Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Ish të dashurat përcjellin Hygoin në Panteon

Hygo vdiq!” – lajmëruan kambanat e katedrales “Notre-Dame”,
me kuajt përpara veshur në zi,
trupi i tij nisej nga “Harku i Triumfit”,
një popull i tërë shkonte pas poetit
ta çonte në strehën e “Pantheon”-it,
në tempullin e kurajës e të lavdisë,
dy milionë këmbë rëndonin mbi trupin e drithëruar të Parisit,
një milion zemra e ndiqnin në çdo hap,
njerëzit buzë rrugës tundin kapelet, dhembjet, shamitë,
mes tyre dhe të dashurat e tij të dikurshme,
Louise, Leone, Blanche, Isabelle,
“Victor-i im! pëshpëriste në lot e bukura Esther,

letrat e tua që digjnin i ruaj ende
me vargjet që shkrove për gjinjtë e mi të bardhë,
më thoje se kishin erë jargavani,
ndërsa unë si e çmendur ngjeshja buzët mbi gjoksin tënd,
mbi duart, qafën dhe sytë e ty”.
“Ja tek shkon heroi i Francës”, thoshte populli
“Lavdia dhe britma jonë”, thonin këmbëzbathurit,
dashuria jonë e madhe shtonin ish të dashurat,
Ginette vraponte të shihte kortezhin për herë të fundit
Charlotte pëshpëriste ende nën zë “Victor, i ëmbli im”,
Eleonore qëndronte pa folur si statujë,
“Ti më mësove të dua”, pëshpëriti më së fundi ajo,
thuamë dhe njëherë si dikur: “Jam jeta e jetës tënde”,
thuamë, folmë ëngjëlli im i kuq,
pëllumbi im i bardhë,
ende i kam në buzë të puthurat e tua
të gëzojmë jetën, – thoje ti
dhe unë mbyllja sytë në qiellin tënd të bukur,
më fal që s’të ndoqa mes stuhisë si Juliette
ti, bohem i botës, tribun i lirisë!
“Poeti im bujar po shkon symbyllur…”
përshendet Henrietta me flokët e hirtë
thinjur akoma më shumë për të dashurin e saj,
“Ti më shpëtove nga zija dhe dëshpërimi,
më hape dritaren e madhe të shoh botën,
më dhe kurajon të shkoj në rrugën që ngjitet”
“ndiq diellin” më the, “ndiq dritën”
“S’ka gjë, le të t’i vrasë sytë”…
Dy milionë këmbë shkonin mbi trupin e vrarë të Parisit
dergjur si gjinjtë e një gruaje të ve,
një milion zemra e ndiqnin nga pas,
të rënda dhe të trishta zemrat e të dashurave
që ende këndonin nën zë dashurinë për të:
“Le të jenë dehjet e puthjet tona
shtrati yt i fundmë që vdekja të mos mundë të rrëmbejë
mbi trupin tënd ramë të dehura duke harrur gjithë trishtet e kësaj bote”…

Post Scriptum: Pas vdekjes, biografët gjetën një bllok të tij me emrat e rrugëve, datat, orët e takimeve, inicialet e të dashurave apo emrat e tyre të plotë.