet vitesh në diplomaci, nuk është e lehtë t’ia fillosh një pune çfardo. Sigurisht punët e mira vijnë kur je qytetar me të drejta të plota i një vendi. Më lodhte shumë sidomos ai gjykimi i rreptë i dallgëve të tregut të punës. Në fillimet e mia, kam bërë punë nga më të vështirat; kam punuar natën, kam punuar në shpërndarjen e pjesëve të ndërrimit për makina, kam punuar në call center dhe kjo mbase ka qënë nga përvojat më të vështira, sepse punoja nga ora 6 e mbrëmjes deri në dy pasmesnate, kur, për fat të keq, autobusët ose ishin të rrallë ose nuk kishte fare dhe unë bëja një orë e gjysmë rrugë në këmbë për të shkuar në shtëpi. Mbase gjithçka e bënte më të vështirë, edhe mendja ime prej shkrimtari që e shihte me shumë dritë-hije gjendjen që po kaloja. Por për fat, nuk u theva, kisha shpresë, i shihja dritat që ishin afër, e dija që isha në Kanada, një vend mikpritës dhe se zgjidhja po vinte.

Jaho Margjeka: Z. Sulko ju keni lindur në Lushnje, pas shkollimit tetëvjeçar dhe të mesëm atje, keni studiuar gjuhë-letërsi dhe gjuhë hungareze në Universitetin e Tiranës. Më pas keni kryer studimet për nivel mastër në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Budapest të Hungarisë, në vitet 1994-1997. Nga viti 1982 keni punuar si përkthyes i hungarishtes në Radio Tirana, pastaj gazetar në Radion e Jashtme, për disa kohë edhe gazetar i lajmeve në TVSH, derisa jeni pranuar në shërbimin e jashtëm, ku keni shërbyer si diplomat. Duke qënë se ju vini nga fusha e medias dhe diplomacisë do të doja të flisnit për përvojën e viteve të punës, këtu, në Radio Tirana dhe në Televizionin Shqiptar dhe pastaj për përvojën e punës në diplomaci.

Taip Sulko: Për mua ka qënë një kënaqësi e madhe të punoja në Radion e Jashtme. Sikurse e përmendët edhe ju, unë kam studiuar gjuhë-letërsi që e doja, por që ishte edhe hapi i parë në përmbushjen e ëndrrës sime për t’u bërë gazetar. Krahas gjuhë-letërsisë kam studiuar edhe gjuhën hungareze. Kjo më dha mundësinë që, pas diplomimit, të filloja punën si përkthyes në Radion e Jashtme. Kur njerëzit janë të rinj krenohen si pa të keq. Më lejo për pak t’i rikthehem shkujdesjes së asaj moshe dhe të them se isha një ndër përkthyesit më të mirë të hungarishtes. Me këtë dua të them se puna ecte shumë mirë, por e braktisa përkthimin sepse doja të bëhesha gazetar. Dhe kjo ndodhi. Pas 2-3 vitesh u bëra gazetar në Radion e Jashtme. Në atë kohë Radio Tirana trasmetonte në dyzet gjuhë të huaja. Unë, në fillim mbuloja kryesisht Hungarinë, me përqëndrim tek kultura dhe artet. Kam një kujtim që dua ta ndaj me ju. Ishte një sukses i papritur, si të thuash një befasim jo i vogël. Eshtë fjala për shkrimin tim të parë i cili u shkrua në 31 dhjetor kur të tjerët s’punonin apo e linin punën shpejt. Por atë ditë ishte datëlindja e Petëfit, poetit më të madh hungarez. Cilësohet si poet i lirisë dhe ka vdekur në moshën 26 vjeçare, duke luftuar për lirinë e vendit të tij. Në 31 dhjetor, shkrimi për Petëfin u transmetua në Radion e Jashtme dhe u pëlqye shumë. Por befasia e madhe erdhi pas një ose dy javësh, -ministria e Jashtme e Hungarisë, mendo, në atë kohë marrëdhëniet ishin si të ngrira, po, pikërisht MPJ e Hungarisë dërgoi një letër falenderimi përmes ambasadës shqiptare në Budapest në të cilën shprehte falenderimet për shkrimin me nivel të lartë dhe me ide frymëzuese. Ishte koha kur Hungaria po luftonte përsëri për lirinë e vet, synonte të linte Traktatin e Varshavës dhe t’i bashkohej botës së lirë. Ky shkrim tingëlloi mbase si mbështetje, si nxitje për lirinë. Për mua ishte një befasim i madh, më dha fuqi për të vazhduar kështu, po kaq bukur, derisa arrita tek një moment, të një kthese tjetër, të cilën po ashtu desha ta them. Duke lexuar shumë shtypin hungarez dhe të vendeve të tjera, sidomos buletinet e agjencive të lajmeve nga bota, mua mu krijua një pamje tjetër. Hungaria ishte një vend prijës në reforma, ndërsa Shqipëria politike ishte ajo që ishte, në një drejtim të gabuar, me një pozicion tepër kritikues. Edhe pse e doja gazetarinë duhej që edhe atë ta braktisja. Ka qënë një dhimbje, një keqardhje e madhe! Pas ca kohe e gjeta mënyrën për të kaluar prapë tek përkthimi. Desha, për herë të parë të përmend një gjë që në atë kohë vetëm gruas ia kam thënë- se ne, Shqipëria, nuk themi atë që duhet. Nuk dua të jem më gazetar. Në heshtje u tërhoqa, kalova vullnetarisht tek përkthimet derisa ndodhën ndryshimet në Shqipëri.

