Fritz Radovani: Kleriku i parë që asht arrestue nga regjimi diktatorial
KLERIKU I PARË KATOLIK I ARRESTUEM NGA KOMUNISTAT!
Asht kleriku i parë katolik që asht arrestue nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur ishte famullitar në Berishë, më 17 janar 1945, menjëherë mbas Kryengritjes së Kelmendit. Në një ditë me të asht arrestue edhe At Dioniz Maka O.F.M., që shërbente edhe ky në ato malësi. At Gega ka lé më 15 tetor 1904, në Plan të Dukagjinit të Shkodrës. Përveç, studimeve të nalta teologjike, ka përfundue edhe Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë në Siena.
Asht cilësue ndër talentet që kanë mbarue atë shkollë. Ka punue pak vepra mbas kthimit në atdhe. Një prej tyne ruhej në Troshan, por nuk dihet fati i saj. Asht shugurue meshtar më 12 korrik 1931. Françeskan i zellshëm dhe shumë punëtor. Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e tij. Dallohej si trim.
Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dionizin dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë.
At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohej nga Sigurimi me hjedhë “themelet” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitej për vitet 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë me politikë.
Njëfarë Nuri Llazani, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se, ky i kishte ndjekë me kalë kur ai ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë:
“Po më vjen marre mue sesi nji turk Shkodret akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë”!
Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbut “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.
Kur arrëstohet prap At Gega, në vitin 1967 me “Revolucionin Kultural”, prap akuzohet për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendet e Evropës nëpërmjet të kësaj partie, duhet me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë, shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju, kështu, edhe po na qitni fare”!?
(Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).
Arrestohet në vitin 1967 dhe lirohet në vitin 1977.
Ka vdekë në vitin 1980, i rrethuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpeve, prej të cilave, At Gega trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të tij.
Lavdi Emnit të Nderuem t’ At Gegë LUMAJ OFM!
Melbourne, 20 Nandor 2025.