Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: “ADN” e Historisë së Mjekësisë

Për kulturë mjekësore

Mjek, pacient. Shëndet, sëmundje, shërim, vdekje. Vdekje të pa pritura, “autopsi e bardhë”, terapi pa efekt. Shpresë, gëzim, hidhërim, dëshpërim, zhgënjim etj.

Këto fjalë janë thënë nga njerëzimi ndërshekuj në mjekësi e, përmenden dhe sot, kudo në botë, pa dallim kontinenti apo shteti, race e kombësie, moshe e gjinije, qoftë president, i pasur apo i varfër…

Mjekësia në ditët e sotme është një nga profesionet më të preferuar nga të rinjtë gjimnazistë. Figura e mjekut ka qënë dhe është ndër më të respektuarit në botën e civilizuar.

Por, nga ana tjetër, Mjekësia është një nga profesionet më sensitive në opinionin publik, veçanërisht  kur ndodhin dështime e ngjarje të pa dëshiruara…

Le të ndërmarrim një udhëtim kapërcimthi në spiralen “gjenetike” dritë-hije të historisë së mjekësisë ndër shekuj.

Mjekësia hyjnore: Shpirti

Homeri tek “Iliada“ (shek.IX p.e.s) përmend “Mjekun e madh dhe pa vese”, që është Asklepios. Ai tregon raste plagosjesh dhe, se si mjekoheshin. Asklepios u ndihmua nga dy bijat e tij: Higjiena – perëndeshë e shëndetit dhe nga Panacea -perëndeshë e barnave.

 Simboli i Mjekësisë shërbente si kurë shërimi: Shkopi – arma e Zotit, Gjarpëri – simbol i Rinisë, Pasqyra magjike – Diagnoza dhe Prognoza, Kupa – burim i Mirësisë

Mjekësia antike greke: Trupi – Mendja – Shpirti

 “Epoka e artë e Perikliut”, shek. V p.e.s. Koncepti filozofik i paraprinë Mjekësisë. 

Platoni dhe Aristoteli janë dijetarët më të mëdhenj të kohrave.  

Aristoteli (384-322 p.e.s.) ishte i pari që bëri eksperimente në trupin e kafshëve dhe të studionte embrionin. U hodhën themelet e Anatomisë së krahasuar: kafsha-njeriu.

Mjekësia tradicionale: Njeriu dhe Natyra

Dijetarët e Greqisë së lashtë janë themeluesit e Mjekësisë Perëndimore. Hipokrati (shek.V p.e.s).  “Babai i mjekësisë moderne”.

Në Greqi ngrihen  tre Shkolla Mjekësore: në RODOS, KNIDOS dhe në KOS. Shkolla e Hipokratit i dha rëndësi ekzaminimit klinik të pacientit: shenjave klinike, observimit empirik tek shtrati i të sëmurit (shqisat) dhe dokumentacionit.

Bëri kategorizimin e sëmundjes: sëmundje akute, kronike, endemi dhe epidemi, si dhe përshkroi fazat e sëmundjes: degjenerim, ethe dhe kriza. 

 Rendësi ju dha aspektit moral të mjekut. Betimi i Hipokratit ka qenë në programin e shkollave mjekësore deri në shekullin e XVIII-të.

Corpusi i Hipokratit është një koleksion prej 70 punimesh të hershme mjekësore të shkruar në  greqishten jonike nga dishepujt, pas vdekjes së Hipokratit.

Në Perandorinë Romake

Mjekësia në Romë konsiderohej si një profesion jo i denjë për një qytetar romak. Mjekët e parë në Romë ishin të huaj, kryesisht grekë. Ata u bënë mjekë të skllevërve, të gladiatorëve dhe të mbretit.

Mjekët ju përkushtuan Higjienës si masë mbrojtëse për shëndetin e njeriut.

U sistemuan kanalizimet e ujit të pijshëm dhe të ujrave të zeza.

Romakët janë quajtur higjienistë të shquar, por mjekë të këqij! Grekët janë quajtur mjekë të shquar, por higjienistë të këqij”!