Jaho Margjeka: Z.Sulko, dhe pastaj ju e vazhduat karierën në fushën e diplomacisë. Si ka qënë angazhimi juaj në shërbimin diplomatik?

Taip Sulko: Puna në diplomaci është nga më të bukurat. Unë kam shërbyer si në ministrinë e Jashtme ashtu edhe në përfaqësitë jashtë vendit. Për fatin tim, kam qënë në vende mike si në Hungari, Poloni dhe Kanada dhe puna kryesore ka qënë forcimi i marrëdhënieve të këtyre vendeve me Shqipërinë. Sigurisht, kudo që kam qënë në ministri apo në përfaqësi, si për gjithë diplomatët, një pjesë të madhe të kohës e zinte çështja e Kosovës. Kjo ka qënë pjesë e kontributit të rëndësishëm që ka dhënë në heshtje Shqipria për atë çështje të madhe.

Dua të ve në dukje se, pas disa vitesh në shërbimin e jashtëm, kur ministër i Jashtëm u bë Besnik Mustafaj, unë u emërova në fillim drejtor i Azisë dhe Afrikës dhe pastaj drejtor i Diplomacisë Publike dhe Informacionit. Nga gjithë përvoja ime në diplomaci, desha ta dalloj rolin e Besnik Mustafajt në profilin e tij të lartë si intelektual dhe ministër i Jashtëm.

Puna në diplomaci, sidomos kur isha drejtor, më ka dhënë ndjesinë se edhe unë po jepja ndihmesën time modeste që Shqipëria dhe puna e diplomacisë shqiptare të bëhej më e njohur si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Po ashtu kam pasur fatin që ato vite të jem përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Mediave të Këshillit të Europës. Kjo më ka dhënë mundësinë t’i njihja shumë gjëra nga afër, të njihja vende, situata, personalitete dhe të udhëtoja shumë nëpër botë. Ka qënë një përvojë jashtëzakonisht e rëndësishme, që i ka shtuar njohuritë, përjetimet, dhe sigurisht, përmbushjen kulturore.

Jaho Margjeka: Z.Sulko, le të flasim për krijimtarinë letrare. Përveçse gazetar dhe diplomat, ju jeni tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i disa librave me poezi dhe prozë. Kur e keni filluar krijimtarinë letrare dhe cilat janë librat tuaj, që ne i përmendëm, por mbase të na thoni cilët keni më për zemër.

