Saimir Kadiu: Franko…
50 vjet më parë u shua në një spital të Madridit, Francisco Franko Bahamonde (4 dhjetor 1892 – 20 nëntor 1975) një nga figurat më të gjykuara të shekullit të XX.
Ai ishte i shkurtër (vetëm 1.65 m), jokarizmatik dhe një folës publik aspak sharmant.
E megjithatë, do të rezultonte një diktator jashtëzakonisht i suksesshëm. Një figurë kyçe në grushtin ushtarak të shtetit në vitin 1936 që shkaktoi luftën civile spanjolle.
Francisko Franko Bahamonde lindi më 4 dhjetor 1892 në qytezën Ferrol në krahinën e Galicisë, në një familje detarësh. Ajo kishte nxjerrë për 6 breza me rradhë oficerë detarë, duke përfunduarderi tek babai i Frankos, Nikolas Araujo.
Franko nisi studimet në një shkollë detare në moshën 12-vjeçare, duke shpresuar të ndiqte gjurmët e paraardhësve të tij. Por në vitin 1907, qeveria spanjolle, e dëmtuar rëndë nga lufta me SHBA-në, e pezulloi pranimin e rekrutëve të rinj në akademinë detare. Kjo e detyroi Frankon t’i bashkohet Akademisë Ushtarake.
Kërkoi të fuste Spanjën në Luften e Dyte Boterore, po u refuzua nga Hitleri, për shkak të kushteve të shumta të kërkuara nga Franko.
Franko dhe Hitleri u takuan fshehtazi më 23 tetor 1940 në Francën Jugore, për të diskutuar mundësinë e bashkimit të Spanjës me fuqitë e Boshtit në Luftën e Dytë Botërore. Ata diskutuan mbi 7 orë rreth kushteve të Spanjës për t’iu bashkuar luftës, por u ndanë pa arritur asnjë marrëveshje.
Sipas dokumentave të kohës, Hitleri mendonte se Franko po bënte shumë kërkesa, nga anksimi i disa territoreve, përfshirë Gjibraltarin, deri tek furnizimet me ushqime, karburant dhe armë për të ndihmuar Spanjën, që në atë kohë ishte e rrënuar nga lufta e saj civile.
Ndryshoi orën për t’u solidarizuar me nazistët.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franko ndryshoi orën lokale të Spanjës me një 1 orë, në shenjë solidariteti me aleatët e tij nazistë dhe nuk e ndryshoi kurrë më pas. Kjo bëri që Spanja të ishte teknikisht në zonën e gabuar kohore.
Ajo duhej të kishte të njëjtën orë si Londra dhe Lisbona. Por në fakt, mbajti orën e Evropës Qendrore. Ky ndryshim kohor, ka bërë që Spanja të ketë mëngjese të errëta dhe mbrëmje ende me dritë. Kjo ka kontribuar edhe për orarin e vonë të ngrënies së darkës për spanjollët.
Ndaloi gjuhët rajonale dhe promovoi simbolet më të famshme të Spanjës.
Si pjesë e misionit të tij për të zhdukur diversitetin kulturor, me shpresën e promovimit të nacionalizmit spanjoll, Franko vendosi kufizime të forta mbi përdorimin e gjuhëve rajonale të vendit. Ai ndaloi gjuhën baske, atë katalunjase dhe madje edhe gjuhën e rajonit të tij, galiciane. Gjithashtu, ai ndaloi emrat tipikë të këtyre rajoneve për foshnjat e porsalindura, mësimin e gjuhëve rajonale në shkolla. Në funksion të një vizioni nacionalist të Spanjës, Franko promovoi përleshjen me dema dhe kërcimin flamengo, si simbole të forta kombëtare, edhe pse flamengo ishte në fakt një traditë andaluziane.
Në kohën e tij, ekonomia spanjolle përjetoi një bum të madh
Në vitet 1960, ekonomia spanjolle kishte me rritjen më të shpejtë në botë pas Japonisë. Falë rregulloreve të pakta, taksave të ulëta, krahut të lirë të punës dhe ndalimit të grevave, shumë kompani të huaja nisën të ndërtonin rrjetet e dyqaneve të tyre në Spanjë, duke e forcuar ekonominë e vendit, në atë që u bë e njohur si “Mrekullia Spanjolle”.
Po gjatë asaj kohe, pati një bum të madh të turizmit, për shkak të “paketave turistike”, që tërhoqën miliona turistë të huaj dhe e rigjallëruan jetën dhe ekonominë e fshatrave më të humbur të vendit.
Në jetën private pati vetëm një fëmijë.
