SHBA: Evropa të marrë drejtimin e mbrojtjes së NATO-s deri në 2027-n
Shtetet e Bashkuara duan që Evropa të marrë përsipër shumicën e kapaciteteve të mbrojtjes konvencionale të NATO-s brenda vitit 2027, thanë zyrtarë të Pentagonit gjatë një takimi me diplomatët në Uashington këtë javë, sipas Reuters.
Afati i ngushtë u duk i parealizueshëm për disa zyrtarë evropianë.
Mesazhi, i konfirmuar nga pesë burme të njohura me diskutimet, përfshirë një zyrtar amerikan, u përcoll në një takim ku morën pjesë stafi i Pentagonit përgjegjës për politikën e NATO-s dhe disa delegacione evropiane.
Kalimi i i kësaj detyre nga SHBA –ja tek vendet evropiane të Aleancës së Atlantikut të Veriut do të ndryshonte ndjeshëm mënyrën se si SHBA-ja, një nga themelueset e aleancës pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunon me partnerët e saj më të rëndësishëm ushtarakë.
Gjatë takimit, zyrtarët amerikanë sinjalizuan se Uashingtoni ende nuk është i kënaqur me hapat që ka ndërmarrë Evropa për të forcuar aftësitë e saj të mbrojtjes që nga pushtimi i zgjeruar i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë paralajmëruan se nëse Evropa nuk e përmbush afatin e vitit 2027, SHBA mund të ndalojë pjesëmarrjen në disa mekanizma koordinimi të mbrojtjes të NATO-s.
”Disa zyrtarë në Kongres janë të informuar dhe të shqetësuar për këtë mesazh të Pentagonit”, tha një zyrtar amerikan.
Nuk ka qartësi se si SHBA do ta masë progresin e NATO-s.
Kapacitetet konvencionale të mbrojtjes përfshijnë asetet jobërthamore, nga trupat te armët, por zyrtarët nuk sqaruan se si SHBA do të vlerësojë përparimin e Evropës për të marrë pjesën më të madhe të barrës.
Nuk është e qartë gjithashtu nëse afati 2027 përfaqëson qëndrimin e administratës Trump apo thjesht pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit.
Në Uashington ka ndasi të mëdha mbi rolin që SHBA-ja duhet të luajë në Evropë.
Zyrtarë të shumtë evropianë thanë se një afat deri në vitin 2027 nuk është realist, pavarësisht se si Uashingtoni e mat progresin, pasi Evropës i nevojitet më shumë sesa para dhe vullnet politik për të zëvendësuar disa kapacitete amerikane në afat të shkurtër.
Ndër sfidat kryesore, aleatët e NATO-s përballen me vonesa të mëdha në prodhimin e pajisjeve ushtarake që po përpiqen të blejnë.
Edhe pse zyrtarët amerikanë kanë inkurajuar vendet evropiane të blejnë më shumë pajisje të prodhuara në SHBA, disa nga sistemet më të kërkuara amerikane do të duheshin vite për t’u dorëzuar nëse do të porositeshin sot./atsh