Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Dy romanet e mia do të botohen në rumanisht

Dy romane brenda një libri ku i bashkon figura e gruas: “Gruaja që vinte nga mjegulla” dhe “Shqiptari-L’Albanais” që do botohen këto ditë në gjuhën rumune.
—-
Më së fundi, dy nga romanet e mia të kohëve të fundit të përkthyera nga përkthyesja e njohur rumune Cătălina Francu do të botohen këto ditë nga shtëpia botuese e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në Bukuresht nën kujdesin e studjuesit të njohur dhe kritikut të letërsisë Luan Topçiu. Zonja Cătălina Francu e cila më ka përkthyer para një viti romanin “Dalia” me titullin e ri “E dashura e maleve”, roman ky i mirëpritur nga kritika rumune, është një njohëse shumë e mirë e letërsisë shqiptare duke përkthyer disa autorë shqiptarë si Visar Zhiti, Andreas Dushi dhe autorë të tjerë. Ka përkthyer gjithashtu dhe disa nga poezitë e mia. Krahas saj duhet të falenderoj në veçanti Dr. Luan Topçiu për përkujdesin e tij të veçantë për të prurë në gjuhën rumune pjesë nga letërsia shqiptare. Ai është jo vetëm një kritik profesionist dhe njohës i letërsisë shqiptare, çka është spikatur me botimet e tij kritike, së fundi me poezinë e Lasgush Poradecit apo me botimin së fundi në Bukuresht të Fjalorit Rumanisht-Shqip bashkë me Dr. Renata Topçiu-Melonashi, por njëkohësisht ai është një mesagjer i vërtetë i kulturave të dy popujve tanë. Një nga veprimtaritë e fundit të tij ishte para një jave në “Bibliotekën Ion Crengă” me prezantimin e botimit të romanit të Luan Starovës “Librat e babait”, një nga veprat më të mira të këtij shkrimtari të shquar përkthyer nga Luan Topçiu. Dhe të mos harrojmë botimin periodik të mrekullueshëm mbi artin, letërsinë dhe historinë e dy vendeve “Albanica” e cila i bën nder të kulturës shqiptare.
Që prej disa vitesh ai, bashkë me deputetin Bogdan-Alin Stoica, me Dr. Radu-Cosmin Săvulescu (kryetar i ALAR) si dhe Radu Antohi, sekretar shteti në Ministrinë e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Rumanisë, kanë krijuar një grup të miqësisë duke u bërë promotorë mjaft aktivë të kulturës shqiptare në Bukuresht si dhe në kuadrin e shkëmbimeve kulturore, letrare e artistike midis Rumanisë dhe Shqipërisë, dhe kjo është për tu përshendetur nxehtësisht. Ky kontribut i diasporës shqiptare në Rumani, për të cilin kam qenë dëshmitar në veprimtaritë e organizuara në Bukurresht, vazhdon në gjurmët e një tradite të vjetër që në fundin e shekullit XIX me personalitete të shquara të kulturës shqiptare me banim në Rumani të cilët ishin pjesë e lëvizjes së Rilindjes Shqiptare.