Albspirit

Media/News/Publishing

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me Urdhrin e Lirisë

Prishtinë, 17 nëntor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi me “Urdhrin e Lirisë” aktivistin e palodhur të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Harry Bajraktari.

Në ceremoninë e dorëzimit të decorates, e cila u zhvillua në Presidencë, Presidentja Osmani tha se kjo dekoratë është “vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës”.

“Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë.

Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare.

Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë.

Z. Harry Bajraktari, faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën.

Urime dhe mirënjohje e përjetshme”, ka shkruar Presidentja Osmani në rrjetet sociale.

Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattpatti. Ishin të pranishëm edhe familjarë, miq e bashkëpunëtorë të z. Bajraktari.

Kohë më parë Presidentja Osmani i dekoroi edhe disa veprimtarë të tjerë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë dhënë kontribut të madh në afirmimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndër të dekoruarit ishte edhe botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në Kongres e në Senat dhe në qarqet me ndikim në formësimin e politikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.