Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Rrjete sociale apo rrjeta peshkimi?


Sot në mëngjes, duke pirë kafen, hapa Instagramin. Qendrova të shihja një video të Zezit, shoqe rinie. Kishte dalë shetitje nga Viroi në Gjirokastër dhe përcillte pamje nga burimi. Nuancat e blusë vinin sa të bukura aq edhe çlodhëse. U mbajtka mirë Zezi, mendova, kur u shfaq në një selfie me liqenin përbri dhe malin në sfond.
Vazhduan 2-3 video miqsh virtualë, pastaj s’di sesi e s’di se qysh më mori me vete rrjedha e videove reklamë. Një tip sportisti duke pozuar për një lloj deodoranti. Më tej një vajzë elegante që hante sallatë me aq endje sa të ngjante se po shijonte fruta të rralla ekzotike. Pasonte videoja e një djali që hapte kutinë e telefonit të ri sikur po zbulonte thesarin e Ali Babës. E kështu me radhë e kështu më tutje.
Kur hodha sytë tek ora u çudita, kishin kaluar rreth 30 minuta. Goxha kohë, për më tepër në mëngjes, kur truri është i freskët e ‘i hanë duart’ për punë: të meditojë mbi këtë apo atë dukuri, të shkruajë diçka a të lexojë ndonjë gjë që kërkon vëmendje e përqendrim.
Ndjeva keqardhje që gati gjysëm ore të një kohe kaq të çmuar e shpërdorova duke notuar në rrjedhën e një informacioni që vështirë se më hynte në punë. Tërësisht i shpërqendruar kisha parë video, po veten s’e kisha patur me vete, e kisha lenë tek poltroni ku piva kafen e mëngjesit.
Zakonisht qahemi se jeta është e shkurtër, por s’ia përtojmë të hyjmë në Instagram, TikTok e rrjete të tjera për ta bërë edhe më të shkurtër. E ekzagjeroj? Kalojmë minuta e orë të tëra pa e vrarë mendjen, gati duke vegjetuar si ariu që fle në dimër. Edhe kjo është mbase një lloj jete, por në kufijtë e letargjisë.
Në fakt nuk vozita në një rrjet social si instagrami, që është bërë të komunikosh me miq realë a virtualë, përkundrazi rash në një rrjetë peshkimi. U nisa për të parë diçka të thjeshtë, për të komunikuar, por përfundova i kapur në rrjetën e algoritmit.
Ai nuk më dha thjesht video, por më mori kohën, vëmendjen, emocionet. Regjistroi sa qëndrova te çdo pamje, çfarë më tërhoqi, çfarë kalova shpejt. Këto të dhëna, bashkuar me të tjera të vjelura nga mijra e qindramijra përdorues, janë lënda e parë që e shet më pas tek kompanitë e syzeve, çantave, telefonave etj.
Algoritmi u thotë: “Këta persona mund të jenë blerës për produktin tuaj’. Dhe kompanitë në orët e ditët që pasojnë të bombardojnë me reklama të mallit që të ka tërhequr, duke ndjekur moton ‘në mos njeri tjetri mallin do ma marrë/blejë’.
Kompanitë shesin, nxjerrin fitim dhe paguajnë platformat dixhitale për informacionin, aksionerët marrin fitim e investimit.
Të gjithë këta dalin të fituar, vetëm unë e ti dalim si rruar qethur: humbasim kohë produktive, ‘dhjamosim’ trurin a thënë ndryshe budallallepsemi. Dhe kështu nga përdorues të lirë të rrjeteve sociale, përfundojmë si peshq të kapur në rrjetën e bizneseve.
Vras mendjen, pse instagrami, fejsbuku etj. përditë e më shumë po krijojnë sehirxhinj pasivë dhe jo bashkbisedues aktivë? Pa iu përgjigjur kësaj pyetjeje më vjen në mend Marshall McLuhan, që qysh në filim të viteve 1960 parashikonte se teknologjitë e reja të komunikimit do t’i lidhnin njerëzit dhe do ta bënin botën kompakte si një fshat global.
Sot shohim se vërtet falë teknlogjive të reja lidhemi e marrim informacion për çdo vend e popull në kohë reale, po bota është bërë më e ndarë dhe më e përçarë se si rrallë ndonjëherë. Ëndërrohej një fshat global dhe është krijuar një fshat tribal. Vështirë që për gjithë këtë ta kenë fajin teknologjitë e reja. Po kush e paska…?