Albspirit

Media/News/Publishing

ELHAM ELEZAJ, LABI QË SHKROI HISTORI TRIMËRIE NË POLICINË E SHTETIT

 (Në përkujtim të efektivit të RENEA-s, djalit trim të Labërisë komandantit profesionist Elham Elezaj (27.7.1969 -9.7.1998), dëshmorit të Atdheut, që ngeli krenari dhe frymëzim për brezat e organizatës së madhe të Policisë së Shtetit. Elham Sulejman Elezaj është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr.229 datë 13.4.1999, titull që në bazë të ligjit “Për statusin e Dëshmorit”, është njohur me vendim nr.15 datë 31.10.2003 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes, vendim që është shoqëruar me certifikatë dëshmori si dhe më flamurin “Familje Dëshmori”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në rrënjët e origjinës së një heroi të Policisë së Shtetit

Në gjithë rrethin e miqve, shokëve e kolegëve kur flasin për Elham Elezin, kujtojnë një djalë trim të guximshëm e profesionist të Policisë së Shtetit, një dëshmor të shpallur ligjërisht por me tiparet e plota të një heroi, krenarie dhe dinjiteti, një djalë që ka ngelur krenari brezash dhe frymëzim për vijuesit e misionit të shenjtë dhe fisnik të organizatës së madhe të Policisë së Shtetit. Elham Elezaj erdhi në jetë 46 vite më parë në fshatin Hysoverdhë të Vlorës, por që rrënjët e origjinës familjare i kishte në fshatin historik të Kallaratit. Ai erdhi në jetë në një familje me tradita atdhetare, që kishte bërë emër në fshat dhe në krahinë, në gjithë lumin e Vlorës.

Elham Elezi ishte lindur më 27 korrik 1969, në Hysoverdhë të Vlorës, në një familje kallaratase. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Dalan Mehmeti”, ndërsa arsimin tetëvjeçar e të mesëm të përgjithshëm i kreu në shkollën “Eqerem Beqiri”, në lokalitetin e Kotës. Që në fëmijëri u edukua me frymën atdhetare e patriotike sepse në oxhakun e tij familjar ka pasur shumë të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut dhe gjaku i derdhur në themelet e pavdekësisë kombëtare është amanet në breza për shqiptarët. Nga të dhënat e burrave më të vjetër të krahinës që i flasin epokave dhe që kërkojnë të lidhin brezat me të vërtetat historike: “..një oxhak i njohur me rrënjë në Kallarat janë edhe “Elezajt”. Rrëzë malit të Bogonicës janë rrënojat e fshatit të djegur nga anadartët grekë të 1914-ës. Kjo trevë dhe fshatrat përreth i ka folur shekujve me gjuhën labërishte, kur e ka kërkuar historia edhe me gjuhën e armëve kundër çdo lloj pushtuesi. Në këto troje dhe jo vetëm përballja me pushtuesit, të qënit luftëtarë ishte detyrim për mbijetesë dhe zanat që trashëgohej nga rrënjët stërgjyshore”. Elezajt janë një fis i njohur jo vetëm në Kallarat, por kudo ku kanë qenë dhe që kanë lëvizur me bagëti dhe punë të tjera nëpër trevat labe dhe më gjerë. Nga ana tjetër sa herë e kërkonte situata luftarake rrëmbenin armët dhe bëheshin bashkë për mbijetesë, për amanetin e të parëve trupëzoheshin me lirinë. Elezajt merituan nderimin respektin jo vetëm në fshat por dhe në krahinë dhe më gjerë. Ata kanë qenë bashkë në të gjitha luftrat për liri e pavarësi. Të parët e oxhakut “Elezaj” janë me emër kanë luftuar për mbrojtjen e tyre, për të drejtat, pjesëmarrës në kryengritjet masive antitanzimat më 1847 kundër pushtuesve osmanë, kanë dhënë kontribut në katër luftrat për mbrojtjen e kryeqendrës së jugut të Janinës, janë gjakosur në luftë me andartët e 1914-ës, në Luftën e Vlorës, që u bë masive e kombëtare pasi morën pjesë 89 çeta luftëtarësh dhe bënë të mundur kthimin e truallit të pushtuar dhe mundësuan pavarësinë e dytë të Shqipërisë më 1920-ën. Ndërkohë që Elezajt shkruan epope lavdie gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi dhanë gjak për lirinë e Atdheut. Në këtë truall lindi Elhami biri i Sulejman Çerem Elezi dhe Antigoni Izet Sheraj (nga Bolena, por rritur në Vajzë të Vlorës). Sulejmani dhe Antigoni krijuan një familje të madhe dhe të denjë, duke sjellë në jetë gjashtë fëmijë: Elhami, Leonardi, Albani, Miranda, Esmeralda dhe Shaipi. Elhami ishte gëzimi i parë, që shpejt u bë krah familjes dhe në moshën e burrërisë u martua me Elvira Biraku/Elezaj dhe sollën në jetë një vajzë Sodorela Elham Elezaj që ka sot një djalë dhe një vajzë, Xhoel dhe Melodi (që janë nipi dhe mbesa e dëshmorit Elhami Elezaj).