Në Perandorinë  Romake gjuha zyrtare ishte gjuha latine, kurse në  ambientet mjekësore  dhe në terminologjinë mjekësore ishte gjuha greke. 

Dhe në ditët e sotme, latinishtja përdoret në disa degë të shkencës, si p.sh. në Mjekësi, në Biologji, Veterinari…

Galeni Aelius Galenus “Papa i Mjekësisë” (Shek.II e.r).

Korpusi i Galenit kishte rreth 50 traktate Në shkrimet e tij Galeni sintetizoi njohuritë mjekësore dhe biologjike.

Teoria Galenus dominon Mjekësinë për 15 shekuj, deri në shek. XVIII-të në Evropë! “Medicus curat, natura sanat”. 

“Mjeku është një administrator i shëndetit. Por, Natyra e shëron”! (Proverb latin)…

Mjekësia në  Evropë (shek. V-XV), në Mesjetë bie në duart e kishës dhe në vartësi të Filozofisë. Mjekësia është në errësirë!

Mjekësia në botën islame lulëzon. Ajo njohu kulmin e saj midis shek.IX-XV-të

Mjekësia islame u mbështet në trashëgiminë mjekësore greko-romake.

Galeni dhe Hipokrati në botën islameishin autoritetet mjekësore.

Tekstet e tyre u përkthyen në arabisht në vitet 830-870.

Shkolla Mjekësore Gundishapur (shek.VI-VII), ku u trainua gjenerata e parë e mjekëve persianë.

Avicena (980-1037), “Princi i dijetarëve”.

Traktati i tij “Kanuni i Mjekësisë” është referuar si libri më i famshëm në Historinë e Mjekësisë deri në shek.XVII.

Gjatë shek. XII dhe XV-të u themeluan shkollat mjekësore në Europë: 

Paris-1110, Bolonja–1158, Oksford-1167, Montpelie-1181, Kambrixh–1209, Padova-1222, Tuluzë-1233, Sevilje–1254, Pragë–1348, Krakov–1364, Vienë–1365, Heidelberg-1386, Glasgou–1451, Bazel–1460, Kopenhagen-1478.

Në fund të shekullit të XV këto shkolla morën një formë të plotë.

Universitetet, shek.XII-XV-të

Universitetet u themeluan me leje mbretërore, jashtë autoritetit të kishës.

Në vitin 1224 perandori Frederik II i Siçilisë themelon Universitetin e Napolit, që është universiteti i parë shtetëror me profesorë të paguar nga Mbreti.

Universiteti qartësonte e garantonte formimin e nevojshëm arsimor për ushtrimin e profesionit të Mjekut. Rregullonte formalizimin e marrëdhënieve midis pedagogut, nxënësit dhe kishës. Rregullonte detyrimet dhe privilegjet për profesionistët në mjekësi.

Universiteti vendoste lejen (liçencen) e ushtrimit të mjekësisë, pasi mjeku të kishte kaluar paraprakisht provimin pranë shkollës mjekësore të Salernos “Civitas Hippocraticas”.

Në Evropë, tekstet mjekësore arabe filluan të përkthehen në latinisht. Mjekët mësonin në mënyrë empirike të bazuar në literaturën arabe (Avicena, Albucasi) dhe në tekstet e lashta greke dhe romake (Aristoteli, Hipokrati, Galeni) të përkthyera në gjuhën latine.

Mësimi teorik shoqërohej me praktikë mjekësore. Mësimi zhvillohesh në gjuhën latine.

Kisha krijoi Universitetet dhe spitalet e saj. PAPATI (1249) i atribuon Kryedhjakut të Katedrales të drejtën e dhënies “Liçencën e pedagogut”në fund të studimeve.

Në Evropë, në periudhën e Rilindjes, shekujt XVI-XVII-të janë shekujt e evolucionit shkencor në mjekësi.

Mjekësia klasike: Organizmi i Njeriut

Mjekësia në shekullin e XVI-të është progresive dhe konservatore.

U lejua nga kisha autopsia dhe studimet eksperimentale në trupin e njeriut.

