Hill: Takimin e Rugovës me Millosheviçin në Beograd e kërkoi Holbrooke
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot rifilluan seanca e planifikuara për rastin Thaçi dhe të tjerët. Anulimi i seancave të mëparshme ishte bërë për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill. Diplomati amerikan, Christopher Hill tha se me çështjen e Kosovës filloi të merrej me kërkesën e ish sekretares amerikane, Madeline Albright.
“Së pari jam përfshirë [në çështjen e Kosovës] nga SHBA në maj të vitit 1998, mora telefonatë nga Madeline Albright që më kërkoi të merrja përsipër postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë, ku i raportoja sekretares së shtetit, Madeline Albright. E kuptova rolin tim që ne duhet të ofronim mbështetje dhe zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim të zbrasnim forcat atje nga dhuna në rritje, jam përpjekur me kolegët që në fillim fare të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë që të rikthehej autonomia e Kosovës dhe në mënyrë të tillë që të kishte qeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha fillimisht ai.
Tutje ai tha se SHBA e kishte të rëndësishme zgjidhjen e çështjes së Kosovës pasi aleatët evropianë ishin të shqetësuar për mundësinë e shpërthimit të konfliktit në kontinent.
“Është gjithmonë e preferueshme të gjendet zgjidhje politike, por në këtë rast ishte e rëndësishme sepse aleatët ishin të shqetësuar për shpërthim të dhunës përsëri në kontinent dhe donin këmbënguljen që të arrihej zgjidhje politike, për këtë arsye kemi punuar ngushtë me evropianët. Grupi i kontaktit ishte mekanizëm koordinues ku përfshiheshin interesat e Rusisë, SHBA dhe evropianët, nuk përfshinte të gjitha shtetet evropiane, përfshinte; Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe më vonë edhe Italinë pasi kishte interes të madh në Ballkan për shkak të afërsisë gjeografike. Grupi i kontaktit kishte nivele të ndryshme. Puna ime e përditshme ishte leximi i raporteve të shtypit dhe koordinimin me palët e tjera të interesuara përtej grupit të kontaktit.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill tha se në Kosovë kryesisht kontaktonte me ish-Presidentin, Ibrahim Rugova teksa në Serbi me atë serb, Sllobodan Millosheviq.
“Ishte e rëndësishme të bisedojmë me palë të ndryshme që do ishin pjesë e zgjidhjes së problemit, kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar qoftë nga pala serbe apo nga ana e Kosovës. Nga pala serbe kam kontaktuar me ish presidentin serb dhe ekipin e tij, nga pala serbe ishte shumë e kufizuar ishte kryesisht Millosheviq. Kjo në atë kohë ka qenë sfidë e madhe [kontakti me autoritete në Kosovë], nuk ishte problemi që të gjendej dikush që kishte mendim, por dikush që kishte autoritet, një prej personave ishte kryetari i LDK-së. Ibrahim Rugova kishte pasur pozitë udhëheqje në Kosovë edhe pse ishte pozitë jo-formale, por kishte mbajtur këtë pozitë për një dekadë. U takova me atë në vitin 1999 dhe ai ishte një udhëheqës në Kosovë i mirëpranuar, por përkundër Serbisë, Presidenti Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të bisedohej në Kosovë sepse nuk përfaqësonte të gjitha pikëpamjet. Në Serbi ishte vetëm një person më të cilin ne komunikonim, kjo situatë nuk pasqyrohej në Kosovë. Në Kosovë kishte diskutime, këto ishin diskutime që unë kam bërë me Presidentin Rugova, por nuk ishin të mjaftueshme për të kuptuar pozitën e Kosovës. Ambasadori Holbrooke ndihej i frustruar që vazhdonte të kishte probleme në Ballkan pas Deytonit, ai mendonte që duhej të angazhohej në një mënyrë apo tjetrën për të gjetur zgjidhje dhe më dha shumë këshilla, ai këshilloi edhe sekretaren Albright. Ishte jashtëzakonisht aktiv kishte mendime dhe shumë prej tyre ishin të vlefshme”, tha ai.
Tutje, diplomati amerikan dha detaje edhe mbi takimin e ish-presidentit Rugova me Millosheviqin në Beograd.
Hill tha se ky takim ishte kërkesë e ambasadorit Holbrooke teksa tha se Rugova nuk ishte në pozitë për të refuzuar menjëherë sugjerimet e ambasadorit.
Sipas tij, ky takim i Rugovës i bëri dëm atij pasi në shoqëri ishte krijuar përshtypja se ai nuk po arrinte progres në raport me Serbinë.
“Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë. Unë shkova me të dhe ne u ulëm me Presidentin Rugova, edhe pse nuk e kishim menduar paraprakisht, ambasadori mendoi që do ishte ide e mirë që Presidenti Rugova të takohej me Millosheviçin në Beograd sepse shpresonte që ky takim do të zgjidhte shumë probleme, unë isha më skeptik. Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj që kjo e dëmtoi atë sepse nuk mendoi që kishte mendim të fuqishëm në Kosovë se takimi me Millosheviçin mund të ndihmonte për situatën në Kosovë, ai ishte i shqetësuar por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte sugjerim nga ambasadori. Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoi që kundërshtimi ndaj tij po rritej sepse kishte përshtypje që ai nuk po arrinte progres. Ai po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë, sepse Bosnja kishte rrugëdalje falë marrëveshjes së Deytonit”, tha Hill. /Kosovapress/