*

Tre dëshmorë të Atdheut të oxhakut të atdhetarisë “Elezaj”

Për të nderuar dëshmorin e policisë së shtetit Elham Elezaj morëm takim me babanë e tij Sulejmanin, pjesë e një familje me rrënjë dhe me degë atdhetarie, një familje me të shkuar patriotike nga gjyshi e stërgjyshi, nga rrënjët kallaratase me histori të madhe në trevën e lumit të Vlorës, por me histori të njohur në rang kombëtar, pasi lavdinë dhe krenarinë në të gjitha luftrat e shqiptarëve kundër pushtuesve “jua hiqte pragu”, sikurse gjithë Kaonisë/Labërisë.

Por luftrat kanë pasur edhe të rënët që gjakun nuk e kanë kursyer për Atdhe dhe kanë vaditur pemën e madhe të lirisë sonë kombëtare. Nga të dhënat e Sulejman Elezaj mësojmë edhe më tepër për rrënjët e kësaj familje të njohur në fshat dhe krahinë. Kështu, i lindur dhe rritur në një truall të ashpër gjeografik por atdhetar Shuaip Mahmut Elezi ishte martuar me Medhuri Neim Boçi (Elezi) nga fshati Vajzë. Të dhënat flasin se në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të XX-të, ata sollën në jetë katër djem dhe një vajzë: Çerem, Zyber, Amdi, Nexhip dhe vajza Sulote (e cila u martua në Ramicë me Ali Bosi dhe pati 7 fëmijë, ku djali i madh Myftar Ali Boçi doli partizan dhe ngeli pishtar lirie dëshmor i LANÇ-it pasi mbeti përjetësisht në betejën tek Qafa e Gjarpërit). Në Labëri dhe sot e kësaj dite për ato vatra që kanë derdhur gjak për Atdheun në periudha të ndryshme thuhet, “shtëpi lufte”, nderohen, respektohen dhe u shprehet mirënjohje për brezat pasi janë dhe mbeten ajaka e atdhetarisë shqiptare.

