Shkëlqim Hajno: DEGJENERIM NGA ANTIKITETI
-Tregim-
Edhe nga ferra e vogël del lepur i madh.
Zbulimi i mikut tim, Balil Dardani, mësues historie dhe arkeolog amator, ishte i jashtëzakonshëm dhe një befasi për shumë arkeologë, madje edhe për ata me mjekër të Institutit të Arkeologjisë, e pse jo, edhe për vetë “tempullin e epërm”, Akademinë e Shkencave.
As më shumë e as më pak, historiani i viseve tona, në njësinë administrative që atëherë quhej kooperativa e tipit të lartë “Fitorja e leninizmit”, me tetë fshatra — më tepër kodrinorë e malorë sesa fushorë —, i ndihmuar nga fati dhe rastësia, kishte zbuluar gjatë punimeve të traktoristit Jaçe, me llojin qilizëm, te Shpella e Qyçit, statujën e hyjnisë Pan të antikitetit të hershëm.
Ajo paraqiste një figurë gjysmë njerëzore e gjysmështazore, e punuar në bronz. Deri këtu, nuk kishte asgjë për t’u habitur, as për të mbajtur frymën pezull.
Të nesërmen e zbulimit, Balili, me një entuziazëm që s’e kisha parë më parë, më ftoi për qerasje te pastiçeria “Corrodoli” në zemër të qytetit. Herë pas here, kur unë lija punën e zyrës si ekonomist në ndërmarrjen e grumbullim-përpunimit dhe ai zbriste nga fshati në qytet, zakonisht të shtunave, më rrëfente ndonjëherë për punën e tij me kabinetin e historisë e ndonjëherë për ndonjë artikull që kishte botuar si arkeolog.
Kështu, unë dija hollësi për zbulimin e parë të tij, atë të Shpellës së Qyçit, dhe më pas edhe të asaj të Kreshoit, si vendbanime prehistorike.
Shpellat, me të vërtetë, kishin qenë atje qëkur ishte ngjizur bota, por ama, Balili kishte sjellë një tog të madh me argumente, skica e foto mbi shtresat arkeologjike plot gjetje — me eshtra, vegla pune të njerëzve të lashtë, banorë të atyre shpellave — pa llogaritur qeramikat përreth dhe në thellësi të tyre.
Pas kësaj, Balili, si arkeolog amator, u afirmua në sytë e lexuesve, domethënë të publikut, me nja dy botime në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Bashkimi”, si dhe në revistën “Ylli”.
Kaq u desh, dhe një ditë prej ditësh, nga Instituti i Arkeologjisë vjen një telegram në seksionin e arsim-kulturës të rrethit:
“Mësuesi dhe arkeologu amator Balil Dardani të paraqitet në Institut së bashku me zbulimin e ri”.
Për telegramin nga kryeqyteti, Balili u njoftuan se duhej ta merrte jo në postë, por në Komitetin e Partisë, te zyra e sekretarit për Edukimin, te shoku Thanas Kazo.
— Pa na thuaj, djalosh, si është puna e këtij zbulimi që ka marrë dhenë dhe Partia këtu në rreth nuk di gjë?! — iu drejtua shoku Thanas, duke ia ngulur si shtiza sytë e tij gri.
Balili u ndje sikur e vriste këpuca dhe s’e mbante vendi. Ish nisur të priste ndonjë fjalë të mirë, por ja ku përballej me kritika nga Partia!
– Pa na thuaj si është puna që një zbulim që bëhet në rrethin tonë, në territorin tonë, ne e marrim vesh nga bota, kur del nëpër gazeta dhe revista në kryeqytet, në Tiranë! Ja shpjegoja Partisë, ç’është ky Pani apo Panua, si i thoni ju?
Balili e zgjidhi më në fund gjuhën dhe nisi të flasë me pathosin që e karakterizonte në kësi rastesh:
– Shoku Thanas, shoku sekretar, Hyjnia Pan është një figurë nga mitologjia antike greke. Është hyjni e natyrës dhe e kullotave, e cila përshkruhet si gjysmë njeri dhe gjysmë cjap, me brirë dhe me këmbë dhie.
