Skënder Sherifi: Befasia nga muzikanti maroken
Një homazh spontan, fanstastik, plot finesë, inteligjencë dhe provokim të qëlluar i një artisti autentik belgo-maroken, MANZA, i cili është padyshim, për në Belgjikën frankofone, një ndër pionierët e Rapit dhe të Slamit. Bile, mund t’i gjeni disa nga performancat e tij muzikore, me këtë emër në “Youtube”! Shihet drejtpëdrejt që e zotëron perfekt flown e Rapit! Kushtuar poetin shqiptaro-belg Skënder Sherifi. Ja ku e keni tekstin e tij, të cilin ma ka dedikuar për Jubileun e Brukselit, më datën 27 nëntor 2025, çka ishte një surprizë e bukur për mua, që e lexoi në skenë para publikut belg, i pranishëm gjatë asaj mbrëmbje speciale.
Një itinerar atipik, një pionier i shkëlqyer,
Ju na bëni të gjithëve krenarë nga Parisi në Bruksel dhe deri në Kosovë.
Pena jote fluturon më lart se Shqiponjat
shumë më komplekse se sa historia e një Flamuri të vetëm.
I dashuruar në Fjalën, që në Fëmijëri
na i ke shkruar si në porosi, disa vëllime jete
duke i ringjallur me furi, ca slalome poetike…
Stilolapsi juaj rëndon aq shumë në peshoren e Letërsisë
dhe heshtjet tona i përshpëritin magjitë!
Akademikët me jakat e tyre të mëdha duhet t’iu falënderojnë me siguri ngaqë pa e ditur fare, faqet e tyre përmbajnë aurën tënde dhe firmën: “POEZI”.
Keni njohur vështirësi, por me atë buzëqeshje djallëzore ke sfiduar mbijetesën
Tregimet e tua të djeshme janë pika referimi kuptimplote për të nesërmen
Ti nuk harron nga vjen!
Po përmirësohesh çdo ditë si vera e vjetëruar
Sikurse në armën leksikore të “Renosë”
në Penën tënde, asgjë nuk është e kotë…
Je si Clint EASTWOOD: i ëmbël, i fortë dhe i çmendur
Kulturën franceze: e ke asimiluar, përpirë, shijuar dhe rikrijuar
Ke zhvilluar lidhje të ngushta me figurat më gjigande të kohës
duke i njohur nga afër, i ke prekur përmes artit origjinal dhe një personaliteti evident.
Nga Pierre SEGHERS, deri tek Aleksandër DUMAS duke kaluar përmes Michel AUDIARD…
e more guximin e paparë për ta influencuar Artin!
Shpirt plotësisht i lirë, mendje e pa ndikuar
nuk i ke marrë para sysh shikimet nënçmuese, ose çka mendojnë njerëzit për ty?
Kurse gjithë ata që janë stërfry, janë mburrur me boshësi, i ke mbytur me ironi
i ngopur në absurdi dhe në komedi, ashtu siç funksionon çdo shoqëri
ke vazhduar rrugën tënde, duke ia plasur gazit, plot eufori
ndërsa, gjithë të pakënaqurit i ke argëtuar me një Histori: “bardhë dhe zi”
E qeshura të shërben si radar, kurse dëshira si fortesë!
Ke përdorur çdo gjë kalimtare, ke respektuar çdo krijesë…
Një qëllim në jetë : e merr përsëri stilolapsin dhe vazhdon ëndërrimet i qetë
Arti është i çdokujt dhe i askujt, nuk njeh kufi
nga këtu, ose dikund tjetër, por me siguri nga diku
i parfumuar në Bukuri dhe në Hyjni!