Ndërkohë që të tre djemtë e Shaipit u përbashkuan me formacionet partizane, luftuan në të gjitha betajat e përgjakshme të BrVS “heroinë e Popullit”, dhe gjakun nuk e kursyen për lirinë e Atdheut. Kështu Zyberi, Amdi dhe Nexhip Shaip Elezaj janë që të tre dëshmorë, ku në dokumentacion janë shënuar me mbiemrin “Shero” ose “Sheraj” edhe pse në fakt janë që të tre nga oxhaku “Elezaj”, nga kjo derë e rëndë emërndritur e Kallaratit historik, që pavarësisht se pasardhësit u vendosën edhe në Hysoverdhë, edhe më vonë në Kotë për disa vite ata mbajtën lart origjinën stërgjyshërore të kallaratasve, që kanë një devizë edhe sot e kësaj dite: “Ec ngado po Kallaratin mos e harro”!. I biri i Çeremit, Sulejmani e mbajti lartë emrin e të parëve, nderoi dhe respektoi gjakun ne tre xhaxhallarëve dëshmorë të LANÇ-it, por që prej vitit 1998 edhe një copëz e shpirtit të tij derdhi gjakun për rend dhe siguri publike në vendin tonë, pasi djali i madh i tij Elhami ngeli përjetësisht në altarin e kombit shqiptar me emrin e madh “Dëshmor”, ku mirënjohja e brezave në vijimësi do të jetë e përjetshme. Nga të dhënat në departamentin e Dëshmorëve pranë MM, por edhe në librin zyrtar të MM-së të publikuar me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar evidentohet: “Zyber Shaip Sheraj/Elezaj, kishte lindur në Kallarat më 1916, rënë më 1946 (BrVS) në Mavrovë, është shpallur dëshmor i Atdheut, me Vendim nr.2 datë 7.1.1972, të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës. Amdi (Hamdi) Shaip Sheraj/Elezaj, kishte lindur në Kallarat më 1920 dhe rënë më 1944 në Mavrovë (BrVS), është shpallur dëshmor i Atdheut, me Vendim nr.209 datë 29.7.1979 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.

Nexhip Shaip Sheraj/Elezaj, kishte lindur në Kallarat më 1923 dhe rënë më 1944 (BrVS) në Salari, është shpallur dëshmor i Atdheut, me Vendim nr.97 datë 22.9.1972, të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës. Sulote Shaip Elezaj (vajzë kallaratase) martuar me Ali Boçi nga fshati Vajzë solli në jetë shtatë fëmijë. Djali i madh i saj Myftar Ali Boçi i lindur në Ramicë më 1922 dhe ra dëshmor në betejën e njohur të Qafës së Gjarpërit gjatë LANÇ-it dhe është shpallur me titullin dëshmor i Atdheut me Vendim nr.97 datë 22.9.1972, të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës. Nga dera partiotike e Elezajve ka të evidentuar edhe “Elham Sulejman Elezaj është lindur më 27 korrik 1969 në Hysoverdhë (me origjinë nga Kallarati) ka rënë më 9 korrik 1998 në Tiranë, shpallur me titullin e lartë Dëshmor i Atdheut me vendim nr.229 datë 13.4.1999; ndërkohë që titulli “Dëshmor i Atdheut” është njohur me vendim nr.15 datë 31.10.2003 të Komisionit Qendror të Statusit Dëshmor i Atdheut pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.