Taip Sulko: Kam filluar të shkruaj shpejt, por botimet në gazeta i kam filluar pasi shkova me studime për letërsi në 1977, në fillim në gazetën Studenti dhe Zëri i Rinisë. Ngaqë kisha ndihmesë në gazetën Studenti, mu dha edhe mundësia e atij që quhet frekuentim i lirë i universitetit. Nuk e shfrytëzoja shumë frekuentimin e lirë sepse doja të isha i pranishëm në leksione dhe në mësimin e gjuhës hungareze. Më pas kam botuar edhe në Revistën Nëntori, në gazeta të tjera duke ardhur deri tani tek gazeta Exlibris. Në fillimet e mia kam botuar poezi, tregime, apo shkrime për letërsinë.
Ndërsa librat që kam më për zemër dhe që ju i përmendët, janë “Portat e Qiellit”, me poezi, botuar në 2020, por sidomos romani ‘I arratisuri” i botuar në 2024.

Jaho Margjeka: Do të ndalemi më hollësisht në këto dy vepra, pra të flasim më hollësisht për magjinë e fjalës dhe vargut. Do të doja të bisedonim fillimisht për romanin “I arratisuri”. Dhe më pas për vëllimin poetik “Portat e Qiellit”. Diçka shkurt për kohën që u shkrua ky roman dhe tematikën që mbart ai.

Taip Sulko: Shiko, janë shkruar shumë shkrime për këtë libër, për romanin “I arratisuri”. Në njërin prej këtyre shkrimeve romani “I arratisuri” cilësohet si “libri i jetës së një autori”. Kështu mendoj edhe unë. Së pari ky roman ka marrë shkas dhe ka në cohën e vet ngjarje për mua të pashlyeshme nga fëmijëria, shtysa nga mjedisi dhe njerëzit që më kanë rrethuar. Një nga kritikët e ka kapur bukur dhe thotë se ky roman, me mjete të tjera, të reja, bën një prerje ndryshe të shoqërisë shqiptare. Këtë synoja, këtë bukë doja të gatuaja, një shije e plotë shqiptare, por me erëmim myzeqeje. Dhe e dyta: “I arratisuri” është libri i jetës time sepse ai ka jetuar shumë kohë brenda meje, që kur kam filluar studimet për gjuhë-letërsi, mbase edhe më parë që kur jam njohur me veprat e mëdha në të cilat flitet për botën e një fëmije apo një të riu (kur ky është vet autori), si David Koperfildi i Dikensit, Universitet e mia të Gorkit, Triologjia (Fëmijëria, Adoleshenca, Rinia) të Tolstoit, e sidomos “Kronikë në gur “ e Kadaresë. Me thënë të drejtën, që atëhere dëshira ishte e madhe, por për shumë arsye, ndjehesha si i ngrirë, më dukej e pamundur ta zhvilloja ashtu si duhej në atë kohë.

Ndërkaq kam një të fshehtë për këtë libër. Pasi e mbajta shumë kohë në mendje, idenë e hodha në një copë letër që e ruaja gjithnjë në kuletë. Kuletat ndryshonin, por copa e letrës ngelte. Për shumë vite. As e shkruaja as e harroja.

Dhe një gjë tjetër, në fillim ky libër nuk ishte me këtë titull “I arratisuri” por “Fëmija i fatit”. Ky titull, “Fëmija i fatit”, të jepte dorë për të shkruar. Por nuk ishte mjaft. Më ligështonte. E shihja se ai libër do ishte “fëmija e vuajtjes dhe frikës”, për çka është shkruar kaq shumë. Do të tingëllonte si i njohur. Ndaj edhe ngeli vetëm tek 50 faqet. Shumë më vonë, në fillim të vitit 2015, në një kohë tepër të vështirë për mua, kur kisha ngelur i papunë ndërkohë që kisha humbur edhe nënën, e kur për të rimarrë pak veten shkoja në shetitje të gjata ndodhi që rastësisht të kapja edhe ftetët e romanit “Fëmija i fatit”. Por nuk më pëlqeu. Kjo tematikë më ngjante se e shtynte, si ngjarjen si rrëfimin në një rrjedhë disi të ngathët, të mërzitshme.

