Një letër e Fazil Toptanit në arkivin e Vjenës për Ismail Qemalin
Kujtim Nuro
Fazil Toptani, këtë letër ia ka derguar nga Parisi konsullit austriak në Shqipëri dhe e ka shkruar në turqishten e vjetër (osmanisht). Nga përmbajtja e letrës kuptohet se Ismail Qemali kishte filluar përpjekjet e tij shumë më herët për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
-Letra është gjetur në arkivin e Vjenës nga Prof. Dr. Mehmet Ersan dhe është botuar nga Prof. Dr. Cahit (Xhahit) Telit (Turqi).
Paris, 4 Gusht, 1910
I nderuar dhe mjaft i shtrenjtë miku im,
Mbasi pashë për një periudhë gjashtë mujore, pothuajse të gjithë shqiptarët, njëkohësisht mbasi pashë dhe kuptova djegjen dhe shkatërrimin e vendit tonë, mjerimin e mijëra -mijëra familjeve nga barbarët turq (ushtria osmane) gjatë revolucionit (kryengritja e vitit 1910), që po ndodh në Kosovë, sot ndodhem në Paris me të nderuarin deputet të Beratit, Ismail Qemal beun.
Ju, pa dyshim,e dini që Ismail Qemal beu është armiku i turqve dhe personaliteti më i madh i vendit tonë.
Ismail Qemali, e ka kuptuar denjësisht se mbas ngjarjeve të fundit, të cilat kanë ndodhur në Shqipëri, shpëtimi i vendit tone nga mizoritë turke dhe forcimi i shqiptarve do të bëhet e mundur, vetëm nën mbrojtjen e veçantë të qeverisë gjigante të Austrisë. Për këtë, ai dëshiron të vijë në Vjenë dhe të takohet fshehurazi me personalitetet vjeneze, që ndodhen atje. Duke u mbeshtetur në vendimin, i cili ka marrë me miqtë e tij në parlament, të vijë në Vjenë pa e ditur asnjeri, me qëllim që të hartojë një plan, bazuar ne vendimin qe do të jepet gjatë bashkëbisedimeve.
Tashmë, Ismail Qemal beu, nuk mund të mbështetet më në besueshmërinë e diplomatëve britanikë, ashtu siç ai u ka dhënë atyre më parë. Ai e ka kuptuar pa asnjë mëdyshje se britanikët nuk do të ndërhyjnë në çështjen shqiptare.
Hasan beu (Hasan Prishtina) dhe Nexhip bej Draga, deputetët e Kosovës dhe Azis Pasha (Azis Vrioni ), deputeti i Beratit dhe përfaqësuesit, të cilët ndodhen në Dibër dhe në Shkodër, presin një vendim, që do të merret me Ismail Qemal beun.
Ismail Qemal beu, meqënëse deri tani, nuk ka arrdhur në Vjenë, është e natyrshme që ai nuk i njeh personalitetet e atjeshme. Në kohen, që ai ka qënë në Portën e Lartë, Stamboll, ai ka diskutuar mendimet e tij për çështjen shqiptare me ambasadorin e Austrisë. Dhe natyrisht, i nderuari ambasador, mendimet dhe pikëpamjet e Ismail Qemalit ia ka raportuar Ministrisë së tij të Jashtme.
Ismail Qemal beu, i cili dihet se ka një famë politike në të gjithë Europën, a do te pritet mirë në Vjenë, edhe pse po vjen si një agjent sekret? A do të jenë denjësisht një kënaqësi mendimet dhe pikëpamjet e tij, të cilat janë një rezultat i një experience pesëdhjetëvjecare?
Une ju jam drejtuar duke iu lutur dhe përgjëruar Shkëlqesisë suaj për arsye të respektit që kam ndaj jush, sepse ju e njihni mirë çështjen shqiptare. Gjithashtu, ju vazhdoni të jini i angazhuar me këtë çështje, prandaj ju lutem juve me qëllimin që ju të ndërmjetësoni dhe t’iua parashtroni këtë kërkesë personaliteteve të atjeshme dhe këtushme që a do të jetë e mundur që ai të vijë në Vjenë pa e ditur askush ose hapur.
4 Gusht, 1910
Fazil Toptani
Adresa ime është kjo: M.F. Toptani
35 Rue Gambon
Paris
Shënimet brënda kllapave janë shkruar nga ana jonë.
Burimi: Prof. Dr. Cahit Telit