Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: “Engjëlli i mëshiruar” i Leonardo da Vinçit

“L’Ange incarné”, (“Engjëlli i mëshiruar”), ky vizatim i Leonardo da Vinçit, është hedhur në letër në vitet 1513 apo 1515, në kohën që piktori gjenial ishte në Romë. Një vizatim i krijuar shpejt e shpejt siç ndodh kur piktorët bëjnë një “croquis” duke imagjinuar një tablo të ardhshme dhe që nuk është punuar me shumë imtësi, çka duket sapo e shikon këtë vizatim ku piktori ka menduar për kompozicionin e veprës së ardhshme dhe portretizimin e figurës. Është një vizatim fillestar që më pas do të ndiqet me gjenialitetin që kishte mjeshtri i madh i Renesansës italiane. Ky vizatim kishte rënë në dorë të familjes mbretërore britanike dhe ishte në koleksionin e tyre bashkë me vizatime e vepra të tjera të mjeshtërve italianë. Një studjues gjerman gjatë shekullit XIX kishte kërkuar të bënte studime në koleksionin mbretëror dhe pas disa ditësh, duke u larguar, ai kishte dalë duke fshehur nën kapelen e tij pikërisht këtë vizatim me dimensione të vogla të Da Vinçit. Sigurisht që ky vizatim e kishte bërë mjaft kureshtar, për më tepër për llojin që përfaqësonte. Vizatimi u bë veçanërisht i njohur në vitin 1990 kur u gjet në shtëpinë e një familje të pasur gjermane.

Ajo që të bën përshtypje është figura si të thuash e një Erosi pagan, ku njeriu që na shfaqet është një burrë që ka njëkohësisht dhe tiparet femërore, pra një gjoks femëror edhe pse ka një penis të ngritur, çka e bën unikale këtë vizatim të Da Vinçit. Kjo “croquis” ka qenë sigurisht në zanafillë të tablove të mëvoshme ë Leonardos si tek “Engjëlli Lajmëtar”(“L’Ange de l’Annonciation”) apo “Bachus”, ku në të dy tablotë e mëdha, në tempera në dru, është i njëjti portret i ngjashëm me atë të vizatimit, një portret ambigu, iI cili ka hiret sensuale të një femre brenda trupit të një mashkulli. Padyshim një ambivalencë e habitshme për fillimet e shekullit XVI për më tepër të krijuara në atmosferën e dogmës kristiane të Romës së Vatikanit. Është figura e Gjon Pagëzorit që klerikët konservatorë s’mund ta pranonin që të mishëronte shenjtin e madh, atë që pagëzoi birin e Perëndisë. “Ky nuk është Gjon Pagëzori i shkretëtirës!” – thonin ata duke mos e pranuar këtë tablo. Dhe vërtetë, po ta shohësh, sytë e Gjon Pagëzorit shprehnin jo një ndjesi përkushtimi ndaj Juezusë por një ndjesi sensuale, shumë të afërt me Erosin pagan. Mund të pyesim: përse kjo ndjesi e seksualitetit androgjin? Vallë një dëshirë e brendshme e vetë piktorit gjenial, homoseksualiteti i të cilit edhe pse i fshehur, dihej në atë kohë, apo ishte një çështje botëkuptimi? Duket se që nga ky vizatim dhe tablotë që përvijuan në atelierin e tij me të njëjtin portret dhe gjendje, u krijuan në kuadrin e një mendimi neoplatonik, çka njihet në faqet e veprës “Banketi” të Platonit, pra idea që femra dhe mashkulli janë gjithnjë bashkë dhe ata nuk mund të kuptohen veçmas, por janë një brenda trupit njerëzor.

Përfundimisht ajo që Leonardo da Vinçi me gjenialitetin e tij na la pas përmes tablove të përkryera si “Engjëlli Lajmëtar” apo “Bachus”, nuk nisi si një lojë pikturale në një “croquis” të gjetur vonë në letrat e tij blu bashkë me studimet anatomike dhe vizatimet me pasqyra, por ishte diçka shumë e thellë, e brendshme, e menduar gjatë dhe ajo që është më e dukshme, është se kemi të bëjmë me diçka tepër personale e që lidhet me homoseksualitetin e vetë artistit të madh. “Engjëlli i mëshiruar” ishte si të thuash kufiri midis mashkullit dhe femrës, midis trupit dhe shpirtit…

1 dhjetor 2022.