Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: Eleganca e lotëve

Fragment romani

Fytyra e parë

A e mbajmë mend njeriun e parë që kemi njohur në jetë? Pyetja mund të shtrohet: A na vjen ndër mend së paku fytyra e tij? Këtu fillon, në fakt, një ushtrim jo i lehtë i kujtesës. Ky imazh edhe mund të mos ketë qenë i njeriut më të afërt në familje, por i një personi që na ka bërë ndoshta të mendojmë për herë të parë apo të ndërgjegjësohemi që po mendojmë, ose të cilin e kujtojmë si të parën fytyrë që na shpie kështu te fëmijëria e largët.

Për mua fytyra e parë që kujtoj është ajo e gjyshes nga mamaja. Duket se ka qenë koha kur kujtesa ime filloi të formësohej dhe unë fillova ta shoh botën sa me sytë e mi fëminorë, aq edhe me sytë e saj shpirtërorë, dhe atëherë duhet të kem filluar të mendoj.

Këtë libër ia dedikoj asaj, gjyshes Ganimet Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thirra “nëna” dhe kështu do ta quaj edhe në këtë rrëfim intim, ku ju do të mësoni fatin e një njeriu që kishte shumë, humbi shumë, rigjeti po shumë, por që në asnjë çast nuk iu dorëzua fatit ose, për t’u shprehur më qartë, e pranoi fatin dhe nuk u mposht prej tij.

Ajo për mua mbetet simboli i personit që sakrifikon gjithçka në emër të fëmijëve të saj, duke rrëfyer kështu se nëna e vërtetë jo vetëm të lind, por edhe të rilind dhe të mbron kur i duhet të përballet me stuhitë e egërsisë njerëzore, që shpesh konkurrojnë e kapërcejnë egërsitë natyrore.