Ditari i javës/Tolstoi: Qershor-dhjetor 1850
Ditari në dy vëllime i Tolstoit i përgatitur nga R. F. Christian përfshin vitet (vëllim i parë)1847-1894 dhe (vëllimi i dytë) 1895-1910. Këto qindra faqe pasqyrojnë preokupimet e autorit si shkrimtar dhe zhvillimin e tij si person dhe mendimtar. Në to po ashtu gjejmë edhe qëndrimin e tij ndaj problemeve shoqërore, jetës rurale, industrializimit, edukimit dhe më vonë çështjeve religjioze dhe shpirtërore
14 qershor 1850, Yasnaya Polyana
Iu riktheva edhe njëherë ditarit tim dhe edhe njëherë me afsh të ri dhe me një qëllim të ri. Që sa herë? Nuk e mbaj mend. Varja, mbase do ta braktis prapë; por është një angazhim i këndshëm dhe do te jetë e këndshme ta rilexoj, ashtu siç ishte e këndshme ta rilexoja atë të vjetrin. Ka një mori mendimesh në kokë njeriu dhe ca sosh njëmend të jashtëzakonshme, por kur i shqyrton ato, atëherë dalin të jenë të pakuptimta; nga ana tjetër disa të tjera duken të ndjeshme – ja kjo është arsyeja pse nevojitet ditari. Në bazë të ditarit personal na bëhet bukur e mundshme të gjykojmë veten tonë.
Dhe prapë, përderisa më duket e domosdoshme të përcaktoj të gjitha angazhimet e mia paraprakisht, ditari është i domosdoshëm për këtë gjë. Do të doja të kisha zakon të përcaktoja mënyrën time të jetesës paraprakisht, jo vetëm për një ditë, por për një vit, për disa vite, a madje edhe për gjithë jetën; është shumë zor, pothuajse e pamundshme. Por do të përpiqem; së pari për një ditë, mandej për dy ditë – për aq ditë për sa unë mbetem i përkushtuar ndaj vendimeve të mia, për ato ditë që do t’i planifikoj. Me ato vendime nuk e kam fjalën për rregulla morale të pavarura nga koha dhe vendi, rregulla që kurrë nuk ndryshojnë dhe që unë i përpiloj veçanërisht, por vendime që janë të përkohshme dhe lokale: ku të jetoj dhe për sa kohë, çka të studioj dhe ku.
Rastet mund të shtohen kur të jetë e mundshme që këto vendime të alternohen; por do të lejoj vetëm ato shmangie që do të jenë të përcaktuara nga rregullat; kësodore në rast të ndonjë shmangieje, do t’i shpjegoj shkaqet e tyre në ditarin tim. […]
Tri vjetët e fundit që i kam kaluar në mënyrë kaq të shpenguar nganjëherë më duken interesante, poetike dhe pjesërisht të dobishme; do të mundohem të rikujtoj dhe regjistroj ato çiltërisht dhe në hollësi për aq sa të jetë e mundshme. Ky do të jetë qëllimi i tretë i ditarit tim.
17 qershor
U zgjova para orës tetë, nuk bëra asgjë deri në orën 10, lexova dhe shkrova ditarin tim nga ora 10 deri në orën 12; nga ora 12 deri në orën 6 – drekë, pushim, ca mendime rreth muzikës, darkë; nga ora 6 deri në orën 8 – muzikë; nga ora 8 deri në orën 10 – me punët e çifligut.
Kjo është dita e dytë që po rri pa bërë gjë dhe nuk e çova deri në fund atë që kisha ndërmend. Pse? Nuk e kuptoj. Sidoqoftë, nuk dëshpërohem; do ta detyroj veten. Dje, përveç që nuk e përfundova atë që kisha ndërmend, po ashtu e shkela rregullin tim. Por tash nuk do ta shkel më rregullin tim që të mos kem një grua në fshat, përveç në raste të caktuara pas të cilave s’do të ngarend, por as nuk do t’i lë të më ikin.
Kur jam në një gjendje apatike, kam vënë re se çdo punë filozofike më stimulon fort të jem aktiv – po e rilexoj Montesqieun tash. Më duket se jam bërë dembel ngase kam nisur të merrem me disa gjëra njëherësh, kështu që në të ardhmen nuk do të merrem me ndonjë angazhim tjetër derisa të kem përfunduar atë që kisha pasur ndërmend njëherë. Ashtu që të mos më mbetet më të shfajësohem pse nuk ia kam dalë mbanë ta përpiloj një sistem, do të fus në ditarin tim disa rregulla të përgjithshme dhe po ashtu edhe disa rregulla përkitazi me muzikën dhe punët e çifligut.
