Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: Befasitë e padukshme të Panairit të Librit 2025

Një shënim i shkurtër

Janë botuar disa shkrime për Post-Panairin e Librit. Dhe prapë ka sa e sa gjëra të tjera që mund të thuhen për librin shqip dhe botimet e librave të përkthyer. Këtë radhë doja të them se ky panair i këtij viti, krahas librave të autorëve të afirmuar, do mbahet mend si një Panair Fatlum që solli për herë të parë disa autorë të rinj, me libra, si asnjëherë tjetër, autorë gati-gati të panjohur, por që dallohen për talentin e tyre të dukshëm, autorë që duhej te ishin përshëndetur me zë të lartë si talente që japin shpresa të mëdha për gjallërimin vigoroz të letërsisë, për zgjimin e saj nga gjumi letargjik dhe për pasurimin e saj me emra të rinj që imponohen me krijimtarinë e tyre. Mendoj se ky fenomen i lartpërmendur e bën panairin e këtij viti unik dhe krejt të ndryshëm nga ato të viteve të tjera. Ata që ankohen për mungesen e talenteve, heshtin në një harmoni perfekte, kur talentet e vërteta shfaqen me shkëlqimin e tyre.
Gabriela Mujaj – një poete jo aq e njohur deri pak javësh, vjen me librin poetik “I dashtuni im zdrukthtar”- një libër që mendoj se është një turning point në poezinë shqipe. Aq sa duket se vetë Poezia Shqipe ka qenë në pritjen e poeteshes Gabriela Mujaj !
Një liber i një talenti të madh femëror, me një ndjeshmëri dhe shkrimësi poetike të niveleve të larta, ku bëhen bashkë dashuria si shpirtësi dhe tragjizmi i pashmangshëm njerëzor, natyrshmëria poetike me intonacionet e poezise moderne, hapësirat e gjera të shpirtit me rrugicat e ngushta të fatit. Një libër që e bën me turp heshtjen e kritikës letrare dhe heshtjen e institucioneve të librit e të panairit të librit. Dhe e bën me turp kryetarin e këtij panairi, që ngjan me një Kim Jong Un të Librit shqiptar, teksa jep urdhra sekrete se cili libër duhet të marrë dekorata dhe cilët jo.
Poezia e Gabriela Mujajt përzien së bashku inovacionin me mjeshtërinë, duke aktivizuar empathinë dhe intelektin e lexuesit. Gabriela Mujaj hap, me këtë libër, një shteg të ri në poezinë shqipe dhe në atë shteg, të hapur prej saj, jam i bindur se do të ecin dhe plot pasues të saj.
Autori i dytë është Brajan Sukaj, me romanin “Fytyra e dytë e Dionizit”- një roman i shkruar me mjeshtërinë e një romancieri të madh, të pjekur dhe të rrahur me përvojen e shkrimësisë profesionale. Romani, ashtu si e gjithë letërsia e mirë, është kontravers, që do t’i bëj t’i rrudhin paksa buzët, gjatë leximit, fort të ndershmit patriotët tanë të shenjtëruar dhe patetikë. Romani është shkruar si një autofiction (përzierja e biografisë me fiksionin) dhe me narrativat e fragmentarizuar, duke synuar eksplorimin në një mënyrë të re të së vërtetës historike, identitetit, ndërgjegjen dhe natyrën e realitetit.
Është një roman që pret lexuesin e mençur, me përvojë dhe human që ta lexojë.
Artur Baku është autori i tretë i befasisë së këtij panairi. Kam lexuar romanin e tij “Dream House”, si një e papritur e këndshme, si një roman që të bind në çdo faqe të tij për talentin e padiskutueshëm të autorit. Gjuha, kompozicioni tërësor i veprës, perceptimi estetik, krijimi i atmosferes dhe karaktereve te provincës bashkëkohore, të prezantojnë sigurinë e një shkrimtari të pjekur i cili duket se nuk trembet të matet me autorët më të mirë bashkëkohorë. Romani në fjalë, dhe pse rrëfen për një periudhë të vertetë e jo shumë të largët historike, e sheh prozën e vet jo si një eksplorim të historisë se sa të ekzistencës, si një hapësirë të eksplorimit të ekzistencës njerëzore në një realitet kompleks, absurd dhe shpesh herë dhe tragjik.
Romancieri i tretë Ardi Muçollari, me romanin “Shtëpia e zarfave” dhe poeti i ri Rei F. Hodo me librin poetik “Blu Psalm” janë autorë shpresëdhënës, falë talentit, kërkimeve formale dhe seriozitetit të shkrimësisë.
Dhe një ogur tjetër i mire në këtë panair, për mendimin tim, janë dhe librat e studiueses skrupuloze në kërkimet dhe leximet e saj, pra të Emi Krosit, e cila vjen njëherësh me dy vepra që dallohen për teknikat dhe metodologjitë thellësisht bashkëkohore, parë nën një këndvështrim kritik të formave letrare të veprave që botohen sot, dhe të cilat kritika zyrtare vazhdon t’i injorojë më kokëfortësi, të zënë me dëgjimin e simfonive të pellgjeve.