Jaho Margjeka: Më lejoni Taip të nënvizoj se ju thatë që në ato momente që ishin të vështira, u arratisët në vendlindje, u arratisët në fëmijëri. Jo diku, jashtë shtetit, siç mund të krijohet ideja e ndokujt që nuk e din përmbajtjen e këtij romani.

Taip Sulko: Po vërtet, vendi më i mirë për tu arratisur në çastet e vështira është vendlindja, atje ku ke njohur dashurinë e prindërve. Të falenderoj që e kape kaq bukur këtë ide. Sikurse e përmenda edhe më lart, do të doja ndërkaq të ritheksoja se fillimi për një mërgimtar është i ashpër. Në një nga intervistat e mia, fillimin e mërgimtarit e kam krahasuar me përvojën e një njeriu të hipur në një varkë të vogël e që vozit në det të trazuar. Por sigurisht familja e më tej edhe letërsia, shkrimi, poezia ishte direku ku mbahesha fort në ato kohë jo të lehta.

“Fëmija i fatit” siç thashë, më la të pakënaqur. Duket se isha në një gjendje tjetër krijuese. Ngadalë përmes atyre sfidave, në një mjedis të ri, tjetër, kisha arritur tek një kuptim i ri i të shkruarit, por jo vetëm për të por edhe për kuptimin e qënies njerëzore dhe shoqërisë në përgjithësi. Nga libri i ri, doja diçka ndryshe, që thoshte më shumë, fort, shpejt, në mënyrë më filozofike për njeriun, e gjitha kjo me lëndën e një kohe që ziente brenda meje. Ato ditë edhe lindi ideja që të rishkruaja nga e para romanin, tashmë me titullin “I arratisuri”, i cili të jepte dorë për zhvillime të shpejta, ngjarje të forta, konkluzione më të thella për qënien njerëzore dhe jetën. Ky ndryshim i shënoi edhe kohën kur unë nuk shkruaja më, duke ndjekur ngjarjen, por ishte romani që më tërhiqte pas vetes e që ecte shumë shpejt para meje.

Jaho Margjeka: Shumë vlerësime nga emra eminentë të fushës së letrave për roamin “I arratisuri”. Kam këtu para meje pafund shkrime sa s’kam kohë t’i përmend. Po them se për këtë roman janë bërë shkrime, shkrime të plota, Përveç asaj që thotë kritika, sipas jush, çfarë e bëri të sukseshëm këtë roman?

Taip Sulko: Ju falenderoj, për këtë pyetje prej gazetari profesionist, por që është edhe vetë krijues e poet, e që e di mirë thelbin e krijimit, thelbin e një vepre artistike.

Që të flas shkurt: do të rendisja së pari ngjarjen- pra ka në qendër një veprim që, siç thashë, e tërheq shkrimtarin pas vetes. Eshtë një nga rastet kur shkrimtari nuk ka më nevojë ta shtyjë veprimin ai të tërheq. Po ashtu, përveç veprimit, në punën time më ka tërhequr edhe ideja se si shkruhet një roman i mirë i kohës së sotme, që përfytyrohet si një botë, një botë e vogël, por e plotë, e jotja që të rrethon ty me një frymë ndryshe. Them se ky roman pëlqehet edhe prej mënyrës së rrëfimit. Veprimi kalon shpejt nga një ngjarje tek tjetra, fjalët dhe fjalitë tërheqin shpejt njëra-tjetrën, mua më është dukur si një përrua që zbret nga mali, duke mbartur edhe theksime përndrituese, filozifike.

Njeriu, kur flet për veten, shpesh ka frikë se mund t’i tejkalojë kufijtë e modestisë. Që ta kapërcej disi këtë gjë të pakëndëshme, do të doja të lexoja disa rreshta nga ajo që ka shkruar për këtë libër një nga tregimtarët dhe eseistët më të mirë që ka letërsia shqipe; nga Lazër Stani. Në pak rreshta përmblidhet mjaft mirë ajo që sjell romani “I arratisuri”. Besoj se koha na e lejon.

