Mimoza Rexhvelaj: E dua këtë flamur!
E dua këtë flamur jo vetëm sepse është dhuratë nga gjyshërit e mi, por sepse mban peshën e vazhdimësisë dhe të qëndresës. Ka kaluar nëpër duar luftëtarësh, është ngritur në Deçiq dhe në luftën e Koplikut, ndaj me këtë flamur të Bajrakut të Grizhes dua t’ju uroj “Gëzuar”!
Tek shkruaj këto rreshta më del përpara gjendja e vendit tim. Dashuria për Shqipërinë është e çuditshme. Nuk lidhet me rehatinë. Nuk varet nga premtimet. Është përzierje dhimbjeje e krenarie, largimi e malli, zhgënjimi e besnikërie dhe pikërisht kjo e bën të pazëvendësueshme këtë dashuri të madhe.
Sot kujtoj gjakun tonë të shpërndar nëpër botë, ata që u larguan nga mungesa e mundësive dhe jetës së vështirë në këtë vend.
Çdo aeroport ka një çast të heshtur ku zemra lëkundet si fletë dhe lotët nuk i numëron ritmi i zemrës, por mes lutjeve thua:” Paçi ku me ardh dhe pastë kush me ju pritë bijtë e shqipes!”
Kjo dashuri për Shqipërinë nuk është e verbër. Ka ditë që rëndon, ka ditë që duken bosh, por në ato momente e kupton se lidhja me atdheun është si një plagë që të ka formuar dhe pse dhemb, nuk e mohon dot…
Historia jonë e ka treguar këtë ndjenjë më shumë se një herë. Luftëtarët që u ngritën pa frikë. Mërgimtarët që punuan natë e ditë për t’i dërguar diçka shtëpisë. Prindërit që sakrifikuan më shumë se ç’kishin. Brezat që deshën këtë tokë edhe kur ajo dukej e humbur. Shqipëria është shtëpia jonë e madhe që duhet të na jap mundësi të barabarta të gjithëve dhe jo vetem ta duam, por dhe të na dojë.
A thua do të vijë një ditë e bardhë,që nuk do të matemi me fitore politike, por me atë kontribut që i kemi dhënë vendit tonë në çdo ditë të jetës?
A thua do të kemi një rikthim të dinjitetit që kemi kërkuar brez pas brezi?
Ringritja e Shqipërisë nuk duhet të jetë vetëm histori ndër faqe librash, por dashuria që nuk do të shuhet kurrë dhe atëherë kur shpresa po i mbyll sytë…
Kur ajo ditë të trokasë në derën tonë, do të na gjejë aty, me sy të kthjellë, me zemër të hapur, që nuk i ka ndalur rrahjet për atdhe!
Gëzuar miq kudo që jeni!