Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Poezia e Rudolf Markut, si antinomi e lirisë

Rudolf Marku konsiderohet si një nga poetët dhe shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë sonë bashkëkohore. Poezinë e tij e kam përjetuar si një spektakël, që ka në origjinë transhendencën, tejkalimin, shkuarjen përtej horizontit të krijuar. Duke e ndjekur krijimtarinë e tij qysh në fillim të viteve ‘80 të shekullit të shkuar, (ndonëse ka fillesa më të hershme) kam parë se ky poet, rebel dhe plot kolorit, ka shprehur cilësi e gjendje që kanë tejkaluar përherë përvojat normale, pa e çarë kokën për konvencione shoqërore, duke synuar modernizimin e poezisë. Mjaft nga librat e tij para vitit 1990 tërhoqën sukseshëm vëmendjen, pasi në to vërehej largim nga retorika zyrtare, tendenca për t’u larguar nga poezia tradicionale, nga format letrare formale, duke pasqyruar përmbajjen e plotë të mendjes së tij dhe kujtesës, me një strukturë koherente dhe nxehtësi imagjinate, shpesh në një kontekst që lidhet me ndjenjat, ideologjitë, ose konceptet me substancë më të lartë, pavarësisht nga konteksti historik kulturor. Ja çfarë shkruante autori në vitet ’80:

“Prapë do bredh nëpër botë,

nëpër udhë të vështira,

Nën shirat rrebesh,

Trishtimin e jetës do mbart si hamall”.

R. Marku ka krijuar vepra arti mjaft të arrira, dje dhe sot, duke u përpjekur të përfshijë mesazhin filozofik në besimin hyjnor poetik.

“Poetët janë qytetarë të Ferrit,

I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet,

Me ëndrrat e të panjohureve, me rrëfime fantazmash,

Të dënuar për shkak të tingujve, të ritmit, të fjalëve

Degjojnë bisedat sekrete të sferave qiellore.

Poetët janë qytetarë të Ferrit.

Ecin nëpër hone malesh, kundër gravitetit të dashurisë

Për të arrit mekatarët e brakstisur nga gjuha”.

(Poetët).

Në shpërthimet lirike të pazakonta dhe me arsyetime filozofike, të nisura nga themeli i transhedencës së vetë qënies njerëzore, ndihet një realitet i pranuar dhe i ndjerë ku ekzistenca, çuditërisht, është angazhuar në mënyrë absolute.

Ka kohë që as dashuritë e vjetra nuk i ndreqim më,

Dhe as puthjet e dikurshme të dalë mode,

Dhe as atë pagjumësinë e dashurisë nuk e riparojmë ,

Dhe as rrahjen e ankthshme të zemres që rënkonte.

(Këpucari plak).

Thelbi i poezisë së Markut është njëkohësisht natyrë dhe liri, që vijnë nga i njëjti thelb, ashtu si vetë ekzistenca; shfaqen në mënyrë të njëkohshme dhe mbeten të pandashme. Poezia e tij jeton brenda natyrës dhe lirisë së tij. E gjithë transhendenca ndodhet vetëm te liria. Ajo nuk bashkohet me natyrën, por e kundërshton atë, që të mos shkatërrojë thelbin e saj si liri.

Një paradoks ky që mund të cilësohet si antinomi e lirisë.

Që fëmijë mësova të deshifroj zërat që vinin nga gurët,

Zëra prej basi, të thellë e të rëndë,

Hulli sonore që shkundëllijnë si një kujë a vaj,

Tashmë di të shfletoj gurët si fletët e një Fjalori,

Për t’u siguruar për kuptimin e fjalëve që s’i dija më parë.

(Gurët).

Poeti nuk është në gjendje të dijë përse ekziston bota. Ai krijon një realitet që vjen nga përvoja autentike e dështimit, ku gjithçka shprehet qartë dhe, paradoksalisht, mbetet e pashprehur, ku gjuha mbetet në vend bashkë me mendimin.

Dhe nuk predikon asnjë formë të moralit, të përshirë nga natyra absolute e lirisë, as si ndjenjë universale që beson se cdo gjë është e mundur, as si përjetim relativ, të varur nga etika e masës, që siguron kushtet empirike të pranisë dhe të ushtrimit të lirisë. Në poezinë e R. Markut etika e absolutes bëhet relative dhe dhe merr shkëlqimin e saj veçse kur shkatërrohet.

“Heronjtë të gjithë sërish kishin vdekur

Dhe historia pa kujtesë është një grua e përdalë

Pa heronj, pa shenjëtorë, pa monumente të lashta,

Me parandjenjen se diç e keqe ka për t’ardhë,

Derisa filluam të vrisnim njëri tjetrin si në një përrallë”.

(Kemi parë historinë).

Lakonik, me plot ambicje dhe i pakënaqur me veten, kozmopolit dhe i prirur qysh në rini drejt poezisë dhe qytetërimit perëndimor, pas vitit 1997 Marku ndoqi një rrugë që e shpuri drejt mërgimit, pa i shkëputur kurrë lidhjet me Shqipërinë. Dolfi punon, përkthen, përgatit antologji, shkruan poezi dhe prozë, duke pasqyruar përmbajtjen e plotë të mendjes dhe kujtesës. Poezitë e tij janë të mbushura me peizazhet e vendeve ku ka jetuar. Ai ka eksperimentuar shpesh me format poetike, në mënyrë që vargu i tij t’i përgjigjet dhe të përshihet në proceset e ndërlikuara natyrore e njerëzore.

