Albspirit

Media/News/Publishing

DEVSHIRMEJA OSMANE, “TAKSA E GJAKUT” E PENGMARRJES PËR PRINCAT SHQIPTARË

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Devshirmeja/”devşirme” dikur ishte mjaft e njohur në mbarë truallin arbëror. Iliro-arbërorët-shqiptarët në rrugëtimin historik kanë mbajtur peshën e shekujve, që në fakt ka qenë një peshë e rëndë e pushtimeve. Pas ardhjes së legjoneve romake më 229 para Krishtit, tre luftrave iliro-romake, vendin e romakëve të perëndimit e zunë Kostandinopojasit e më tej pas betejës së Savrës osmanët u bënë “zotër” të paftuar. Në vitin 1043 përmenden për herë të parë në histori “Arbërit”, që në fakt është vijueshmëria iliro-arbërore dhe që është ura lidhëse e shqiptarizmës, edhe pse nën pushtim mbijeteja erdhi dhe u lartësua në epokën e “Motit të Madh” të Kastëriotëve. Fakt është se, kur lindi Gjergji, më 6 Maj 1405, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti/principate të rëndësishëme, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim. Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t’u dorëzonte peng ose devshirme (“taksa e gjakut”) trupave osmane një nga djemtë e tij, Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur osmanët pushtuan Krujën që ishte në kufi me zotërimet e babait të Gjergjit, Gjon Kastriotit. Pas betejës së Savrës më 15.9.1385 pjesa më e madhe e prijësve shqiptarë u bënë vasalë të Osmanëve. Më 1415-1417 pjesa më e madhe e Shqipërisë së sotme Jugore dhe Qendrore u përfshi në Perandorinë Osmane dhe në të porsaformuarin “Sanxhaku Arvanid”, ndërkohë që më 1419-1421 u bë rregjistrimi i pjesshëm sepse sundimi Osman ishte ende i pakonsoliduar. Dhjetë vite më vonë më 1431-1432 u bë rregjistrimi i përgjithshëm kadastral të tokave dhe gjithë pronave të shqiptarëve në gjithë shtrirjen administrative shqiptare. Në situatën e pushtimit të trojeve shqiptare Gjon Kastrioti ishte një familje e madhe me katër djem dhe pesë vajza. Gjergji ishte fëmija i vogël midis 4 djemve, pas Stanishit, Reposhët, Konstandinit. Gjergji kishte pesë motra: Mara, Jella, Angjelina, Vlajka e Mamica. Taksa e gjakut ishte një ndër taksat më skllavëruese për familjet fisnike ballkanike e për rrjedhojë edhe për aristokracinë arbërore.

Çfarë është Devshirmeja/”taksa e gjakut”?

Devshirmeja është një  mbledhje, pengmarrje, “taksë për fëmijë” ose “taksë gjaku”. Më e qartësuar është praktika osmane e rekrutimit me forcë të të fëmijëve e nënshtetasve të krishterë ballkanas dhe e rritjes së tyre në fenë Islame, si kontigjent luftarak për pushteëtin osman. Gjithë ata fëmijë që “rekrutoheshin”, ose më saktë të rrëmbyer nga Ballkani u përkisnin familjeve fisnike ballkanase dhe klasa “raja”, përfshi edhe familjet fisnike shqiptare. Taksa e gjakut nga dokumentat daton më 1438, por ndoshta ka filluar edhe më herët, por dhe që përfaqëson një fraksion ushtarësh dhe zyrtarësh besnikë ndaj Sulltanit. Nga të dhënat dokumentare ky lloj sistemi prodhoi një numër të konsiderueshëm vezirësh të mëdhenj nga shekulli i XV-të deri në shekullin e XVII-të.

Ky ishte pozicioni i dytë më i fuqishëm në Perandorinë Osmane, pas sulltanit. Fillimisht, vezirët e mëdhenj ishin ekskluzivisht me origjinë turke, por pas problemeve midis Sulltan Mehmetit II dhe vezirit të madh turk Çandarlı Halil Pasha të Ri, i cili ishte veziri i parë i madh që u ekzekutua, pati një rritje të administratorëve të ardhur nga devshirmeja ose “taksa e gjakut”.

Ky kontigjent ishte më e lehtë për t’u kontrolluar nga sulltanët, krahasuar me administratorët e lirë me origjinë aristokratike osmane. Devshirmeja nxori edhe një pjesë të konsiderueshme nga guvernatorët provincialë, komandantët ushtarakë dhe qeveritarët /divanët e Perandorisë Osmane. Edhe shumë shumë eunukë me origjinë devshirme nga taksa e gjakut vazhduan të mbanin pozicione të rëndësishme në strukturat e ordusë/ushtrisë, por dhe në struktura drejtuese qeveritare sikurse ishin vezirët e mëdhenj dhjetra prej tyre edhe me origjinë shqiptare. Përgjithësisht zyrtarët osmanë merrnin fëmijë të krishterë meshkuj, të moshës 7 deri në 20 vjeç, nga Evropa Lindore, Jugore e Juglindore, dhe i dërgonin në qendër të Përandorisë Osmane.

Ku ka qenë qendra e Sulltanatit Osman?