U hodhën bazat e anatomisë dhe të fiziologjisë së njeriut.  

Autoriteti shkencor i teorive të Aristotelit, Hipokratit, Galenit, Avicena etj ishin të pa diskutueshme në mjekësinë e kohës.

Magister dixit…”. “E ka thënë mjeshtri si Platoni, Aristoteli, Galeni… dhe nuk diskutohet”!

Shek.XVI. Autorregullimi dhe autonomia profesionale. Profesioni “Mjek”!    

Në vitin 1511 Parlamenti Anglez hartoi një ligj, që e sanksiononte si krim ushtrimin e mjekësisë në mungesë të titullit të studimeve universitare ose të kishës.

Në vitin1518, me lejen e Mbretit Enrico VIII u krijua “Royal College Physicians”, që kishte të drejtën për t’u dhënë liçenca mjekëve dhe të kontrollonte punën e tyre profesionale.

Për ushtrimin e profesionit të mjekut u ngritën spitale dhe u nxorrën ligje. Nuk lejohej të praktikohej mjekësia pa lejen e nevojshme.

Konsulta midis mjekëve, sidomos në rastet e vështira, ishte e detyrueshme. Etika. Mjeku, që fliste keq për një koleg në publik, dënohej rëndë.

Puna e kirurgut ishte e ndarë nga puna në Mjekësi. Mjekët jepnin vetëm këshilla kirurgjikale, ndërsa operacionet kryheshin nga berberët.

Studenti i mjekësisë në Paris duhej të betohej që, të mos bënte asnjë operacion, flebotomi apo hapje të kufomave.

Kirurgu dallohej nga berberi nga veshja. Ata me fustan të gjatë dhe me kapele katrore në kokë quheshin Berberë-Kirurgë dhe ata me veshje të shkurtër quheshin Berberë.

Vetëm në vitin 1745 u bë ndarja juridike midis kirurgut dhe berberit.

Shek. XVII-të. Kurrikula e studentit në Mjekësi.  

Shembulli i mjekut Rabelais.

Studimet në Mjekësi ishin tre vjet: dy vjet e gjysëm në Universitet dhe gjashtë muaj praktikë në spital. Kjo periudhë përfundonte me Diplomën” Bachelor”. Tema e Diplomës ishte “Aforizmat e Hipokratit” dhe “Art i vogël mjekësor i Galeni-t”. 

Pas diplomimit Rabelais shkoi në Lyon, ku publikoi disa libra mjekësorë.   Këto publikime bënë që ai të emërohej mjek në Hotel-Dieu-Paris.

Për të marrë Liçencën e mjekut, ai dorëzoi tezën një ditë më parë dhe u paraqit në një provim praktik. Rabelais fitoi të drejtën e ushtrimit të  mjekut!

Mbrojtja e doktoraturës në mjekësi ishte një ditë e shënjuar, jo vetëm për mjekun, por dhe për qytetin.

Për mbrojtjen e doktoraturës jepeshin dy provime: 

Provimi i parë kishte më shumë madhështi. Kandidati, një ditë para provimit ecte me kalë nëpër qytet i shoqëruar me bori Serenade dhe nën tingujt e violinave.

Ditën tjetër jepesh provimi i dytë para gjithë mjekëve, kirurgëve dhe parfumierëve.

Shek. XVII i teorive dhe i zbulimeve të reja. 

Profesionet mjekësore organizohen në mënyrë rigoroze në korporata. 

Në Mjekësi dominojnë teoritë:

Teoria Jatrokimike, që i shpjegon proceset jetësore si fenomene kimike. Teoria Jatrofizike, që i shpjegon fenomenet e organizmit me ligjet e fizikës (mekanikës). 

Zbulime në mjekësi: William Harvey, 1628 zbulon qarkullimin e gjakut dhe shpjegon të gjithë fenomenin.

Fillon organizimi i shkencëtarëve në Akademi të Shkencave si:

Accademia dei Lincei në Romë (1603, Shoqëria Mbretërore në Londër (1645).

Louis XIV krijoi “Akademia Mbretërore e Shkencave” në Louvre-Paris. 20 Janar 1699.