Jaho Margjeka: Po, patjetër!

Taip Sulko: Lazër Stani shkruan: Romanin “I arratisuri” e kam lexuar me një frymë, çka nuk më ndodh shpesh me romanet e autorëve shqiptarë.

Teksti i këtij libri është i rrjedhshëm, rrëfimi i gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse. Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri. Gjuha ndërkaq është e begatë, që, pa u kthyer në qëllim në vetvete, e bën rrëfimin mbresëlënës.

Më ka pëlqyer veçanërisht perceptimi i jetës së individëve (personazheve) nën hijen kërcënuese të diktaturës, që në çdo çast përgjon si një përbindësh i gatshëm të të gëlltisë.

Eshtë një roman i shkruar për ankthin e lirisë së munguar që, me sa duket, ajo tokë nuk do ta gjejë kurrë në plotninë e saj.

Unë, si Taip Sulko, do të thosha se nuk jam plotësisht i një mendje me Lazrin për fjalinë e fundit, por dua të theksoj se ai e ka thënë shkurt dhe bukur se çfarë sjell ky roman.

Jaho Margjeka: Po, shumë bukur! Përveç atyre vlerësimeve të mëdha që ka marrë romani, dua të përmend edhe atë që thotë botuesi Naim Zoto që e cilëson librin si një sagë myzeqare ndërsa recenzenti Çerçiz Loloçi ka vlerësime mjaft të mira për këtë libër. Dua që të kalojmë pas pak tek poezia, por para se të kalojmë atje: A ke pasur një model për ta shkruar këtë roman? Kam parasysh bardin e Myzeqesë dhe jo vetëm Myzeqesë, por edhe të letrave shqipe, Jakov Xoxën, apo ndonjë tjetër.

Taip Sulko: Të falenderoj që përmende Çerçiz Loloçin, mikun tim, i cili më ka ndihmuar shumë, po ashtu edhe Naim Zoton, i cili po ashtu ka dëshmuar një qëndrim tepër miqësor dhe mirëkuptues. Në të vërtetë ishte Çerçiz Loloçi ai që e përmendi i pari togfjalëshin “sagë myzeqare”. Këtë ide e shtjelloi më tej Naim Zoto. Me Naimin dhe Çerçizin kemi biseduar gjatë, bisedat me ta ishin si intervista që kam ndërmend t’i botoj. Naimi më pyeti drejtpërdrejt duke hequr një paralele mes romanit “I arratisuri” dhe “Lumi i Vdekur”. Përgjigja ime ishte: E vlerësoj shumë romanin “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxes. Kam qënë i lumtur që e kam lexuar që kur u botua, madje atëhere, në shkollë të mesme, jam ftuar e kam dhënë edhe një intervistë për romanin “Lumi i Vdekur” në TV Shqiptar. “Lumi i Vdekur” është një vepër e madhe. Edhe “I arratisuri” ka një shumësi ngjarjesh, personazhesh e të tjera që afron me “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxes, por mënyra e rrëfimit, stili i ndërtimit, atmosfera, mesazhet, ndërtimi i personazheve, janë krejt të ndryshme.

Jaho Margjeka: Romani “I arratisuri” është voluminoz, është 320 faqe. Eshtë një botim shumë i mirë, i pëlqyeshëm dhe gjendet në Tiranë. Pra “I arratisuri” i Taip Sulkos, botim i vitit 2024, ende i ri.

Taip Sulko: Po e vërtetë. Të falenderoj!

Jaho Margjeka: Le të flasim tani për librin me poezi “Portat e Qiellit”, botim i vitit 2020. Kur janë shkruar këto poezi. Në çfarë periudhe?