Preku çantën që kish sjellë me vete dhe përsëriti:
-Pani, shoku sekretar, është hyjni e natyrës së egër, i pyjeve, kullotave dhe i zhurmave që dëgjohen në natyrë, si jehonat e flautit dhe tingujt e bimëve…
Ky paska ikur nga kosherja, mendoi sekretari, dhe pasi vuri dorën te faqja, i dha përshtypjen se po e ndiqte me vëmendje të posaçme.
– E çfarë simbolizon ky Pani?
– Ai simbolizon natyrën, jetën e egër, natyrën e paprekur dhe jetën bujqësore e baritore, – tha me një lehtësim mësuesi.
– E ke me vete?
-Po. E kam në çantë, – foli i gëzuar tjetri dhe u përkul mbi një çantë të zezë bakeliti me dy pafta metalike të bardha anash.
Futi duart në të dhe nxori prej andej një lëmsh të mbështjellë me gazeta të vjetra, sa një top i vogël futbolli.
– Ja, vendose mbi tavolinë, – tha sekretari. – Hiqja ambalazhin!
Ndërkaq, statueta u shfaq me tërë bukurinë e saj. Në të binte më tepër në sy penisi i erektuar, i ngritur goxha përpjetë, drejt lartësisë së gjoksit, brirët e cjapit dhe sendi që mbante në dorë, diçka si fyell.
– Aaa, po këtu ka një problem… -mërmëriti shoku sekretar.
–Ku të shpie ty mushka me këtë pamje të degjeneruar të figurinës, me këtë gjënë e ngritur përpjetë?!
Balili ngeci. Nuk i kishte shkuar mendja kaq thellë.
– Atë ashtu e kanë menduar ata, të lashtët… Edhe literatura e thotë se Hyjnia Pan është një figurë gjysmë njeri e gjysmë cjap me brirë, këmbë dhie… – dhe vuri gishtin tregues fatalisht mbi penisin e Panit.
–Kjo…– nuk pati kurajën ta emërtonte me fjalën që ishte, – është simbol i pjellorisë dhe fuqisë natyrore. Sipas literaturës shkencore mund të bëhet fjalë për shekullin e pestë dhe të katërt para Erës sonë.–
– I bukur simbol që na qenka! – u hodh me ironi sekretari i edukimit. — Pse nuk thua që ky është një biçimsëz *) i degjeneruar që na vjen nga antikiteti?!
Balili u skuq. Nuk i kishte mbetur zë. Kishte ngecur mes drojës dhe hutimit përballë pushtetit të sekretarit.
Si heshti pak, si i zënë në faj, Balili kujtoi qëllimin përse e kishin thirrur.
– Po telegrami, shoku sekretar?
-Djalosh, pasnesër, në Komitetin e Partisë, këtu në zyrën time, do të bëhet mbledhja e bërthamës arkeologjike të rrethit. Do të jesh edhe ti. Pastak, do të vendosim edhe për telegramin. Edhe se si e qysh, do prezantohet zbulimin lart, te shokët në Tiranë…
–Shoku sekretar, po telegrami ka ardhur me emër… – guxoi të shfaqte mendimin arkeologu amator.
– Atë, e di Partia! -ia ktheu fjalën me ton të prerë shoku Thanas.
– Dhe kuptoje mirë, djalosh, se je njeri i zgjuar: çdo zbulim dhe gjetje në territorin e rrethit tonë nuk mban vulën e individit, të asnjë individi por të Partisë. Gjithçka i detyrohet asaj dhe udhëheqësit të saj. Mos ke ndonjë mendim tjetër ti? – dhe hodhi vështrimin provokues mbi portretin e Udhëheqësit në murin mbi kokës së tij.
Balili u përtyp. Kjo pyetje i erdhi si një kovë me copa akulli mbi kokë.
–Patjetër, shoku Thanas. Partia është mbi të gjitha…
***
Të shtatë anëtarët e bërthamës arkeologjike ishin vendosur në karriget përreth tavolinës në trajtë “T”-je të sekretarit të Komitetit të Partisë për edukimin.
Sapo kishin raportuar për ecurinë dhe planin tremujor të bërthamës arkeologjike të rrethit dhe masat për një ekspeditë të përbashkët gjatë verës me arkeologët e Tiranës.
