Ismet Hajrullahu: Islamizimi i shqiptarëve
Historia jonë ndër shekuj ka faqe krenarie, por në momente të caktuara ka edhe faqe turpi…
Një nga më të errëtat është islamizimi, që duke e parë gjithmonë në këndvështrimin krahasimor me popujt e tjerë në Ballkan e më gjerë, është e pashpjegueshme se si një popull si ne, që kemi trashëguar rrënjë ilire e të krishtera, kisha, manastire e tradita të lashta, u konvertua masivisht në islam, duke iu nënshtruar një armiku të egër si Perandoria Osmane dhe duke u bërë pothuajse të vetmit në rajon…
Ky konvertim nuk mund të shpjegohet si akt ‘besimi’, pasi në Ballkan ka pasur edhe popuj të tjerë që u përballën me pushtimin osman, por ata ruajtën fenë dhe identitetin e tyre.
Për shqiptarët, islamizimi ishte akt nënshtrimi dhe shitje e shpirtit kombëtar për privilegje të vogla, ndërsa fqinjët si serbët, grekët, arumunët e ruajtën fenë e tyre, e ne shqiptarët u treguam servilë, duke thënë “kofsh turk”, shprehje që simbolizon tradhtinë ndaj vetvetes…
Pashko Vasa e ka thënë hapur se ndarja fetare ishte dobësia më e madhe e kombit tonë. Shqiptarët nuk rezistuan, por vetë e pranuan islamin, duke u copëtuar mes tri feve dhe duke humbur unitetin. Për Vason, kjo ishte tradhti ndaj vetvetes, sepse një popull i ndarë në fe humb forcën dhe nuk ka më shtyllë kombëtare.
Faik Konica, po ashtu e shihte islamizimin si plagë të rëndë…
Ai ironizonte mentalitetin e shqiptarëve që thoshin “kofsh turk”, duke treguar se pa u bërë turk nuk ishe askush. Për Konicën, kjo ishte prova e servilizmit dhe e mungesës së karakterit kombëtar, shqiptarët braktisën trashëgiminë ilire dhe të krishtere për privilegje të vogla, duke u bërë vegla të pushtuesit.
Edhe Sami Frashëri, megjithëse e shpjegonte islamizimin si pasojë e kushteve historike, taksat e rënda mbi të krishterët, privilegjet për myslimanët, presioni politik dhe mungesa e një kishe kombëtare të bashkuar, e cilësonte si mungesë karakteri faktin që shqiptarët nuk e ruajtën fenë e vjetër me vendosmëri e për Samiun, kjo ishte dobësi shpirtërore dhe nënshtrim ndaj pushtuesit.
Historianët modernë përpiqen ta shohin islamizimin si proces kompleks, me presion ekonomik e politik, me mungesë strukturash fetare të forta dhe me zgjedhje individuale,por e vërteta është se shqiptarët vetë e pranuan, duke u bërë pjesë e administratës osmane, duke harruar kishat e tyre dhe duke e kthyer Turqinë në armikun dhe sunduesin e së ardhmes së tyre.
Ky fenomen ishte servilizëm i përmasave të pashpjegueshme, e jo mbijetesë…
Pasojat ishin të rënda dhe reflektojnë edhe sot,pasi shqiptarët humbën lidhjen me rrënjët ilire dhe të krishtere, dhe u kthyen në një popull pa shtyllë shpirtërore…
Varrimi me qefin, lutjet e hoxhës, Bajrami si festë e madhe, të gjitha u bënë pjesë e zakoneve, por në të njëjtën kohë u dobësua kujtesa afatgjatë për të vdekurit dhe respekti për trashëgiminë e lashtë.
Islamizimi i shqiptarëve nuk ishte mbijetesë, por tradhti ndaj vetvetes, duke e lënë kombin të copëtuar dhe pa shtyllë shpirtërore.
Kjo ishte një tragjedi që ende sot ndikon në fatin e shqiptarëve. Një plagë që nuk shërohet lehtë dhe një kujtesë e hidhur se tradhtia ndaj vetvetes është më e rënda nga të gjitha!