Fëmija i vetëm i Frankos ishtë vajza Maria. Bashkëshorti i saj, Kristabal Martinez-Bordiu, (1922-1998) ishte një kirurg i shquar i zemrës. Ai kreu transplantin e parë të zemrës në Spanjë në vitin 1968. Ishte mik dhe admirues i madh i Dr. Christiaan Barnard, (kardiokirurgut afrikanojugor që kreu transpalantin e parë të zemrës).
Dhëndrri i Frankos u bë spanjolli i parë që kreu një transplant zemre në shtator të vitit 1968. Pacienti mbijetoi vetëm 24 orë. Një shaka e njohur ishte se ai vrau më shumë njerëz në La Paz (spitali ku punonte) sesa vjehrri i tij në luftë. Gjatë një vizite në Spanjë, Dr. Barnard bëri shaka: “Unë jam një kirurg që dua të jetë një playboy dhe ai është një playboy që dëshiron të jetë kirurg”.
Shtatë nipërit dhe mbesat e Frankos, janë edhe sot e kësaj dite anëtarë të fisnikërisë spanjolle.
Vendi ku prehen eshtret e tij, është një nga monumentet që përkujton Luftën Civile.
Franko e ndërtoi Luginën e të Rënëve, për të përkujtuar ata që vdiqën gjatë Luftës Civile Spanjolle. Edhe ai vetë është varrosur atje dhe është i vetmi person midis 33.000 të vdekurve që prehen atje, që nuk është vrarë gjatë Luftës Civile.
Lugina, mbetet edhe sot e kësaj dite një vend pelegrinazhi për mbështetësit e Frankos
Franko ishte një diktator. Sundoi me dorë të hekurt për 36 vjet. Pushkatoi po aq sa viktimat e Luftës Civile.
Por shmangu Spanjën nga përfshirja në Luftën e Dytë Botërore.
Ishte një Pinochet evropian që me qeverisjen e tij, përmirësoi ekonominë spanjolle, rriti nivelin e jetesës dhe para vdekjes ndikoi në lindjen e demokracisë në Spanjë duke lënë një mbret në fron.
Ai e rivendosi monarkinë para vdekjes së tij dhe e bëri pasardhësin e tij Mbretin Juan Carlos I, i cili do të drejtonte kalimin spanjoll në demokraci.
Më 26 korrik 1947, Spanja u shpall mbretëri, por asnjë monark nuk u caktua derisa në vitin 1969 Franco e vendosi Juan Carlos të Bourbonëve si trashëgimëtar të tij zyrtar.
Franco duhej të pasohej nga Luis Carrero Blanco si kryeministër me qëllimin për të vazhduar regjimin frankoist, por ato shpresë përfunduan me vrasjen e tij në vitin 1973 nga grupi separatist bask ETA. Me vdekjen e Franco më 20 nëntor 1975, Juan Carlos u bë Mbreti i Spanjës.
Sondazhet tregojnë se më shumë se 21 përqind e spanjollëve ende e shohin pozitivisht epokën e Frankos, duke nxjerrë në pah thellësinë e ndarjes sociale që ekziston prej kohësh në Spanjë.
Në historinë e Spanjës, Terrori i Bardhë (spanjisht: Terror Blanco; i njohur edhe si Represioni Frankist, la Represión franquista) përshkruan represionin politik, duke përfshirë ekzekutimet dhe përdhunimet, të cilat u kryen nga fraksioni nacionalist gjatë Luftës Civile Spanjolle (1936–1939), si dhe gjatë viteve pasuese të regjimit të Gjeneral Francisco Franco.
Në periudhën 1936–1975, Spanja Frankiste kishte shumë armiq të përcaktuar zyrtarisht: Besnikët e Republikës së Dytë Spanjolle (1931–1939), Liberalët, socialistët e llojeve të ndryshme, Protestantët, Intelektualët, homoseksualët, Masonët, Romët, Hebrenjtë, Njerëzit me ngjyrë, emigrantët, nacionalistët baskë, katalanas, andaluzianë dhe galikë.
Lidhja midis diktatorit Francisco Franco dhe “Real Madridit” ishte politikë romantike; ai e përdori klubin si një mjet politik dhe propagande, shkalla e ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në suksesin e “Los Blancos” debatohet, me rivalitetin midis “Real Madridit” dhe Barcelonës si një pjesë qendrore të këtij rrëfimi.
Franco e lidhi veten me Real Madridin si një simbol të një Spanje të fortë dhe të centralizuar, dhe klubi u përdor për të projektuar një imazh të idealizuar të vendit në nivel ndërkombëtar.
Përpara se të nënshkruante për Barcelonën Jogan Cryiff, “holandezi fluturues” kishte deklaruar që kurrë nuk do të luante për ngjyrat e një ekipi fashist si “Real Madrid”… dhe për më tepër për të thelluar sfidën ai pagëzoi djalin e tij me emrin Jordi një emër katalan në një kohë që emrat me origjinë katalane ishin të ndaluar në Spanjë.