*

Karrierë e shkurtër me operacione të shumta policore në përballje me krimin

Elham Sulejman Elezaj ishte dhe ngeli përjetësisht një oficer policie special trim i pashoq, ndër më të aftët profesionalisht, me guxim e zell të pa përshkruar, djalë Labërie i paepur para vdekjes, i lindur për t’u sakrifikuar në emër të detyrës, shpërfillës para rrezikut, i shoqërueshëm me kolegët, me ndjeshmëri të lartë për hallet e brengat e tyre, që gëzonte respektin e dashurinë e të gjithë specialëve, policë e oficerë. Biri i fshatit Hysoverdhë me rrënjë kallaratase ishte pasionant për automekanikën, duke u bërë mjeshtër zanaçi në guidimin e çdo lloj automjeti. Ai kishte zhvillim fizik shumë të mirë, ose sikurse i thonë në Labëri, “djalë mali”, pëlqente të luante futboll, ishte lab ëndërrimtar për të vijuar karrierën ushtarake. Dega ushtarake e Vlorës nisur nga të dhënat familjare, por edhe kondicioni i fuqishëm fizik e përzgjodhi Elham Elezaj duke e mobilizuar si ushtar në repartin e policisë nr. 324, i quajtur dhe “batalioni i sigurimit i Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Ai kreu me sukses shërbimin e detyrueshëm ushtarak/ policor dhe më tej shërbeu edhe si shofer aktiv edhe në shërbime. Miqtë e tij të ngushtë e kujtojnë për veprimin energjik në digaster, edhe ditën që u sulmua godina e klubit të këtij dikasteri, më 29.5.1991, kur me guxim diti të përballonte valën e demonstruesve, si dhe të bëhej mburojë të pronës shtetërore përballë atyre që kërkonin të shkatërronin objektin duke i vënë flakën. Një vit më vonë në nëntor 1992 u pranua në repartin nr.88, caktuar “shofer trupe operacionale”, ka qenë pjesëtar në shumë operacione me shkallë të lartë vështirësie, ndër të cilët përmendim, ndërhyrjet e tyre në Valbonë, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Më tej u caktua duke u përzgjedhur edhe në grupin e sigurimit të ministrit të Brendshëm.

Elhami ka përballuar rreziqe të shumta në jetë edhe kur ishte me shokë në një shërbim në segmentin ura e Bunës – ura e Bahçallëkut, në dhjetor 1993, kur një grup kriminal iu kundërpërgjigj me zjarr thirrjes së specialëve në një pikë kontrolli, të cilët iu vunë në ndjekje dhe plumbat goditën makinën e policisë duke i këputur tubin e naftës dhe e detyruan të ndalej, çfarë ishte fat për grupin, duke mos mundur ti dëmtonin. Për aftësi dhe zotësi meqënëse vendi pati probleme të mëdha me kanabizimin, në vitin 1994 kaloi në njësinë “antidrogë”, ku vijoi pa shkëputje nga puna edhe arsimin e lartë policor në Shkollën e Saukut, ku edhe u titullua oficer policie në vitin 1997. Në ngjarjet e periudhës 1996-1997 ka qenë shumë aktiv në shërbime speciale, përfshirë këtu pjesëmarrjen në lirimin e një politikani të marrë peng në Lushnjë, në janar 1997, në tentativat e dështuara të qeverisë për rivendosjen e rendit në Lushnjë; për nxjerrjen nga Vlora të punonjësve të plagosur të SHIK-ut, të cilët kishin mbetur të strehuar në Vlorë. Në rrjedhën intensive tëjetës policore të asaj periudha Elhami u rikthye në “RENEA” në verën e vitit 1997. Ai u emërua në detyrën e komandantit të grupit të zhytjes, ndërkohë që profesionalizmi i tij ishte rritur dhe konoliduar edhe me shërbime të shkallës së lartë dhe të  jashtëzakonshme. Reparti i “RENEA-s”, në këtë periudhë pati një barrë të madhe në hapjen e akseve rrugore të bllokuara nga bandat kriminale në rritje, por dhe në mbështetjen e shërbimeve të policisë në të gjithë vendin për kapjen e elementëve të armatosur; ringritjen e komisariateve të Policisë të shkatërruar nga viti i mbrapshtë i 1997-tës për shkak të falimentimit të firmave piramidale. Rivendosja e rendit në rrethet problematike, shpartallimi i bandave që kishin uzurpuar portet, doganat, akset rrugore apo kishin vendosur hegjemoninë e tyre në territore ku nuk guxonte të hynte asnjë shërbim policie, e bënte më së miri reparti ku bënte pjesë edhe Elhami. Ai ka qenë pjesë në shërbimet që ndërmorën specialët në Vlorë, që filloi më 10.8.1997, dhe tregoi trimëri, guxim e zotësi në goditjen e shpartallimin e bandës së Çoles, në goditjen e bandave të tjera, që mbanin emrin e krerëve të grupeve ku përmendeshin “Gaxhai”, “Mukajt” apo “Xhelitët”, ishte pjesëmarrës në një operacion shumë të vështirë në Cërrik të Elbasanit në përballje me bandat ku ka pasur edhe shumë humbje jete.