Ti na i rrëfen momentet e privilegjuara të jetës tënde
na i fikson në shkrime, kurse ato të pahijshmet fluturojnë përtej …
Pastaj, hesht, ulesh kudo, dëgjon dhe e vëzhgon pulsin marramendës të botës
mediton mbi lojërat e roleve, nga më seriozet gjer tek më qesharaket
Krijues i angazhuar, i pazotëruar, i admiruar dhe i përjashtuar
Inxhinier suprem i emocionëve dhe i vargjeve të pa autorizuar
na ke freskuar si Uji i kulluar…
Ti nuk përkulesh, nuk frikësohesh, por hidhesh me vrull nga një histori në tjetrën
Librat tuaj janë si himne për rezistencat më të jashtëzakonshme
një gisht i mesit çuar përpjetë, kundër kodeve dhe rregullave në fuqi
Je një gjeni i fjalëve,
talenti juaj do lëjë gjurmë të pavdekshme në botën letrare
nga Parisi, deri në Shqipëri!
Ju nuk kërkoni asnjë njohje
ngaqë e dini qysh kur, që nesër apo pasnesëri
do citoheni si një Referencë hyjnore
një monument i elokuencës…
Një rrugëtim unik
Shkrimtarët dhe filozofët më eminentë të shekullit kanë pasur fatin të të njohin
mirëpo, ty nuk të takon askush, porse preken thellësisht nga prania jote
pastaj kumbojnë në brndësinë e tyre, si në jehonë, pikëpyetjet dhe nuancat…
Kurse nga ana ime, me shumë modesti
po t’i kushtoj këto mendime që më erdhën kalimthi
nuk e di se sa vlejnë… ndoshta më tepër se një qershi?
Por nuk e kam harruar takimin tonë në atë lokal
ku ti porosite një çaj mente, ndërsa unë një dopio kafe
Pleqëruam të dy mbi dynjanë, pa kalkuluar asgjë
I përpiva gjithë fjalët e tua, deri sa e harrova ekspreson time
E ndjeva si detyrim moral, që më duhet ta bëj këtë veprim
për ta përshëndetur këtë mik të ri dhe të panjohur
me këto fjalë të mia, për ta celebruar një vllazërim
Po, ishte nder e madhe, një shans dhe një privilegj për mua ky moment i shkurtër i ndarë me ty
desha ta përshkruaj siç e meriton, me penën e Miqësisë.
Ti je një njeri i çmuar… faleminderit që ekziston brenda Gjithësisë!
MANZA (raper dhe slamer historik, belgo-maroken i Belgjikës) nga Brukseli.
Homazh për poetin shqiptaro-frankofon Skënder Sherifi – në fund të Tetorit 2025. Ajo çka më befasoi mua, është fakti, që nuk e kemi pas njohur përpara njëri-tjetrin.
Një mikeshë e përbashkët, më sugjeroi për ta takuar dhe e telefonova për ta ftuar në një kafe, sa për t’u njohur, me një kontakt të parë…
Erdhi me idenë për ta kryer formalisht atë borxh moral, 30 minuta sa për t’u përshëndetur për respekt, mirëpo, në realitet pa e paramenduar qëndruam më tepër se 2 orë të plota duke e zhvilluar një bisedë të thellë humaniste, artistike dhe filozofike mbi eksperiencat tona individuale. Dhe dikur e konstatova që u mahnit nga historia e jetës sime dhe nga eksperiencat të cilat i kam pas përjetuar në Paris dhe në Bruksel, pa folur për Kosovën dhe Shqipërinë.
Pastaj, para atij takimi të parë në kafen e Brukselit, unë ia kisha dërguar në postën elektronike të tij, katër vepra të mia poetike, botuar në gjuhën franceze, në versionin PDF.
Duke e ditur që e kam një celebrim të jubileut tim në Bruksel, ditën e enjte, me 27 nëntor 2025 – në një sallë publike me 200 vende për t’u ulur, një skenë me pajisje profesionale dhe ngaqë ne u takuam pothuaj 1 muaj përpara në kafe, nga fundi i tetorit, rreth 20 /10/ 25 afërsisht… unë i propozova, nëse është dakort, të na përgatisi një performancë në SLAM mbi universin tim poetik rreth 20 minutash, me një liri veprimi totale, pa ndërhyrë aspak në zgjedhjen e teksteve.
Dhe e pranoi me gjithë qejf, duke shtuar që do ishte nder për të!
