Albspirit

Media/News/Publishing

Hill: Thaçi nuk ishte në pozitë për të thënë po në Rambuje

Christopher Hill, ish-i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi sot në mbrojtje të Hashim Thaçit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dëshmia e Hill u përqendrua edhe tek bisedimet në Rambuje në vitin 1999 dhe rolin e Hashim Thaçit në to.

Hill tha se Thaçi nuk e pranoi dokumentin e marrëveshjes për shkak se pavarësia e Kosovës nuk përmendej në të.

I pyetur nga mbrojtja se pse ai nuk e pranonte dokumentin, Hill theksoi: “Thaçi më tha se nëse do ta pranoja, do të më vrisnin sapo të kthehesha në Kosovë”.

Hill tha se Thaçi e kishte thënë këtë në dy raste.

“Unë nuk e pyeta si apo nga kush [do të vritej], por thjesht e kuptova se ai nuk ishte në pozitë për të thënë po”, tha Hill.

Hill: Thaçi nuk ishte personi që e përshkroi Millosheviçi

Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.

Avokati Misetiq e pyeti Hillin nëse Thaçi ishte “luftëtar i madh dhe kishte marrë pjesë në vrasje” siç pretendonte Millosheviç, gjë të cilën diplomati amerikan e mohoi.

“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviqi, por nuk e kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.

Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në

Hill dëshmoi edhe për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“M’u krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.

I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill theksoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.

“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk m’u krijua përshtypja se ai ishte një person që e kishte në kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.

Gjyqi në Hagë ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ish-krerët e UÇK-së i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999. /rel/