Elham Elezaj në emër të detyrës gjithmonë i gatshëm në çdo aksion ka treguar guxim të madh në të gjitha operacionet policore në të gjithë vendin. Janë për tu përmendur veçanërisht operacionet e Policisë së Shtetit në veri të vendit e sidomos në shërbimet e kryera në Shkodër, në 18-21.1.1998, kur u rebeluan disa punonjës policie, kur u mor peng edhe prefekti Gëzim Podgorica dhe u plagosen specialët Genc Hoshafi dhe Sokol Shepeteja. Një nga ngjarjet më të veçanta është hyrja në Shkodër, duke zbritur me helikopter në kodrat e Tepes, kur u “zaptua e u djeg qyteti” nga njerëz me maska dhe Elhami ishte në krye të grupeve që krahëmorën kurrizit të kodrës së kalasë për rrethimin e kapjen e personave të armatosur, një veprim shumë i guximshëm dhe me rrezik të madh. Ndërsa sipas dëshmive të komandantit të tij Hilë Lushaku, veprimet energjike të grupit të tij në ngjarjet e datave 22 dhe 23.2.1998, në kodrën e Tepesë (edhe vetë fjala “tepe” do të thotë kodër), ishin vendimtare në thyerjen e qëndresës së kriminelëve dhe lehtësimin e veprimeve të grupeve të tjera të Forcave Speciale e atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë, që sulmonin përballë për kalimin e urës së Bahçallëkut. Grupet e guximshme të policisë kapërcyen me sukses edhe tetë pengesa xheniere të vendosura në këtë rajon si dhe të kombinuara edhe me ngarkesa me lëndë plasëse. Janë me dhjetra veprimet e Policisë së Shtetit, ku Elhami ishte gjithmonë pjesë e dorës së fuqishme të shtetit për të rivendosur rendin dhe qetësinë publike në Shqipëri. Në këto veprime shumë gjak i policisë, gjak i shtetit u derdh për rend dhe qetësi publike.

Ngjarja që i mori jetën Elham Elezit ishte ajo kur në një ngjarje pengmarrjeje u bë aktivizimi i “RENEA-s” që mundësoi lirimin e shtatë pengjeve, pjesëtarë të një familjeje. Në këtë operacion mbeti i vrarë Elham Elezaj dhe u plagos speciali Adhurim Ceka, si dhe u vra pengmarrësi, polic në repartin e ruajtjes së objekteve në Tiranë. Kështu ishte pikërisht mbasditja e datës 9.7.1998, kur në zonën e “Varrit të Babit”, Elhami humbi jetën tragjikisht jetën në një operacion policor për kapjen e një personi të armatosur, që kërcënonte me jetë njerëzit e marrë peng.

Sikurse mësojmë nga ish-Komandant i Repartit special Vasillaq Sota: komandant i repartit ka qenë Artan Didi, ndërsa në grupin e ndërhyrjes në ditën e aksionit ishin: Elham Elezi komandant njësie, Ardian Dibra, Vladimir Doko, Adhurim Ceka i cili u plagos në këtë aksion. Pjesa tjeter e grupit ka qenë në kufizim.(Para transferimit te RENEA Elhami ka shërbyer për katër vite në një Repart Special (Rep spec 77 Tiranë) ose Antidroga 1994-1997 ku dallohej për trimëri zgjuarsi dhe itegritet. Në ditën e aksionit, ndërhyrja e Elhamit ishte fatale, pasi i mori jetën atij në lulen e rinisë, në kulmin e energjive duke e shndruar atë në të pavdekshëm në legjendë dhe hero, duke ngelur në përjetësi në altarin e trimërisë e etiketuar, “komandant Elham Elezaj trimi i vendosur dhe besnik, që mbrojti me gjakun e tij me jetën e tij jetët e të tjerëve dhe merituar mirënjohjen mbarëpopullore”. Ai ishte dhe mbeti një oficer policie shembullor, një polic i lindur i veshur me vetitë dhe vitytet më të larta njerëzore, një trim që si trembej syri kurrë, aq sa shokët e tij thoshin një maksimë proverbiale labe me shaka: “këtë djalin lab sa ha plumbi”. Por plumbi i pabesisë dhe i krimit ka marrë shumë jetë të organizatës së Policisë së Shtetit.