Disa rregulla të përgjithshme. Mos e lër anash atë që ke për qëllim të bësh me pretekstin e ndonjë shpërqendrimi ose shmangieje, por fillo punën menjëherë, qoftë edhe sipërfaqësisht. Idetë do të vijnë. Për shembull, nëse ke për qëllim të shkruash rregulla, merre një fletore ushtrimesh, ulu në tavolinë dhe mos u ço derisa të kesh filluar dhe mbaruar.
Rregulla përkitazi me muzikën. Luaj çdo ditë: 1) të gjitha njëzet shkallët, 2) të gjitha kordat dhe harpat në dy oktava, 3) të gjitha inversionet, 4) shkallën kromatike. Mësoje një pjesë dhe mos vazhdo për sa kohë ka ndonjë pasazh ku duhet të ndalesh. Zhvendosi të gjitha kadencat në të gjithë çelësat dhe mësoji ato. Luaji të paktën katër faqe muzike çdo ditë dhe mos vazhdo tutje derisa ta kesh gjetur doigté-n e duhur.
Përkitazi me punët e çifligut. Mendo për çdo urdhër nga pikëpamja e dobisë së tij, ose dëmshmërisë. Mbikëqyre personalisht çdo pjesë të pronës çdo ditë. Mos u ngut me dhënien e urdhrave, qortimin apo ndëshkimin, por mbaje në mend se në çiflig durimi nevojitet më shumë se sa kudo tjetër. Anuloje një urdhër që ke dhënë edhe atë që është treguar i dëmshëm, në bazë të gjykimit tënd dhe në rast të nevojës absolute.
Vërejtje
Ky është dimri i tretë që jetoj në Moskë dhe jetoj në një mënyrë njëmend të çrregullt, pa punë, pa asnjë angazhim as qëllim; jetoj kështu jo pse, siç shkruhet dhe thuhet shpesh, çdonjëri në Moskë jeton kështu, por thjesht ngase ma ka ënda këtë lloj jete. Por po ashtu ky është pjesërisht rasti kur një i ri në shoqërinë e Moskës e lë veten në duart e dembelisë. E kam fjalën një i ri që kombinon cilësi të caktuara, do të thotë edukimin, një emër të mirë dhe të ardhura prej dhjetë a njëzet mijë. Jeta e një të riu që kombinon këto cilësi është bukur e kënaqshme dhe krejtësisht moskokëçarës nëse nuk është i punësuar, pra jo seriozisht, por vetëm në letër dhe nëse ia ka ënda të mos bëjë asgjë. Të gjitha hapësirat e tërheqjes janë të qasshme për të dhe ai është i thirrur të aspirojë cilëndo vajzë për martesë; asnjë i ri nuk mund të qëndrojë më lart në opinionin e përgjithshëm të shoqërisë. Por lëreni këtëfarë xhentëlmeni të shkojë në Petersburg dhe ai do të merakoset për atë se pse S. dhe G. Gorçakovi ishin në gjykatë dhe ai vetë nuk ishte; ose si të marrë pjesë në soirenë e baroneshës Z, apo në pritjen e konteshës A., etj. dhe nuk do t’ia dalë të futet në ato sallone derisa të fitojë përkrahjen e ndonjë konteshe. A veç nëse është rritur aty, a veç nëse mund t’i durojë poshtërimet, të shfrytëzojë çdo mundësi dhe të hapë rrugën e vet me vështirësi, por pa nder. […]
8 dhjetor, Moskë1
Kam shkruar në ditarin tim për pesë ditë, mandej s’e kam prekur me dorë për pesë muaj. Do të mundohen të rikujtoj çfarë kam bërë gjatë kësaj kohe dhe pse njëmend kam mbetur kaq mbrapa me zotimet e mia. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur një revolucion i madh brenda meje: një jetë e qetë në fshat, marritë e mia të moçme dhe nevojat që të merrem me punët e mia kanë sjellë fryte. Kam reshtur së ndërtuari kështjella në Spanjë dhe të bëj plane që janë përtej fuqisë sime njerëzore që t’i realizoj. Por faktori kryesor dhe më i favorshmi për këtë ndryshim besimesh është se nuk mbështetem më vetëm te arsyeja ime për të arritur diçka dhe më nuk i përbuz format e pranuara përgjithësisht nga njerëzit. Më herët gjithçka e rëndomtë më dukej e padobishme; por tash, përkundrazi, zor se e pranoj çfarëdo besimi si të mirë derisa ta kem parë të aplikuar dhe të realizuar në praktikë dhe atë të aplikuar nga shumë njerëz. Është e çuditshme se si kam mundur të përbuz atë që përbën pasurinë më të madhe të njeriut – zotësinë për të kuptuar besimet e njerëzve të tjerë dhe t’i shoh të vihen në praktikë nga njerëzit e tjerë. Si kam mundur ta lë arsyen time të ngarendë e lirë, pa e testuar dhe pa e vënë në zbatim fare? Me një fjalë – dhe atë fare të thjeshtë – e kam korrur atë e kam mbjellë dhe tashmë jam pakëz i moçëm.
