TË LEXOSH POEZINË E TAIP SULKOS, ËSHTË SI TË DËGJOSH MUZIKË
Spiro Kote
Taip Sulko: Nga cikli “Vetmia e erës mbi liqen” i botuar në “Ex Libris”, (pesë poezi, të zgjedhura prej meje).
- VETMIA E ERËS MBI LIQEN
Vetmia e erës mbi mëngjesin e ujrave thërret
e fton atë, sikur brofte nga shkuma, lakuriq,
agim i lagur.
Mos ajo më s’do vijë, si dikur,
me qeshjen si diell mëngjesi?
Flokërat e erës u shprishën,u tretën mbi ujra.
Mos lumturia do çelë në të tjera vise,për sy të tjerë?
Shpirt i liqenit dridhet, ende fërgëllon me pak yje, pret
me valëzat e kujtimeve që hidhen në vetmi si zjarre.
- NUK JANË FJALËT E MIA KËTO
Nuk janë fjalët e mia këto,
“atje mes stuhisë dua të kthehem,
tek ditënetët me vetëtima ndryshe
që copa ma bënin zemrën
e me dritë të re ma mbushnin.”
Tjetër këndoj, këtë ujdhesë,
me vetëm dy qytetarë me shpirtin lakuriq,
jemi në krahët e asaj që vjen,
flamur që nga vetvetja digjet.
Vetëm kështu jemi lumë që nga shtrati ka dalë,
të marrë në përqafime, fare të pakta fjalët
.Jemi mall, zemër, përqafim, vijmë nga malli,
Jemi shfrim, i ikëm luftës, që as e duam
dhe as dot s’e ndalim.
Kjo është ujdhesa jonë, me vetëm dy qytetarë,
me shpirtin lakuriq.
Po pse prapë e dëgjoj atë këngë
“atje mes stuhisë dua të kthehem,”
tek ditënetët me vetëtima ndryshe,
që copa, ma bënin zemrën e me dritë të re
ma mbushnin?”
Këto s’janë fjalët e mia,
s’jam unë që i gjeta këto fjalë.
Është kënga e mbrame e një luleje
që s’donte t’i jepej moçalit.
- KU ËSHTË AJO?
Ku është ajo, trumzë e çelur?E kërkoj!
Mos u kthye në qiparis të vetmisë,
re që era e merr përtej heshtjes së kodrave?
Ku është? Eh si më puthte e më shtynte,
më përqafonte, duke qarë më përzinte,
puqeshim e xixëllonja shpërthenin
kurmit të mbrëmjes.
Ku është? Vetëm janë lulet, vetëm mbrëmja,
po thërret era me gjelbërimin, por ajo nuk është.
Në vende të gabuara më ndjellin xixëllonjat,
por unë e kërkoj! Dua përsëri të çelë me lulemimozat,
me frymën e mbrëmjes të më futet në trup
dhe aty të më rrijë përgjithnjë!
- E BUKURA ËSHTË GJAKU IM
E bukura është gjaku im,
por në flakë dua të digjem si miku im poet,
që bredh rrugëve si shenjtor me dhimbje koke,
gati të bëjë hara-kiri edhe për një fjalë.
Flokët i përhidhen si në gjeratore flake,
nxiton, gjethet pret të flasin për të,
zogjtë t’i këndojnë.
Në punishten time si liqenkë para stuhie futet,
ajo flaka e përhershme kurrë s’i qetohet,
vetëm përzhgëlit.
-Art, do bësh, art, -psherëtin. Në sy s’e përmban dot flakën.
Unë hesht, jam mjeshtër, e bukura është gjaku im,
jam mjeshtër, por dua të jem në flakë si ai.
- PASQYRËZAT E LARGËTA
Atë flakëzën e ëmbël dua, pasqyrëzat
që më përkundnin mbrëmjeve,
si një degëz të ndezur sipër ujërave,
si gjethe harrimi,
pa fillim dhe fund, i gjithi prej toke, i gjithi i yjeve.
Shtëpia ime dridhej dhe ajo në qelqe ëndrrash,
pemët e kristalta fërgëllonin mes shkëndijëzash
të dridhshme
e unë fluturoja si të gjithë të lumturit,
i lehtë, i zbathur.
Atë kërkoj dhe s’dua t’ia di sa dhimbje,
sa gjak do kem në shputa,
kur qelqet e dashurisë të thërrmohen
e unë do të kthehem, këmbëzbathur, i vetmuar.
***
Të lexosh poezinë e Taip Sulkos, është si të dëgjosh muzikë…
(Përsiatje që të vijnë nga leximi i ciklit poetik: “Vetmia e erës mbi liqen”, të autorit Taip Sulko):
*Në themel të ciklit “Vetmia e erës mbi liqen”, të poetit Taip Sulko, qëndron vështrimi i tij për të rrokur raportin e njeriut me: qenien, vetminë, bukurinë dhe misterin e jetës nëpërmjet një ndjejshmërie poetike mes reales dhe ëndrrës, mes përjetimit dhe imazhit.
*Poeti Taip Sulko dallohet për një pjekuri të rrallë artistike, ku shfaqet intelektuali me emocionin e pastër. Poezia e tij është një meditim i qetë i bukurisë ,si dritë rrezëllitëse.
*Në secilën poezi ka një mall të brendshëm që nuk është nostalgji për kohën e kaluar, por mall për origjinën shpirtërore, për “burimin nga vijmë”.
*Me një peizazh poetik të jashtëm, poeti shkon thellë, në heshtje – aty ku poezia bëhet gjendje shpirtërore dhe s’mbetet më anë vetëm e formës .
*Në këtë kuptim, “Vetmia e erës mbi liqen” është një cikël me tipare të poezisë së kulturuar bashkëkohore,me frymë evropiane ku reflektimi mbi qenien, artin dhe dashurinë përbëjnë tri shtylla themelore të përvojës së tij poetike.
*Këto poezi kanë ritëm të brendshëm, si frymëmarrje, si valë që kthehen.
Nuk kërkojnë logjikë, por praninë e lexuesit.
Aty është e fshehta: Poezia e poetit T. Sulko nuk është për t’u shpjeguar, por për t’u përjetuar si përceptim dhe ndjesi.
***
Në fushën e letërsisë, ai ka marrë vlerësime për veprat:
Në anën tjetër të Parajsës, roman, Fan Noli, 2002.
Antologjia e shpirtërave, tregime të shkurtra, Plejad, 2009.
Toka e premtuar, poezi, Plejad, 2010.
Portat e Qiellit, poezi, Naimi, 2020.
I arratisuri, roman, Naimi, 2024.