Elham Elezi kaloi me sukses të plotë operacionet më të vështira të viteve të mbrapshta 1997 dhe 1998, ndoshta vitet më të trazuara të shekullit në aspektin e brishtësisë së rendit dhe të sigurisë. Por ai humbi jetën në një operacion për ndalimin e një ish-polici të dehur dhe me probleme të mëdha. Shokët e tij të armës policore e kujtojnë vazhdimisht për mirësinë njerëzore që rrezatonte me shokët e kolegët, me vartësit që i kishte shokë besnik në çdo operacion, që realisht kanë qenë të shumta dhe me shkallë jashtëzakonisht të lartë rrezikshmërie. Si një repart elitar dhe me unitet mendimi dhe veprimi djemtë e RENEA-s, i bënë homazhe dhe e përcollën shokun e tyre më 10 korrikun e 1998-tës tek ish-SHQUP-i buzë lumit Lana. Elham Elezaj ka qenë i martuar me Elvirën nga Skrapari si dhe ka lënë një vajzë Sidorelën. Sidorela pas humbjes së babait dëshmor (ndërkohë që kanë kaluar 27 vite nga ajo kohë) ka sjellë në jetë një djalë dhe një vajzë që janë nipi dhe mbesa e dëshmorit.

Elham Elezaj, ky djalë trim i specialeve, profesionalisht me guxim e zell të madh, paepur para vdekjes, i lindur për t’u sakrifikuar në emër të detyrës, shpërfillës i çdo rreziku, me ndjeshmëri të lartë për hallet e brengat shoqërore gëzonte respektin e dashurinë e të gjithë specialëve, policë e oficerëve. Kështu që pas rënies në krye të detyrës u preh për pak kohë në varrezat e Tufinës, por me shpalljen e tij me titullin e lartë Dëshmor i Atdheut, vendprehja e tij do të ndryshonte dhe do të vendosej ku kishte shokët, ku prehen dëshmorët e Atdheut. Kështu më 5 maj 2022, eshtrat e tij, së bashku me ato të Rifat Cukut e Rifan Hakramës, u varrosen me ceremoni zyrtare shtetërore në “Varrezat e dëshmoreve të Atdheut” në Tiranë. Djem si Elhami i dhanë emër dhe famë repartit special “RENEA”, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur), një repart mjaft i njohur në Shqipëri, për garancinë dhe sigurinë që ofron dhe për zgjidhjen e situatave më të vështira në vendin tonë. Për këtë flasin veprat, operacionet, të rënët dhe të gjitha këto duhen shkruar, pasi sikurse thotë një postulat i lashtë romak i gadishullit të apenineve: “verba volant, scripta manent”,/(fjalët i merr era, e shkruara mbetet).