Këtij ndryshimi i ndihu edhe dashuria ndaj vetes. Duke qenë i zhytur në një jetë të shkapërdarë, vura re se njerëzit që janë inferiorë ndaj meje në çkado tjetër, ishin superiorë ndaj meje në këtë sferë; u ndjeva i lënduar dhe e binda veten se ky nuk ishte fati im. Ndoshta ndikuan edhe dy raste shokuese. I pari ishte humbja e parave sherri i Ogariovit2, i cili i katandisi punët e mia aq keq sa madje u duk se nuk kishte më shpresë të rikthehej rregulli më; dhe pastaj shpërtheu një zjarr që më detyroi të reagoja pa vullnetin tim. Rikthimi i parave të humbura nxori në pah një aspekt më të ndritshëm të këtyre veprimeve. Një gjë e mendoj dhe ajo është se jam bërë shumë i ftohtë. Vetëm rrallëherë, veçanërisht kur shkoj të fle, kam momente kur ndjenja kërkon të shprehet. Edhe në momente të errësirës. Por i kam premtuar vetes të mos dehem. Nuk do t’i vazhdoj shënimet e mia tash, ngase jam i zënë me punët në Moskë, por po pata ndonjë kohë të lirë do të shkruaj një tregim për jetën e romëve3.
Kam vënë re edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm tek unë: jam bërë më i sigurt në vete, do të thotë kam reshtur së ndieri i druajtur; ma ha mendja se kjo vjen nga fakti se kam vetëm një qëllim par ameje (interes) dhe duke u marr vetëm me të kam qenë në gjendje të vlerësoj veten dhe të arrij një vetëdije mbi dobinë time, çka ndikon bukur fort në lehtësimin e raporteve me njerëzit. […]
Rregulla për shoqërinë.
Zgjidh situata të vështira, përherë përpiqu të kontrollosh kuvendimin, fol me zë, qetësisht dhe shquashëm, mundohu të nisësh dhe mbarosh vetë një bashkëbisedim. Kërkoje shoqërinë e njerëzve më të lartë se ti në botë. Para se të takosh njerëz të këtij kallëpi, përgatite veten për llojin e marrëdhënieve që do të kesh me ta. Mos u ndiej në siklet të flasësh para të huajve. Mos e ndrysho vazhdimisht bisedën nga frëngjishtja në rusisht, apo nga rusishtja në frëngjisht. Mbaje në mend se kur e gjen veten në shoqërinë ku ndihesh në siklet mund të vësh veten nën presion, sidomos në fillim. Në një ballo, kërkoju damave më të rëndësishme të vallëzosh. Nëse ndihesh i druajtur, mos u shqetëso, por çoje deri në fund. Ji sa më i ftohtë që të mundesh dhe mos e tradhto veten.
Angazhime për sot4, 11 dhjetor
Rri në shtëpi, lexo, në mbrëmje hidhi në letër rregullat për shoqërinë dhe një sinopsis të tregimit. Angazhime për 8 dhjetorin. Lexo në mëngjes, pastaj merru me ditarin deri në darkë, një listë të gjërave për të bërë dhe vizitat e së dielës. Pas darkës, lexo dhe lahu; në mbrëmje lexo dhe, po nëse nuk je i lodhur, merru me tregimin. Në mëngjes menjëherë pas kafes merru me letrat për postë, hallën5 dhe Pefiljevsin6.
13 dhjetor
Sado që kam bërë asnjë shënim në ditar në datën 12 dhjetor, e kam kaluar ditën mirë – pra jo në dembeli. I kam vizituar autoritetet dhe klubet dhe si rezultat jam bindur, së pari, se do të kem sukses në shoqëri në mënyrën si po më ecin punët për momentin dhe se sa i përket bixhozit do të heq dorë prej tij krejtësisht. Mendoj se nuk kam pasion më për bixhoz, por nuk do të përgjigjem për këtë; më duhet ta testoj. Nuk do ta kërkoj mundësinë, por as nuk do ta lë të më ikën ndonjë e përshtatshme. […]
15 dhjetor
Jam plotësisht i pakënaqur me të djeshmen. Së pari ngase nuk kam bërë asgjë rreth Këshillit të Trustit7; së dyti, ngase nuk kam shkruar asgjë; dhe së treti – ka nisur të më dobësohet besimi im dhe po epem nën ndikimin e të tjerëve.