Taip Sulko: Të falenderoj për pyetjen. Në vitin 2009 u botua vëllimi i mëparshëm me poezi, “Toka e Premtuar”. Poezitë e vëllimit ”Portat e Qiellit” janë shkruar nga viti 2009 deri në vitin 2020 kur u botua ky libër. Një periudhë kohore jo e vogël, rreth 11-12 vjet. Poezitë për librin më të fundit janë shkruar një pjesë në Tiranë, por shumica në Otavë, në Kanada.

Jaho Margjeka: Sigurisht që Taip Sulko është një poet, por tashmë si të thuash ia ka marrë anën ajo pjesa e romancierit. Apo shkojnë paralel të dyja?

Taip Sulko: Po nuk është kaq e ndarë. Të dyja. Që nga 2020, kur u botua libri me poezi “Portat e Qiellit”, kam shkruar poezi dhe do të isha gati të botoja një libër të ri.

Jaho Margjeka: Do të pyes në fund z.Sulko! Mos ta ndryshojmë klishenë e intervistës, sepse në fund të bisedës pyetet autori për planet krijuese të së ardhmes. Apo jo?

Taip Sulko: Po, po, e drejtë!

Jaho Margjeka: Tani më lejo të lexoj një poezi tuajën, i dashur Taip!

Taip Sulko: Më pëlqen. Të falenderoj shumë!

Jaho Margjeka: Po e lexoj unë. Kam zgjedhur rastësisht një nga poezitë e tua dhe do ta sjell për kënaqësinë e lexuesve dhe për kënaqësinë tonë, natyrisht.

​​​​BUKURIA NJERËZORE
Jam krijuar ta dua bukurinë njerëzore,
edhe kur qan, me faqet me çurgë lotësh.
Edhe një ditë me shi, ditë është, e dua.
Mjaft, them, kam parë qiellin dhe kaltërsinë e tij,
dua tashmë të shoh më shumë sytë e tu të bukur.
A ka diçka më të lumtur se frymëmarrja e detit në mbrëmje?
Unë jam, kur shëtis buzë ujërave përdore me fëmijët e mi.
Vij nga dashuria për njeriun,
s’e braktis as në lojën e fundit të frymës,
si gjethe e thatë që era e hedh rërës në shkretëtirë,
derisa të prehet tek një shkëmb që po tretet.
Ajo që është si klithmë fëmije tek ai, ajo më magjeps.
E dua, deri në pafundësi më ngazëllen bukuria njerëzore.
E kush tjetër din të vetëflijohet për racën e vet si njeriu?
Të jetë fare afër Qiellit e prapë ta adhurojë Zotin?

Taip Sulko: Të falenderoj shumë Jaho, e lexove bukur, më emocionove. 

Jaho Margjeka: Tani, Taip, po i vjen fundi këtij bashkëbisedimi sot, për të cilin iu thashë lexuesve, është i pari, por nuk do të jetë i fundit. Dhe me siguri do të dëgjohemi kur të kemi botime të tjera që, sikurse thatë, do të vijnë pas botimeve të tanishme.

Taip Sulko: Ju falenderoj shumë për mundësinë!

Jaho Margjeka: Atëhere, Taip, në emër të dëgjuesve ju përshëndes përzemërsisht. Ju uroj shumë suksese! Dhe një përshëndetje edhe për krijuesit e tjerë që janë jo të pakët jo vetëm në Otavë, por gjithkund në Kanada, si dhe në Shtet e Bashkuara e vende të tjera, në Amerikë. Ju falenderoj Taip Sulko!

Taip Sulko: Unë ju falenderoj shumë. Ne që jemi larg na merr shumë malli për vendin. Por ju, Radio Tirana me këtë emision dhe ju, Jaho, me fjalë kaq të mira, kaq të adhurueshme, jo vetëm më keni kthyer në Shqipëri, por edhe më keni bërë të ndjehem shumë mirë atje. Të falenderoj shumë!

Jaho Margjeka: Të falenderoj për fjalët e mira. Dhe sikurse e thashë, e kam bërë me zemër. Mirëudëgjofshim dhe mirëupafshim!

29 qershor 2025.