*

Vlerësimi për dëshmorët është vlerësim për nderin dhe lavdinë e shqiptarizmës

Shokët, miqtë e kolegët e Elhamit përbashkohen në mendime dhe vlerësime për shokun e tyre dëshmor, kur thonë: “Respekte dhe vlerësimet më të larta për Elhamin, djalin lab me cilësi të veçanta, shok besnik dhe i shkëlqyer me virtyte besnikërie e trimërie, me guxim që vetëm heronjtë i kanë..”. Komandanti i tij Hilë Lushaku shkruan: “Dëshmori i Atdheut Elahmi Elezi nuk nderohet në përvjetore (me dekorata), sikurse shumë të tjerë, kur nuk rekomandon ndonjë subjekt politik, me nismë nga lart, (pasi nuk ka qenë kurrë militant, ose nuk i ka bërë hije ndonjë Partie ..”, por i ka shërbyer me dinjitet vetëm shtetit. Polikseni Shenaj/Danaj e shkreh vlerësimin e saj për dëshmorin e Atdheut në vargje: “Elham Elezaj, o trim i rrallë,/ Ti çdo herë në plan të parë,/ Djalë i fortë, zemër-luan,/ Ty Zoti të desh pranë./ U prefsh në paqe,/o ëngjëlli ynë!..”. Ndërsa poeti i policisë Besnik Meta, e përjetësoi dëshmorin Elham Elezaj në vargjet: “Malli më ka marrë”,/ Këpucët e tim biri,/ S’i shoh më tek dera,/ të lagura nga shiu,/ Të thara nga era./ Malli më ka marrë/ Sa më ka sfilitur,/ Zemra flakëron/ Shpirti i zhuritur./ Në repart tek shokët,/ Bir, të ndjej pranë!/ Ata porsi prindi/ Të kujtojnë plot mall..”. Në librin zyrtar “Dëshmorët e Atdheut”, të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes më 2012-ën në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, në kapitullin “Dëshmorë të Atdheut të rënë në Tiranë pas vitit 1945”, në faqen 170 dokumentohet: “Elham Sulejman Elezaj është shpallur me titullin e lartë Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.229, datë 13.4.1999, lindur më 27.7.1969 dhe rënë në krye të detyrës më 9.7.1998. Vendimi për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” i është dhënë pas nëntë muajsh e katër ditësh. Vlerësimet për dëshmorin kanë qenë të rralla edhe pse kontributi i tij në një jetë të shkurtër ka qenë i gjatë dhe sinjifikativ në detyrat më të vështira që ka përballuar Policia e Shtetit e veçanërisht reparti special i saj “RENEA”. Këtu është për t’u shënuar se Këshilli Bashkiak i Vlorës ka marrë në analizë dhe ka vlerësuar herë pas here edhe ata bij e bija të popullit që kanë shërbyer në Policinë e shtetit por që kanë dhënë gjakun e tyre për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë së qytetarëve në Shqipëri. Kështu më pak kohë më parë një rrugë në qytetin e Vlorës i është dhënë emri i oficerit të Policisë së Shtetit “Elham Sulejman Elezaj”.

Kështu shkruan gazeta “Shqiptarja” që shkruan 30.9.2025: “Një rrugë në qytetin e Vlorës merr emrin e Dëshmorit të Atdheut Elham Elezaj, ish-oficeri i RENEA-s ra në krye të detyrës në moshën 29 vjeçare më 9 korrik 1998. Është një rrugë, pranë stadiumit në Vlorë që do të mbajë emrin e dëshmorit të Atdheut, Elham Sulejman Elezaj. Në ceremoni morën pjesë, përfaqësues të këshillit bashkiak të Vlorës, familjarë dhe ish-kolegët e Repartit RENEA. Suljeman Elezaj, babai i dëshmorit të Atdheut Elham Elezaj duke vlerësuar këtë nismë shprehej: “biri im e dha jetën për Atdheun. Ne jemi familje që në të gjitha epokat kemi dhënë gjak për Atdheun. Kam tre xhaxhallarë dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe djali im është dëshmori i katërt në familjen tonë. Kemi dhënë shumë për atdheun. E ndjej veten krenar që emri i djalit do mbetet këtu në Vlorë ta nderojnë vlonjatët bashkë me ne familjarët”. Emërtimi i kësaj rruge, erdhi si propozim i këshilltarëve të djathtë dhe mori votat unanime në Këshillin Bashkiak të Vlorës.