Duhet të zgjohem shumë herët, të lexoj në mëngjes, pastaj të shkruaj në ditar, të merrem me shkrimin dhe letrat dhe në orën 12 të shkoj në Këshill, te Jevreinovi, Krjukovi, Anikejeva dhe Lvovi; të darkoj në shtëpi dhe të shkruaj më shumë; pastaj në teatër dhe prapë në shtëpi që të punoj prapë.
Rregulla për shoqërinë.
Mos e thirr një person me emra të ndryshëm, por gjithmonë drejtoju atij në të njëjtën mënyrë. Mos tolero as pakënaqësinë më të vogël ose sarkazmin e kujtdo, pa ia kthyer dyfish më zi.
16 dhjetor
Mbarova gjithçka përveç shkrimit. Më duhet të zgjohem herët. Të shkruaj letra dhe tregimin këtë mëngjes, të shkoj te çafkat e Kaljmazhnit8 dhe te banjat, të dërgoj dikë në Këshill dhe Lvov, të darkoj në shtëpi, të luaj letra në mbrëmje me princin Andrej Ivanoviç9 dhe të flirtoj me princeshën. Të blej tesha dhe muzikë pas darke. […]
29 dhjetor
Po bëj një jetë krejtësisht brutale; megjithëse jo krejtësisht të shthurur, i kam braktisur pothuajse të gjitha angazhimet e mia dhe kam rënë shpirtërisht shumë. Duhet të zgjohem herët, të mos pranoj askënd deri në orën 2 dhe të mos dal jashtë; në orën 2 të shkoj te Çulkovi dhe Djakovi, të ha darkë, pastaj te princi10 që t’ia kërkoj një post. Duhet të mendoj me qetësi rreth çdo veprimi të ardhshëm në çfarëdo posti. Në mëngjes të shkruaj tregimin, të lexoj, të luaj në piano dhe të shkruaj për muzikën; në mbrëmje rregullat e romëve.
31 dhjetor, Petrovskoje11
Udhëtim. Pashë Shçerbatovin në një stacion postar12; vizitova drejtorin e postës, por ende nuk kam bërë ndonjë muhabet serioz me Shçerbatovin.
Shënime:
1) Tolstoi kishte shkuar në Moskë nga Jasnaja Poljana më 5 dhjetor.
2) V. I. Ogaryov, i biri i I. M. Ogaryov, fqinj dhe mik i ngushtë i babait të Tolstojt.
3) Tregimi nuk është përfunduar kurrë dhe nuk ka mbetur asnjë gjurmë e tij.
4) Njëra prej këtyre datave është gabimisht. Nëse e para është e saktë, e dyta duhet të jetë 12 dhjetor.
5) Tatyana Alexandrovna Yergolskaya, e afërme e familjes Tolstoj, e cila kishte marrë përgjegjësinë për fëmijët e Tolstojt pas vdekjes së babait të tyre, megjithëse jo tutoria e tyre legale dhe kishte vazhduar të jetonte në Jasnaja Poljana pas martesës së Tolstojt deri në vdekjen e saj, më 1874.
6) S. V. Perfilyev dhe familja e tij. Djali i tij, V. S. Perfilyev, bashkëkohor i Tolstojt dhe ishte martuar me kushërirën e dytë të Tolstojt. Më vonë ishte bërë guvernator i Moskës.
7) Këshilli mbante hipotekën e pronës së Tolstojt në atë kohë.
8) Shkollë kalërimi në qendër të Moskës.
9) Princi A. I. Gorchakov, i afërm i largët i Tolstojëve dhe gjeneral këmbësorie nën të cilin babai i Tolstojt kishte shërbyer. Mendohet të ketë qenë model i princit Ivan Ivanoviç te libri Fëmijëria.
10) Princi A. I. Gorchakov.
11) Çifligu i vjehrrit të Tolstojt, V. P. Tolstoy, rreth pesëdhjetë milje nga Jasnaja Poljana. Tolstoji e kishte lënë anash vendimin e tij që të merrte me qira një stacion poste afër Jasnaja Poljanës, pasi që kushtet e tij nuk ishin pranuar nga partneri i tij i mundshëm, Princi Shçerbatov.
/Marrë nga ‘Tolstoy’s Diaries, Volume 2’, Charles Scribner’s Sons, 1985
/Përkthimi Gazeta Express