Piktura për Krishtin e Rubens shitet 2.94 milionë euro
Një pikturë e Jezu Krishtit nga mjeshtri flamand, Peter Paul Rubens, e cila mendohej e humbur prej shekujsh, u shit 2,94 milionë euro në një ankand në Francë, tha organizatori i ankandit Jean-Pierre Osenat. ”Piktura, e cila pritej të shitej për një çmim midis 1-2 milionë eurove, u zbulua së fundmi në një rezidencë në Paris, pasi ishte fshehur prej shekujsh”, tha Osenat, duke e përshkruar veprën si një “kryevepër”. Mjeshtri më i famshëm barok i Evropës pikturoi “Krishtin në kryq” në fillim të shekullit XVII, sipas Osenat. Vepra ka përmasa 73,5X105,5 centimetra. Sipas medias franceze, piktura mendohej e humbur që nga viti 1613 dhe u gjet në vitin 2024 në një pronë që organizatori i ankandit po përgatitej ta shiste. Rubens u lind në Siegen në shtetin gjerman të North Rhine-Westphalia në vitin 1577 nga refugjatë holandezë të luftës dhe u rrit në Këln përpara se familja e tij të kthehej në Antwerp./atsh