Në ditën e përurimit të rrugës me emër dëshmori, Elpiniqi Mërkuri, kryetare e këshillit bashkiak të Vlorës deklaronte: “Është një gjest i vogël por i vyer për komunitetin, për familjen. Qoftë i paharruar dhe e kujtohshim gjithmonë sa herë kalojmë në këtë rrugë, Dëshmorin Elham Sulejman Elezaj”. Kryesia e SHAK “Labëria” ka marrë në analizë të rënët për Atdheun por edhe ata që kanë rënë për vendosjen e rendit dhe sigurisë në vendin tonë dhe rrezulton se një ndër djemtë më të mirë të Labërisë ngelën përjetësisht në altarin e lirisë dhe të shqiptarizmës. Një grup intelektualwsh nismëtar ka hartuar edhe procedurat e nderimit dhe të vlerësimit të figurave që meritojnë nderimin dhe nderimin e brezave dhe ka propozuar që ish-oficerit të RENEA-s Elham Sulejman Elezaj (pas vdekjes), t’i jepet titulli “Nderi i Qarkut të Vlorës” me këtë motivacion: “Për kontribut sinjifikativ në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike, për shërbimin dinjitoz në repartin elitar RENEA në ringritjen e sigurisë së brendshme shqiptare, për angazhim serioz e profesional në gjithë operacionet policore në jug dhe në veri të vendit pas vitit të mbrapshtë të 1997-ës, duke lartësuar figurën e punonjësit të policisë nga treva vlonjate, për akte të shumta trimërie e guximi në mbrojtjen e rendit publik në Shqipëri, pa kursyer as jetën dhe gjakun e tij në mbrojtje të qytetarëve”. Biri i trevës fisnike vlonjate ishte dhe ngeli në kujtesën e të gjithëve si shembull guximi, trimërie e heroizmi që nderohet në Vlorën e tij të dashur por dhe në mbarë vendin, në atdhetarinë dhe shqiptarimën.

*

Burimet e studimi: Portali i mirënjohur Albspirit: Zaho Golemi, Elham Elezi labi që shkroi histori trimërie në Policinë e Shtetit, Tiranë, 2025; Periodiku i gazetës “Labëria”; Zaho Golemi “Gjaku i Policisë është gjak i shtetit”, Tiranë, 2020; Hilë Lushaku, Bajram Ibraj, Të rënët, në dy vëllime, Vëll I, Tiranë, 2024, faqe 60-64; Hile Lushaku: “Specialet-elita e Policisë Shqiptare, “RENEA”, fq.452-456; fq.389-390; Të dhëna nga arkivi familjar; të dhëna të marra nga Gazeta “Shqiptarja”, e martë 30 Shtator 2025, të dhëna nga https://top-channel.tv/2019/01/23/top-story-historia-e-vrasjes-se-elham-elezit-efektivit-te-renea-s/; të dhëna nga “Gazeta Shqiptare”, e datës 3.5.2022; Libri Dëshmorët e Atdheut, publikim i Ministrisë së Mbrojtjes në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012; Dosja e dëshmorit Elham Sulejman Elezi, në Departamentin e Dëshmorëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Drejtorinë e Përgjithëshme të Policisë së Shtetit; Të dhëna nga “Top Story – Një emision politiko-investigativ: dokumentari për dëshmroët e Policisë së Shtetit, të cilët humbën jetën në krye të detyrës; (rrëfime nga familjarët e efektivëve Elham Elezi, Ibrahim Basha, Ardian Kodra, Arben Ujka, Allaman Dervishit); Komunikatë operative ditore nr.175, datë 24.06.1998, e Ministrisë së Punëve të Brendshme, fq.55; Revista “Policia sot”, qershor 2001, botim i Ministrisë së Rendit Publik, fq.12; Të dhëna nga kryekomisar Vullnet Silaj, Drejtues i parë Vasillaq Sota; si dhe nga arkivi familjar të marra nga babai i dëshmorit Sulejman Elezaj më datën 1.11.2025.