Ruzhdi Gole: Zogu Ag
Përhera, ditënatë, një zog fluturon
nga Kulla e Sahatit të Tiranës
për në bregdetin port
me sirena në kokë
dhe me postë
të kaltër.
Zogu i Agut më i mjeri më i lumi fat
vëllai i vogël i të gjithë fluturakëve
kraharon atypari vrullshëm,
sheh mëngjesin ciflosur
pas një kontrabande
me tyta vula frak
sheh mëngjesin
paqtë buzësh.
Zogu frymor lart pikas gjithçka, ulet
i bien pëndët e i drithërojnë sytë,
qielli me nishane mardhet
vojtja ngjethet ujeve
prej çdo drame
atdheu im
fal çka s’falet
hajdutët – trima huq.
Për be, për be…asnjë re të kaltër
Zogu në qiell më nuk e gjen
krahëlehtë, rëndë – rëndë,
re xhufkazeza therrmë
shpejt i afrohen
ta përpijnë
përzënë.
Ku të fshihet Zogu i zogjve
zogu ynë i gjithë Lutjeve
hiç eskortë hiç kobure
hiç helmetë,
ata, që e duan kanë ikur
tutje prej k’saj aorte
ata që janë afër
i ledhin pulpat
qytetthit tim
tëndin tonin
çalë, atlet.
A e keni parë Zogun të fluturojë
mbi Amfiteatrin dyrrahas
mbi Torrën veneciane
këtë mëngjes glob,
ende s’e keni
parë të vij
prej asaj
Tirane
s’ka shpresë… të shpresojmë?
Sa e gjatë rruga nga Kulla e Sahatit
të mbërri’ në portin Dyrrah-Durrës,
Oooooooo…
Zogu ende nuk është ngritur
në ajër, sheshi “Skënderbe”
i dhimbsuri jetëpërflakuri
mban në duar zogun
me postë të djegur
(prej çdo gjaksi)
mbuluar
me kurorë
puplas … shurdhët.
Përhera, ditënatë, fluturon Zogu Ag…