– Pa më thoni tani, shoku Kostandin, — iu drejtua ai kryetarit të bërthamës, – ç’mendim keni për zbulimin e ri dhe për paraqitjen në Tiranë të tij?
Tjetri nisi shpjegimin për rëndësinë e zbulimit dhe rolin e bërthamës, duke mos harruar të përsëriste disa herë togfjalëshin e njohur “nën udhëheqjen e Partisë”. Ai tashmë ishte edhe kandidat partie.
– Pavarësisht se zbulimi ynë ishte rastësor, nga punimi me martinel,**) me traktor i tokës pranë vendit të quajtur Shpella e Qyçit, ai, është shumë i rëndësishëm si zbulim. Nuk kemi të bëjmë me zbulime si ato të arkeologut italian Luigi Ugolini në qytetin antik të Butrintit, as me ato të francezit Léon Rey, që drejtoi në vitet 1924–1938 gërmimet në Apolloni; por zbulimi ynë, është vërtet me rëndësi.
-Ja ta shohim zbulimin, – tha sekretari i edukimit.
Balili e vendosi statujën mbi tryezën e madhe.
– Hyjnia Pan është e lidhur me muzikën, kërcimin dhe gëzimin e lirë në natyrë, -shtoi si plotësim Kostandini.
– Kuptova, kuptova, – tha sekretari. –Po nuk ju ngjan pak si biçimsëz i degjeneruar ky Panua juaj? Sidomos me këtë gjënë e ngritur përpjetë! Kështu, do ta çojmë në kryeqytet?Hee?
–Sapo u zbulua, unë e lava me ujë të ngrohtë dhe pastaj me limon dhe uthull molle, për të dalë në dritë çdo element i skulpturës, çdo detaj, -nxitoi të vinte në dukje me sinqeritet Balili.
–Edhe tok me elementët që thotë Balili, edhe ky elementi i ngritur përpjetë!…-tha sekretari me një buzëqeshje të hollë ironike.
Nga fundi i tavolinës u dëgjua Shaqo, anëtar i bërthamës, periferik nga kontributet, por aktiv si anëtar në organizatën bazë të Partisë:
–Meqë është fjala për vendosjen në një ekspozitë jashtë shtetit të Hyjnisë Pan, unë propozoj të bëjmë një gjë…
– Çfarë? – pyeti sekretari, tashmë i zymtë si një re shiu në vjeshtë.
– Po ja, sikur t’ia presim këtë gjënë e ngritur… dhe …jemi në rregull.
– Në asnjë mënyrë! – u hodh Kostandini.
– Ngadalë, shoku Kostandin, ngadalë! – tha sekretari me ton imponues.
Por Kostandini këmbënguli:
– Organi mashkullor në ereksion te Pani, simbolizon fuqinë e natyrës, krijimin e jetës dhe gëzimin e ekzistencës. Është shenjë e lidhjes së ngushtë midis natyrës dhe instinkteve njerëzore. Të tilla pamje kemi edhe tek Satirët në artin grek të shekujve V-IV para Erës sonë…
– Po shikon filxhanët ti, si fallxheshat? – ironizoi Thanas Kazo, sekretari.
Pastaj, si u drejtoi staturën mbi poltronën e ngritur ku ish ulur, hyri te pjesa e konkluzioneve:
– Shokë arkeologë, t’ju pyes si përfundim: kush prej jush është që t’i pritet e ngritura, këtij Panit?
Heshtje. Pas pak, ngriti dorën i pari Shaqoja, propozuesi.
–Tjetër? -pyeti sekretari duke i parë një për një anëtarët e bërthamës .
U ngritën edhe disa duar të tjera, sikundër pati edhe kundërshtime.
Por, gjithsesi, kreu i Bërthamës mbeti në pakicë.
Në kokën e turbullt të të pranishmëve endej një mendim heretik:
“Më mirë, t’ia presim penisin dhe të shkojmë në ekspozitë, apo t’ia lëmë të papreë dhe të mos e shohë dritën e saj? Kjo është çështja!”
Dilemë hamletiane. Jo shaka!
–Shokë, këtë punë do ta shohim edhe një herë si Parti, – konkludoi shoku Thanas dhe e deklaroi mbledhjen të mbyllur.