Poezitë e tij janë përherë interesante, të përkryera, sipas çdo kanuni poetik. Në to spikat mjeshtëria e lartë, dashuria për gjuhën, ndjeshmëria ndaj nuancave kuptimore dhe tingullore.

BIOGRAFIA

Rudolf Marku lindur në vitin 1950 në Lezhë, është shkrimtar e publicist i shquar shqiptar. Është fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2015, për romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”.

Studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Tiranës,më pas u emërua si mësues në gjimnazin e Lezhës. Vëllimi i tij poetik “Shokët e mi”, botuar në 1973 kritikohet në shtypin e ditës si një libër me gabime ideologjike. Libri tërhiqet nga botimi duke u konsideruar një vepër e ndaluar. Poezia e tij “Lidhjet e mia me natyrën” kritikohet në Pleniumin IV të Komitetit Qendror të PPSH, si një poezi dekadente.

Nga viti 1987 deri në vitin 1990 punoi në gazetën “Drita”, ku drejtoi botimin e poezisë dhe të përkthimeve. Në v1996 emërohet nga Ministria e Jashtme, me detyrën e atasheut kulturor pranë ambasadës shqiptare në Londër. Që nga viti 1997 ai jeton bashkë me familjen në Angli. Ka botuar 7 vëllime poetike, si dhe ka botuar edhe romanin Allahland”. Shtatë librat poetikë e kane renditur si njerin nga poetët me të talentuar të gjuhës shqipe. Ka përkthyer në shqip T.S. Eliot, Ezra Pound, W. Oden, K. Kavafis, Xh Ungaretin dhe shumë autorë të tjerë të njohur të shekullit XX. Ka meritën t’i ketë prezentuar për herë të parë lexuesit shqiptar shumë autorë të huaj të konsideruar të ndaluar.

Vitet e fundit, Rudolf Marku ka botuar romanet “Allahland” dhe “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”. Për “Allahland”, ka shkruar revista e mirënjohur akademike qe botohet ne Texas Dallas ‘Translation Magazine”: “Allahland,, është një roman satirik konician; karikatura e politikes dhe gazetarisë shqiptare te tranzicionit”. Ndërsa romani “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”, është pritur me entuziazëm në shtypin letrar te Tiranes (shih artikujt e botuar nga Preç Zogaj, Visar Zhiti, Zija Çela, Sadik Bejko, Ali Aliu, Petro Luarasi, Sami Milloshi). Romani është nderuar me çmimin “PEN”, si romani më i mirë për vitin 2012. Përmbledhja e fundit poetike “Një ballkanas në Londër”, ka fituar çmimin ‘Penda e Argjendë’, si libri më i mirë poetik për vitin 2012 (shih artikujt e shumtë të botuar në median shqiptar për vëllimin poetik “Një ballkanas në Londër”).

Në vitin 2014 boton përmbledhjen me ese “Një letërr që na vjen pas vdekjes”, -njeri prej librave eseistike më të realizuar artistikisht- botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe, një libër që shquhet nga erudicioni i thellë dhe mendimi bashkëkohor filozofik. Libri është pritur shumë mirë nga kritika dhe lexuesit.

Në vitin 2017 Marku doli para lexuesve me Antologjinë e Poezisë Botërore’, me titullin “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” me poezi te zgjedhura e të përkthyera, me poezi që nga Safo, Kalimaku, Catullus, Sextus Propertius e deri te Bodlerii, Jul Laforgu dhe bashkëkohësit Ted Hughes, Sylvia Plath, Josef Brodskey. Antologjia vazhdon te konsiderohet si nje sukses i madh. Antologjia u konsiderua nga poetë dhe shkrimtarë seriozë si njëra prej përmbledhjeve më të rëndesishme, të botura në gjuhën shqipe prej vitesh.

Për romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, Rudolf Marku u shpërblye me çmimin “Kadare” në vitin 2015, i pari shkrimtar shqiptar që e merr këtë çmim (Shih recensionet e botuar në shtypin shqiptar).

Marku është nderuar me çmimin e Poezisë Evropiane në Berlin në vitin 2007, me çmimin “Naim Frashëri”, për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë; me çmimin “At Zef Pellumi”. Esetë e Rudolf Markut si dhe shkrimet e tij publicistike, botuar vitin e kaluar, kanë pasur një pritje tepër pozitive nga lexuesit dhe kulturologët.

Në vitin 2019 botohet ribotimi i përpunuar i romanit ”Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës”. Në 2020 Rudolf Marku boton librin poetik ”Rrathe të brendashkruar”, – një liber i pritur shumë mirë nga qarqet letrare dhe lexuesit (Botimet Onufri). Po këtë vit, tre muaj më vonë, autori boton romanin ‘Pritja”, edhe ky një sukses.

Në Dhjetorin e vitit 2020 u shpall Poet Laureat nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit dhe Ministria e Kulturës, i pari poet shqiptar që nderohet me këtë titull nderi, të cilin e ka mbajtur deri në fundin e vitit 2022, kur u shpall një tjetër fitues, Luljata Lleshanaku.

Në vitin 2025 ka botuar përmbledhjen me poezi “Kthimet”, një rrugëtim emocional, ku autori përballon kohën, humbjet dhe gëzimet e vogla që e mbajnë njeriun të lidhur me rrënjët.

Poezitë e Markut janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botes, duke u përfshirë në disa antologji prestigjioze të botës.