Ylli Pango: KONKURSI I ANDRRAVE
…Ata që konkuronin për çmimin e Andrrës më të bukur, duhet të ishin së paku andërrimtarë. Të ishin njerëz që shihnin andrra. Andrra të mira a të këqia, të bukura a të pabukura. Veç ama të ishin andrra dhe të ishin parë…
…E meqenëse thuhet se nuk ka njeri që nuk sheh andrra… por problemi është vetëm se disa nuk mbajnë mend asgjë syresh, i binte që konkuruesit të ishin sidomos ndër ata që i fiksonin andrrat…
…Po sikur të ishin nga ata që i sajonin ato? Dhe që dinin t’i tregonin… a kur kërkohej… edhe t’i shkruanin bukur andrrat. Ato të paparat. Më të bukura se andrrat e shikuara (të para)… Andrra-zhgjandrra…
…Së paku një pjesë e konkuruesve mund të ishin të tillë. A së paku ishin nga ata që dinin të kallzonin atë pjesë andrre që u kujtohej. Një pjesë tjetër të saj, e sajonin.
…Dyshohej se kësisoj spekulimi mund edhe të dilte mbi andrrën. Po derisa përqind?…
…Po ja pra, se përse ishte juria, juria e andrrave… Ajo do vendoste së pari a ishte andërr, a së paku andërr me përbërje të mirë: me më shumë përqindje andërr…
Pastaj ajo përqindja tjetër, le të ishte deri diku… se nuk ka krijim pa zbukurim. Pa stërhollim.
Që dmth se andrra edhe po të stisej disi, por stisja të ishte e gjetur, le të ishte. Kjo do e bënte andrrën të denjë për konkurim.
…Në të kundërt kur stisja mbetej veç stisje, Andrra do paraqitej me andra (me një “r”), me shumë andra, dmth si me mballoma… ajo duhet të kish pak gjasë të përfshihej në listën paraprake të të zgjedhurve për çmim. Le me pastaj në shortlist… a të pretendonte të fitonte…
…E fitoi konkursin një Andërr me andra. Me dy andra (vini re edhe një herë: Andra, mballoma… jo Andrra)… Madje dukej e gjitha si dy andra të mëdha mbi dy vithe të gjëra…dy mballoma mbi pak lëndë andrre flurore. E përfytyroni? Zorr se! Madje as Fituesi jo!
E tha vetë me modesti:
“S’e kisha menduar të fitoja. E pabesueshme. Ndonëse më lodhi shumë. Më shumë se çdo zhgjandërr. Një Andërr-Zhgjandërr…”.
…Juria, dmth komentues vlerësuesit që e shpallën fituesen, vunë në dukje vlerat e saj… të fantazisë së… jurisë dhe munguan të thonë (ndofta nga entusiazmi), a ishte kjo vërtet nji Andërr… e aq më tepër ma e bukura… se nuk duhej harruar që ky ishte konkurs andrrash
…Pati shumë hatërmbetje natyrisht e sidomos ndër ata që e patën fitu një herë çmimin (disa me motivacionin “Për herë të parë Andrrues”) e që mezi ç’prisnin të fitonin të dytin (po piqej idea ndër juritë, se duhej shpallur konkursi ” Andrron së dyti”)…
…Ata më kritizerët a më gojëhidhurit, e quajtën fituesen “Një andërr barkmadhe… që nxinte brenda ç’t’i hidhje…”.
…Atëhere ndërhyri qeveria e leshit a e konkurseve, një farë qeverie gjithsesi… (jo qeveria e madhe jo, mos u ngatarroni… nuk merret me gjona të vogla ajo…) dhe e pa të arsyeshme që me vendim të posaçëm ose të ringjallej Jungu, ose të emërohej një psikolog e të analizonte jurinë nëse dinte a nuk dinte me pa andrra… e për më tej me i gjykue ato…
Meqenëse Jungu, ky babë i qëmotshëm i librave për andrrat, nuk bejendisi të zgjohej… ju la në dorë një psikologeje të notës 5 (u mendua se sa më i thjeshtë psikologu, aq më realist gjykimi. Ata të 10-ës të çanin kokën)…
…Psikologia analizoi e konkludoi se ajo juri nuk ishte e keqe… ndonëse nuk kishte asnjë edhe nji Andërrimtar mes vedi. Si e tillë Juria u diagnostikua prej saj, si Juri e Realiteteve Ëndërrimtare…
…Meqenëse psikologia u kuptua mirë, ndonëse konkluzioni ishte ca i komplikuar, Çmimi nuk i lujti vithet vendit…
… ama edhe u vendos që kjo Juri të mos vendoste ma për andrra fituese në konkursin e ardhshëm…
…Zgjedhja e jurisë pasardhëse ju la në dorë Jungut nëse ia mbushnin mendjen të ringjallej…
…pas kësaj… i mbyllën sqepat e helmuar madje edhe ata që bërbëlitën për Barkun e madh të Ëndrrës fituese… natyrisht pas premtimit se në konkurset e ardhme do të kish çmime edhe për ta.
…Ja pra se si u zgjidhën punët në mënyrën më të paqme të mundshme dhe askush nuk mbeti më i pakënaqur… në vendin e bekuar, të talenteve pa fund… aty ku hierarkia e vlerave e vendimet e jurive… përafrohen me drejtësinë hyjnore…
…Çdo gjë me rradhë… o njerëz… pak durim… se ka për të gjithë.