Pastaj, nuk e kam takuar më, deri kur erdhi me datën 27 nëntor 2025 në jubileun tim të Brukseli, dhe kur e ftoi moderatorja për të hyrë në skenë para publikut belg, së pari u shpjegoi se “kush jam për ata që nuk më njohin” duke ua sqaruar që ka qenë ndër pionierët fillëstarë të Rapit dhe të Slamit në Belgjikën frankofone. Dhe pastaj, u shpjegoi pse ka ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e Jubileut tim dhe në cilat rrethana jemi njohur në atë kafe të Brukselit, vetëm 2 orë. Dhe ju tha, që më ka prekur dhe frymëzuar aq shumë ai takim special me zotin Sherifi, saqë e kam ndier nevojën për të shkruar diçka personale, e cila mund të shërben si një lloj homazhi intim ndaj këtij poeti dhe personaliteti madhorë… dhe këto ishin fjalët e tij, e jo të miat për vetveten. Kështu, që filloi përformancën e tij në skenë, kontributin e tij personal, duke e lexuar në stilin Slam, po këtë tekst të cilin e kishte shkruar posaçërisht për mua. Dhe më preku thellësisht ai moment i rrallë dhe i bukur, madje dikur u befasova, ngaqë i thashë vetes: “Po qysh një tip, të cilin nuk e kam pas njohur kurrë më parë, por as ai mua reciprokisht, për 2 orë takim në një kafe dhe me siguri disa libra të dërguara në email… e ka kapur perfekt personalitetin dhe specificitetin tim krijues si poet, mënyra si mendoj, veproj dhe funksionoj, pra, atë alkiminë time intime, filozofinë time jetësore?!
E kuptova menjëherë, që ky prson “ANZA” është njeri i plotësuar dhe i kulluar, një artist i vërtetë dhe me antena speciale, të cilat i kanë vetëm Krijuesit apo Mistikët madhorë… ato që i kishte pikërisht nëna ime Xhevahire Sadria, Rimboja, Mozarti, Krishnamurti, Buda, Krishti, Van Goghu, Modigliani, deri dikund edhe unë, si dhunti natyrore e dhuruar nga Përendia, diçka që del komplet nga të gjitha sistemet shkollore tradicionale dhe që ngelet misterioze. Kështu që një tip i ardhur nga Maroku, i cili jeton tani si belg në Bruksel, vjen dhe të skanon perfekt për 2 orë kohë, pse ka biseduar me ty në një kafe, dhe ndoshta shfletuar ndonjë vepër tëndën, të cilën ia ke dërguar në kompjuter dhe të thotë gjëra super të qëlluara, me një thellësi dhe inteligjencë të rrallë, çka nuk ta kanë thënë as kritikët kinse të specializuar… e jo në këtë formë, por me plotë formula pseudo universitare mjaft abstrakte dhe shumë “bla-bla-bla” për ta mbushur boshllëkun e tyre shpirtëror dhe emocional… pra na vjen MANZA për një kohë rekord dhe të zbulon, të deshifron shumë më mirë, sesa gjithë familja jote, me përjashtim të Nënës Xhevahire, të afërmve dhe të 99 përqind të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët akoma sot në vitin 2025, pas 50 viteve në Prishtinë (1976) dhe 35 viteve në Tiranë (1990) dhe 70 vite jetë dhe eksperienca tokësore të jashëzakonshme… akoma nuk e kanë kuptuar të dhjetën apo çerekun e asaj çka e thotë në shkrimin e tij raperi maroken i Brukselit MANZA dhe vazhdojnë për të më karikaturuar, pa e lexuar seriozisht asnjë VEPËR!
Ky është realiteti i mjerë, o miq, mikesha dhe bashkatdhetarë të dashur…
Skënder SHERIFI – Bruksel, 6 dhjetor 2025 – Dita e Shënkollit!
A jeni për ndonjë karamel apo një çokollatë, se po ua shpërndaj bashkë me veprat e mia, sikurse Dervish Luzha i Tropojës ose Baba Mondi në Kryegjyshatë, kur i erdha në vizitë me nënën Xhevahire…