Shek.XIX. Mjekësia moderne

Mjekësia po çlirohet nga filozofia dhe bazohet në hulumtimet shkencore anatomike, fiziologjike, klinike dhe bio-kimike. 

Ndërtimi dhe funksionimi i trupit të njeriut u njoh nga brenda organizmit si: anatomia, qeliza, indi, organi…, si dhe u formuan koncepte të qarta, se si ai funksion: proceset biologjike, kimike, bio-kimike, fizike e fiziologjike.

Parisi në shek.XIX ishte qendra e hulumtimeve mjekësore dhe e mësimdhënies. “Shkolla e Parisit” theksonte, se mësimdhënia dhe hulumtimi në Mjekësi duhen të bazohen në Spitale të mëdha ku ushtrohet  praktika mjekësore.

Në vitin 1808 Napoleoni I-rë propozoi diplomën Bachelor (Baccalauréat fr.) për studentët francezë dhe të huaj në fund të studimeve akademike të Lyceut.

Fillon era e vaksinave. Louis Paster (1822-1895) më 1885 zbulon Vaksinën kundër Tërbimit. Më 14 maj 1796, Edward Jenner i injektoi vaksinën e variolës. Rudolf Virchwv  zbuloi teorinë  qelizore (ndërtimi i qelizës…).

Diagnoza klinike: Auerbruger zbuloi metodën e perkusionit.

Lainek zbuloi stetoskopin (auskultacioni). 

Robert Koch zbuloi bacilin e TBC (1882) dhe bacilin e Kolerës (1883). Fizikanti  Vilhelm Rentgeni, zbuloi  rrezet  X (1895).

Mjekësia fillon të ndahet në disa Specialitete: okulistika, obstetrika, odontojatria. mjekësia ligjore, psikiatria.

Shek.XX. Revolucion në Mjekësi. Kërkimi shkencor dhe metoda shkencore.

Organizmi i Njeriut në tërësi (holistik).

Organizmi i Njeriut u diskutua dhe u analizua jo vetëm si qenie bio-mjekësore por, dhe si qenie psiko-sociale.

Fillon era e antibiotikëve. Aleksandër Fleming zbulon Penicilinën,1928. Crick në vitin 1958 zbulon strukturën e AND-së.

Kristian Barnard në vitin 1967 realizoi transplantin e parë të zemrës.

Në vitin 1978 realizohen “Bebe në epruvetë”.

Ian Wilmut realizon Klonimin “Delja DOLL”, Skoci,1996. 

Pas viteve 1990, kemi një zhvillim progresiv në teknologjinë imazherike si: Scaner Spiral CT. Tomografia e kompjuterizuar tri dimensionale.

Shek.XXI, Mjekësia moderne e sofistikuar

Në zbulim të të panjohurave të organizmit të njeriut  sot harxhohen miliarda dollarë në fushën e hulumtimeve e kërkimeve shkencore në fushën e mjekësisë në progres të teknologjisë si:

Rruga elektromagnetike, Ultratingujt etj. çuan në eksplorimet funksionale -regjistrimi të aktivitetit të trurit dhe të zemrës në distancë.

Në ditët e sotme është një “armatë” e tërë e teknologjisë së sofistikuar  në funksion të shkencës së mjekësisë si: Bioteknologjia, Teknologjia e informacionit – kompjuteri virtual 3D, Telemedicina, Robotika, Kibernetika, Mikroelektronika (çipe në funksion të bio-mjekësisë), Inteligjenca artificiale.

Me gjithë progresin e jashtzakonshëm të shkencës së Mjekësisë në rrjedhën e historisë së mjekësisë deri në shekullin e XXI-të, ende, organizmi i njeriut, funksionimi i tij dhe, patologjitë janë të pa eksploruara tërësisht, me shumë të pa njohura…?!

Historia e mjekësisë do të vazhdojë të shkruhet në pafundësi, sa të jetë jeta e njeriut mbi tokë…!

Informacion plus

YouTube

Andrea GUDHA: ADN e Historisë së Mjekësisë