Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: TOGA E (PARA)FUNDIT

Kush janë vrasësit:
pushkët, pushkatarët?

…dihet kush janë të vrarët…

Pas një kodre, mali
afër buzë një përroi
nga pushkatarët
cili qëlloi i pari,
i fundit qëlloi?

Kush u rrëzua i fundit
nga të vrarët
të pa mundurit?

Të gjithë pushkatarët
me të njëjtën armë
qëlluan
duke shkrepur
çdonjeri
pushkën e vet,

para togës
së pushkatimit
secili prej atyre
që do të vritej
ishte vrarë
përpara shkrepjeve
në pranga në polici
në burg la duart
në gjyq tingujt
iu shuan
në lutje për t’u falur
në falje gjuhëprerë.

Hijet e të gjallëve
vriteshin
nga ushtarë
të (pa)fajshëm
zelltarë të vërtetë
rrëpire, buzë përroi…
edhe zelltarët
të (pa)fajshmit
vriteshin
nga të tjerë
pushkatarë
këta nga të tjerë
vrasës heronj…

Dihet kush janë
të vrarët…
vrasësit…