Perandoria e sulltanëve osmanë ka lindur në fshatin Sogut të Ankarasë (1299-1331), më tej qendra u zhvendos në Nikea/(Iznik) (1331-1335). Bursa ishte stacioni i katërt i Perandorisë (1335-1363), për tja lënë vendin një kryeqendre në pjesën evropianë në Edrene/Adrianopol 1363-1453-Kostandinopoja/Stamboll 1453-1922. Fakt është se nga Ederneja (1354 deri më 29.5.1453), qendra e sulltanatit Osman u bë në kryeqytetin Konstantinopojë/Instanbul (1453 deri më 1922). Në këtë perandori lindi edhe Kalifati, ku Sulltan Selimi I është edhe kalif i parë (1517-1520), ndërsa Abdylmexhiti II kalifi i fundit (1922-1924). Shpërbërja e sulltanatit  më 1.11.1922, ndërsa shpërbërja e kalifatit më 3 Mars 1924 natyrshëm ishte vepër e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne. Shteti osman ishte ulur këmbëkryq në trojet shqiptare pas sundimit të Bizantit. Djemtë “devshirme” dërgoheshin pikërisht në këto qendra perandorie, ku ata konvertoheshin, asimiloheshin dhe stërviteshin për të shërbyer në korpusin e këmbësorisë jeniçere ose për detyra pallati, por dhe për pushtime të reja të një ndër perandoritë më të madha të kohës që shkonte deri më 8 milionë kilometra katrorë. Devshirme-t shiten rrallë, megjithëse disa mund të përfundonin edhe si skllevër në familje aristokrate. Fakti që ato merreshin me forcë nga prindërit e tyre si taksë e gjakut, e bënte sistemin e devshirme-ve të urryer nga vendasit, edhe pse revoltat ishin të rralla, me përjashtim të një revolte kundër devshirme-ve në Shqipëri që i përket vitit 1565. Të urdhëruar të ndërpresin të gjitha lidhjet me familjet e tyre, disa arritën të përdorin pozicionet e tyre për të ndihmuar familjet e tyre. Myslimanët nuk lejoheshin të hynin në sistem, vetëm me disa përjashtime, por disa familje myslimane i futën fshehurazi djemtë e tyre gjithsesi. Sipas të dhënave Osmanët përfituan nga frika e përgjithshme e të krishterëve se mos humbnin fëmijët e tyre dhe përdorën ofertat për përjashtim nga devshirmeja në negociatat për dorëzimin e tokave të krishtera. Përjashtime të tilla përfshiheshin në kushtet e dorëzimit të dhëna Janinës, Galatës, Moresë, Kiosit etj. Të krishterët që merreshin me aktivitete të specializuara të rëndësishme për shtetin osman përjashtoheshin nga devshirmeja për fëmijët e tyre në shenjë njohjeje të rëndësisë së punës së tyre për perandorinë. Përjashtimi nga ky haraç konsiderohej privilegj dhe jo penalizim. Ka edhe studiues që e konsiderojnë praktikën e devshirmesë si shkelje të ligjit islamik.

David Nicolle shkruan se skllavërimi i djemve të krishterë shkelte të drejtat e garantuara në Islam, por Halil İnalcık një ndër historianët më të shuar të Turqisë të shekullit të XX-të, argumenton se devshirme-të nuk ishin skllevër pasi konvertoheshin në Islam. Djemve u jepej një arsimim formal dhe trajnoheshin në shkencë, luftë dhe administratë burokratike, dhe bëheshin edhe këshilltarë të sulltanit, bëheshin këmbësori elitare, gjeneralë në ushtri, admiralë në marinë, burokratë që punonin në financa në Perandorinë Osmane. Devshirmëtë ndaheshin sipas aftësisë dhe mund të ngriheshin në gradë bazuar në meritokraci. Më të talentuarit, ichoghlani (turqisht içoğlanı) trajnoheshin për pozicionet më të larta në sulltanatin osman. Ka pasar mjaft luftëtarë të shquar në këtë sulltanat që ju  bashkuan ushtrisë, përfshirë edhe korpusin e famshëm të jeniçerëve. Por praktika filloi të zhdukej pasi ushtarët osmanë preferonin të rekrutonin djemtë e tyre në ushtri, në vend të djemve nga familjet e krishtera. Në vitin 1594, myslimanëve iu lejua zyrtarisht të merrnin pozicionet e mbajtura nga devshirmeja dhe sistemi i rekrutimit të të krishterëve u ndalua në mënyrë efektive në vitin 1648. Një përpjekje për ta rivendosur atë në vitin 1703 u kundërshtua nga anëtarët e saj osmanë, të cilët lakmonin postet ushtarake dhe civile. Më në fund, në ditët e para të mbretërimit të Sulltan Ahmetit III, praktika e devshirmesë u shfuqizua përfundimisht dhe ngeli vetëm si një praktikë e shekujve të parë të Perandorisë Osmane. Nga sistemi devshirme dolën një sërë personalitetesh, ushtarakë, administratorë, ekonomatë, diplomatë, që kontribuan për sulltanatin në shumë fusha të jetës, por për shqiptarët vetëm Gjergj Kastrioti i mbiquajtur “Aleksandër/ Skënderbe” është heroi i vetëm i kombit shqiptar, që ka qenë devshirme, subash dhe sanxhaktarbej. Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte devshirme, që nuk e harroi kurrë kombin e tij, gjakun në deje, nënën dhe babain, principatën e Kastriotëve që e shndroi në shtet marsin e vitit 1444, duke ngelur një ndër kryeveprat shqiptare dhe referencë e padiskutueshme e shekujve.